Intervistë|Rufki Suma: Kandidova me kërkesën e qytetarëve

Autori:Gazeta Fjala

rufki-suma-5964165

Rufki Suma ka vendosur që të garojë edhe për një mandat katër vjeçar, si kandidat i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai thotë se edhe kësaj radhe ka kandiduar me kërkesën e qytetarëve të kësaj komune, edhe pse nuk shpreh ndonjë siguri se do të fitojë me udhëhehqjen e komunës.

“Kërkesa e qytetarëve të Hanit te Elezit ishte që unë të vazhdoj me udhëheqjen e kësaj komune, andaj kam vendosur të kandidoj edhe për mandatin e tretë”, ka thënë Suma për Gazetën Fjala.

Prioritetet e tij në katër vitet e ardhshme, Suma thotë se do të caktohen nga vetë banorët e komunës së Hanit të Elezit përmes debateve me qytetar që janë të rregullta për të gjitha planifikimet buxhetore për vitet vijuese.

E nëse fiton në këtë mandat, ai beson se do ta ketë përkrahjen e kryeministrit Haradinaj, më shumë se sa të pararendësve të tij.

Ani pse është kryetari më i varfër në Kosovë, ai këtë nuk e ka problem madje krenohet që ka një jetë mesatare, sikurse banorët me të cilët bashkëjeton.

Në këtë intervistë, Suma flet edhe për projektet që janë realizuar gjatë mandatit të kaluar,prioritetet e tij, pagën që merr, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Hanit të Elezit dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike, si dhe për projektet që do t’i mbeten merak nëse nuk zgjidhet kryetar.

Kjo është intervista e plotë:

Gazeta Fjala: Pse keni vendosur që edhe këtë herë të kandidoni për kryetar të Hanit të Elezit?

Rufki Suma: Nën moton “Gjithnjë në shërbim të popullit” deri më tani duke filluar nga vitet e 90-ta kam punuar në shërbim te popullit, pra kudo qe është paraqitur nevoja isha aty ne te mirën e popullit, prandaj kërkesa e qytetarëve të Hanit te Elezit ishte që unë të vazhdoj me udhëheqjen e kësaj komune, andaj kam vendosur të kandidoj edhe për mandatin e tretë.

Gazeta Fjala: A besoni se do t’i fitoni edhe këto zgjedhje?

Rufki Suma: Se kush do ti fitoj zgjedhjet do të vendosin qytetarët e Hanit te Elezit me 22 tetor 2017.

Gazeta Fjala: A i frikësoheni konkurrencës nga kandidatët e tjerë?

Rufki Suma: Rrespektoj të gjithë kundërkandidatët. Konkurenca është vlerë demokratike.

Gazeta Fjala: Cilat do të jenë prioritetet tuaja për katër vitet e ardhshme?

Rufki Suma: Prioritetet gjithmonë si në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen do të caktohen nga vetë banorët e komunës së Hnait të Elezit përmes debateve me qytetar që janë të rregullta për të gjitha planifikimet buxhetore për vitet vijuese.

Kjo praktikë ka rezultuar si shumë efikase për të reflektuar drejtëpërdrejtë për kërkesat e banorëve.

Për dy mandate  si kryetarë i komunës kamë menagjaur me institucionin e komunës  por në vazhdimësi kamë bashkëqeverisur me banorët duke i bërë ata pjesë  aktive të vendimmarrjes.

Gazeta Fjala: A prisni përkrahje nga Kryeministri Haradinaj?

Rufki Suma: Nga kryeministri Haradinaj presim përkrahje shumë më të madhe se ish kryeministrat  tjerë në të kaluarën.

Gazeta Fjala: Njiheni si kryetari më kursimtar dhe më i varfër nga kolegët tuaj në komunat tjera. Si ndiheni karshi kryetarëve tjerë?

Rufki Suma: Ndihemi shum mire dhe i relaksuar.  Në popull është një fjalë e urtë “i varfër  por i lumtur”. Ndihemi shumë  krenar sepse kemi një jetë mesatare të popullates se Kosovës dhe nuk kam dëshirë që unë të kem një jetë shumë luksoze në raport me banorët me të cilë bashkëjetojë.

Gazeta Fjala: A ju mjafton paga që merrni për të mbajtur familjen?

Rufki Suma: Kur ta krahasojmë gjendjen e shumicës së popullatës në Kosovë, lirisht mund te themi se paga eshte e mjaftueshme, por nëse e krahasojmë me gjendjen e shumicës së liderëve të Kosovës dhe të huaj, ku shumica prej tyre kanë edhe te ardhura tjera si nga bizneset private apo edhe ndonjë punë tjetër dytësore, atëherë mund te themi se kjo pagë nuk mjafton per ti kryer te gjitha obligimet dhe nevojat familjare, sepse edhe per nevoja zyrtare dhe takime te perditshme bëhen shpenzime te larta dhe mbi 20-30 % e pagës shpenzohet per nevoja te komunës.

Gazeta Fjala: Çfarë keni bërë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Hanit të Elezit dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike?

Rufki Suma: Sa i perket infrastruktures rrugore, janë shtruar me asfalt të gjitha rrugët kryesore te fshatrave, tani jemi duke shtruar me asfalt rrugët në fshatrat malore te cilat janë gati krejtsisht te pabanuara, kemi shtruar gati te gjitha rrugicat në zonën urbane dhe rurale me kubëza betoni, kemi perfunduar gati në tërsi ndriqimin publik edhe në zonat rurale (kanë mbetur disa lagje te vogla ku nuk kemi shtylla elektrike pergjatë rrugës). Kemi rregulluar shumicën e kanalizimeve në të gjitha zonat urbane dhe rurale, kemi krijuar kushte te mira ne arsim (sigurimi dhe pajisja e të gjithë mësimdhënësve me laptop personal, pajisja e çdo dhome mësimi me projektor, pajisja e te gjitha shkollave me inventar te ri dhe kabinete te informatikes, zgjërimi i hapsirave të QKMF-së,  telefona pa pagesë për të gjithë stafin publik të të gjitha institucioneve komunale, heqje te shpenzimeve te varrimit per te gjitha rastet mortore, subvencion-ndihmë financiare nga 100 euro për çdo lindje te fëmiut, Vazhdimisht kemi ndihmuar ne hapjen e bizneseve te vogla, permes donatorëve te ndryshëm,  subvencionime  ne bujqësi, lirim te taksave biznesore per biznese te reja, e projekte te tjera në interest e qytetarëve.

Gazeta Fjala: Çfarë duhet të bëjnë institucionet që të instalohet shembulli i transparencës dhe kursimit edhe në komunat tjera?

Rufki Suma: Vullneti dhe dëshira për të punuar për shtet, shtetin dhe komunën ta shikojmë sikur shtëpitë tona e jo si të huaja, e në anën tjetër shteti duhet të përkrahë dhe stimuloj individët dhe komunat që punojnë më tepër në interesin e qytetarëve

Gazeta Fjala: Nëse nuk bëheni këtë herë kryetar çka do tu mbetet merak?

Rufki Suma: Mosfunksionalizimi i kompanisë per menagjimin e ujit (kompetencë e nivelit qendror), mosperfundimi i projektit te pastrimit te mbetjeve te azbestit (projekt qe financohet nga MMPH), mos perfundimi i fushës së futbollit (projekt ne vazhdim nga MMPH), mos hapja e  degës së gjykates themelore në Han te Elezit, Zyres se Punësimit dhe Qendrës së Regjistrimit te Automjeteve (te gjitha këto kompetencë e nivelit qendror), mostrajtimi i Padisë kundër Sërbisë që kemi parashtruar para shumë viteve per krimet e bëra në Han te Elezit.

Por pasi që kemi realizuar synimet kryesore te mia siq ishin: Largimi i emërtimit te Hanit te Elezit me emrin e kriminelit Gjeneral Jankoviq, rikthimi i pronave te ish APJ-së, kemi rregulluar Infrastrukturën e Hanit te Elezit, digjitalizimin e arsimit etj,nuk më mbetet merak asgjë. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervisterufki-suma-kandidova-me-kerkesen-e-qytetareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala