Intervistë|Selatin Kaçaniku: Kosovarët të rrezikuar nga produktet ushqimore

Autori:admin

kacaniku-260915

Produktet kosovare, të cilat kanë depërtuar shumë pak në tregjet rajonale apo edhe më gjerë, konsiderohen jo edhe aq cilësore nga përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”.

Kryetari i kësaj organizate, Selatin Kaçaniku, në një intervistë për Gazetën Fjala thotë se hallet më të shpeshta të konsumatorëve kosovarë kanë të bëjnë me produktet me afat të skaduar, mënyrën e ruajtës së produktit, çmimet, kusurin në centë të cilët shpesh-herë marketet nuk ua kthejnë konsumatorëve. Por ai thotë se numri i ankesave më proporcion me tregun është i ulët.

“Numri i ankesave nga qytetari konsumator është në rënie si pasojë e veshëve të shurdhër në të cilët hasnin ato ankesa për vite me radhë. Arsye tjetër është mos përmbushja e obligimit nga Institucionet e Shtetit që qytetarin konsumator ta vetëdijësojnë”, ka thënë ai.

Ai u shpreh se produktet e importuara në Kosovë nga Serbia mund të jenë shumë të dëmshme për qytetarët e Kosovës.

“..mund të jenë të dëmshme – besa edhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarit konsumator – edhe nga Serbia, edhe ato vendore, pa dallim”, thotë Selatin Kaçaniku.

Kaçaniku thotë se prodhimet vendore nuk i plotësojnë standardet evropiane sa i përket cilësisë.
Ai poashtu kritikon edhe punën e inspektoratit. Thotë se ka dyqan e markete në të cilat këmba e inspektorëve nuk ka shkeluarasnjëherë.

“Ka dyqane e markete të vogla në periferi të qyteteve dhe në viset rurale ku këmba e inspektorit nuk ka shkelur kurrë pas luftës ?!”

Gazeta Fjala: A janë të mbrojtur konsumatorët në Kosovë?

Selatin Kaçaniku:Sa i përket legjislacionit Republika e Kosovës vazhdimisht po bën avansime dhe përshtatje të dokumenteve me Direktivat e BE-së. Në përgatitje është Ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit. Kohë më parë Qeveria e Kosovës miratoi Programin 2016 – 2010 për mbrojtjen e konsumatorit. I kemi edhe mbi 35 Ligje që merren me kujdesin, me mbrojtjen e të drejtave, të shëndetit, të interesavetë konsumatorit.

Problemet nisin me zbatimin e ligjeve. Siç e dimë, në Republikën e Kosovës ligjet zbatohen në shkallë më të ulët se 40 %. Në Gjykatat e Republikës së Kosovës janë grumbulluar rreth 500.000 lëndë – një pjesë e mirë e të cilave rrezikohet të parashkruhet. Mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut ankohen se nuk janë të motivuara me kuadro, teknikisht as materialisht.

Po këto Mekanizma kërkojnë ndihmë nga qytetari konsumator që t i paraqes rastet e shqetësimit por, as ato, as institucionet e Shtetit, nuk po e përmbushin obligimin juridiko-ligjor, institucional-zyrtar, etiko-profesional…që qytetarin konsumator ta informojnë, edukojnë, arsimojnë e vetëdijësojnë.

Përmirësime ka por këto përmirësime vijnë ngadalë.Kështu, qytetari konsumator e taksapagues i është lënë më shumë vetvetes, që duke qenë tej mase i kujdesshëm – të vetëmbrohet.

Gazeta Fjala: Cila ushqime janë duke i përdor qytetarët e Kosovës, a kanë cilësi dhe sa janë të sigurta?
Selatin Kaçaniku: Qytetari konsumator i Kosovës konsumon prodhime, mallra e shërbime – pra produkte vendore dhe nga importi. Me që nga importi përmbushen më shumë se 90 % e nevojave e kërkesave, na del se më shumë blihen, përdoren, shfrytëzohen, konsumohen produktet nga importi. Mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut po na udhëzojnë të bëjmë dallim mes cilësisë dhe sigurisë së ushqimeve. Ato po na bindin se të gjitha ushqimet që hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës – janë të sigurta. Por, nëpër dyqane, tregje të gjelbra, markete…qytetari konsumator çdo ditë gjen diç që nuk është në rregull dhe shprehë pakënaqësi.

Kur flasim për cilësinë atëherë, siç na përgjigjen nga mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut, ajo varet nga çmimi, se çmimi është një nga përkufizuesit, ose përcaktorët e cilësisë. Por, këtë përgjigje, këtë logjikë e dinë edhe disa nga prodhuesit, tregtarët e shërbyesit të cilët me mjeshtri manipulojnë me çmime.

Pra, marrë në tërësi, shumica e produkteve ushqimore janë të sigurta dhe i plotësojnë kriteret themelore të cilësisë. Por, ndodhin mashtrimet, manipulimet, dredhitë, ” tradhtitë “…që bëjnë bujë, jehonë dhe ngrisin tensione e pasiguri.

Gazeta Fjala: Nga çfarë rrezikohen më së shumti qytetarët e Kosovës?

Selatin Kaçaniku: Qytetari konsumator shpreh pakënaqësi kryesisht me afatin e skadencës, me vazhdimin e paligjshëm të afatit të skadencës, me mënyrën e ruajtjes së produktit, me përbërësit, me origjinalitetin, me…pastaj me çmime, me kusurin, me…Natyrisht se këto të parat mund ta rrezikojnë shëndetin e konsumatorit.

Siq e dini Org.KONSUMATORI pati zbuluar e reaguar lidhur me disa afera të mëdha të cilat i ” shpëtuan

” mekanizmave të mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut, si:

– AFLATOKSINA M1;

– Gruri dhe mielli jocilësor, i skaduar…qysh më 2009-tën;

– Pemët dhe perimet me pesticide të tepruara;

– Dyshimet për përdorimin e sasisë së pa paraqitur të qumështit pluhur në prodhimin e qumështit dhe të prodhimeve të qumështit;

– ” Kaçikat turshi ” dhe llojet tjera të mishrave të dyshimtë;

– Ekspozimi i mallrave / ushqimeve për shitje përgjatë rrugës – nën ndikimin e pluhurit dhe gasrave;

Gazeta Fjala: A i mbikëqyrë ndokush sipas juve produktet ushqimore që shiten në tregon tonë aktualisht?

Selatin Kaçaniku: Janë Mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut dhe të mbrojtjes së konsumatorit.

Në kuadrin e MTI-së funksionon e gjithë ” Infrastruktura e cilësisë “.Të gjithë ankohen se nuk janë të kompletuar me kuadro, teknikisht e materialisht. Kërkojnë ndihmë nga qytetari konsumator duke harruar se po ky konsumator është edhe taksapagues dhe gjenerues kryesor i Buxhetit prej nga finansohen. Pra, përveç se marrin rroga nga ne Mekanizmat kërkojnë të na bëjnë edhe argatë ?!

Natyrisht se jemi për bashkëpunim sepse është në interesin tonë por nuk lejojmë të na trajtojnë si argatë !

Gazeta Fjala: A i plotësojnë kushtet higjenikemarketet që shesin produkte ushqimore në Kosovë?

Selatin Kaçaniku: Ka dyqyne e markete të vogla në periferi të qyteteve dhe në viset rurale ku këmba e inspektorit nuk ka shkelur kurrë pas luftës ?! Mund t i imagjinoni pra kushtet sanitaro-hygjienike e teknike në këto pika. Në marketet e mëdha gjendja është pak ca më e mirë por në shumicën e tyre ka harabelë, trumcakë ( zogjë ), minjë, maca…kundërmojnë kuzhinat por edhe toaletet, kanalizimet…

Pastrimi i tyre, jo rrallë, bëhet me kursime maksimale – me ujë të thjeshtë ose me kimikatesanitaro-hygjenike jo të përshtatshme për qytetarin konsumator as për artikujt ushqimor. Nuk përdoren preparate BIO, gjë që vlen edhe për disa spitale, QMF, ordinanca shëndetësore.

Gazeta Fjala: Sa është numri i ankesave që ju i keni marrë nga qytetarët për produktet?

Selatin Kaçaniku: Numri i ankesave nga qytetari konsumator është në rënie si pasojë e veshëve të shurdhër në të cilët hasnin ato ankesa për vite me radhë. Arsye tjetër është mos përmbushja e obligimit nga Institucionet e Shtetit që qytetarin konsumator ta vetëdijësojnë. Po këto institucione akoma nuk po shprehin gatishmëri që të përkrahin Org. KONSUMATORI, të vetmen pikë referuese për kauzën, të drejtat e obligimet, intereset dhe dinjitetin e qytetarit konsumator. Ndaj Org. KONSUMATORI, plotësisht vetëfinansiohet, nuk ka përkrahje as donacione nga askush – ndaj nuk ka as kapacitete elementare për t i pranuar, trajtuar e proceduar tutje ankesat.

Në punën e Shoqërisë Civile kemi edhe interferim nga Institucionet, Asociacionet e Mekanizmat e Shtetit – të cilat në këtë mënyrë, gjoja se janë duke u marrë me mbrojtjen e konsumatorit nga target grupi i tyre, duan t i mbulojnë dështimet ?!

Gazeta Fjala: A merrni ankesa nga qytetarët për rastet që ata i hasin nëpër dyqane për produktet që i blejnë?

Selatin Kaçaniku: Po. Duke filluar nga jogurti e kosi, qumështi i kapluar nga myky deri te miu që një konsumatore e pati ” zbuluar ” në Podujevë ?!

Gazeta Fjala: A janë të rrezikshme produktet ushqimore të cilat importohen nga Serbia për në Kosovë?

Selatin Kaçaniku: Të gjitha produktet jashtë standardeve; Të ruajtura, magazinuara në kushtet jo standarde. Ato me receptura të padefinuara mirë ose me përbërës të ” kursyer ” ja të zëvendësuar, të papjekur ose të tejpjekur, të ngrirë e të shkrirë disa herë, të përpunuar termikisht në temperatura të larta edhe në 137 oC – edhe ate nga dy herë ( si disa lloje qumështi UHT, jogurti…), të falsifikuar, me aditive e emulgatorë të tepruar… mund të jenë të dëmshme – besa edhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarit konsumator – edhe nga Serbia, edhe ato vendore, pa dallim.

Gazeta Fjala: A do të duhej Kosova ta ndalte importin nga Serbia?

Selatin Kaçaniku: Republika e Kosovës nuk e ka nënshkruar asnjë Kontratë Bilaterale të Tregtisë me asnjë Shtet me të cilin ka marrëdhënie tregtare, as me Serbinë.

Mendoj se kjo është arsyeja përse kemi telashe edhe me CEFTA-n, anise nëpërmes tregtisë me shtetet e CEFT-as sigurojmë rreth 80 % të importeve ?!

Për mungesë të kontratës importet tona ” prodhojnë ” edhe telashe tjera. Mendoj se tregtia e zhvilluar pa kontrata, jashtë rrugëve legale, prodhon edhe probleme që mund të dëmtojnë edhe shëndetin e qytetarit konsumator e taksapagues – edhe nga Serbia./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervisteselatin-kacaniku-kosovaret-te-rrezikuar-nga-produktet-ushqimore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala