Intervistë| Rexhep Selimi: Pagat e deputetëve duhet të ulen, e jo të rriten

Autori:Gazeta Fjala

rexhep-selimi-e-futi-n-euml-kuvend-gazin-lotsjell-euml-s_hd-1200x630

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi mendon se pagat dhe mëditjet që marrin deputetët edhe ashtu janë të larta, për të pasur rritje të re siç kërkohet me Ligjin e ri për pagat.

Ai rekomandon që të hyrat aktuale të deputetëve të zbritën, pasi, siç thotë “asnjë zyrtar i lartë publik nuk duhet ta ketë pagën më shumë se sa trefishi i pagës mesatare në Kosovë”.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Selimi ka folur edhe për ndryshimet në Ligjin për Veteranët, Gjykatën Speciale dhe arrestimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

 Gazeta Fjala: Janë dy ligje që së fundmi kanë nxitur diskutime në opinion, ai për veteranët dhe projektligji për pagat. Çfarë nuk është në rregull me to?

Rexhep Selimi:  Projektiligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Veteranët e UÇK-së është futur në agjendën e Kuvendit të Kosovës në mënyrë krejt jo transparente, pa debat. Madje, ai projektligj u procedua brenda ditës në dy leximet e tij pa procedim në komisione dhe pa mundësi amandamentimi. Kjo ngutje nuk ka qenë e rastësishme por shumë e planifikuar që të procedohet shpejtë e shpejtë në Kuvend më qëllim që askush të mos ketë mundësi ta analizojë dhe të debatohet për të. Kështu ne Levizja Vetëvendosje, por edhe pjesa tjetër opozitare e kemi kundërshtuar këtë veprim tinëzar të Qeverisë së Kosovës që me ketë projektligj, përveç tjerash, e shkurtonte buxhetin për veteranët për më shumë se 23 milioë euro në vit.

Kurse, sa i përket projektligjit për pagat, Levizja Vetëvendosje mendon se edhe ashtu pagat e asnjë zyrtari publik nuk duhet ta kalojë trefishin e pagës mesatare në Kosovë. Qeveria, me këtë projektligj, po dëshiron ta bëjë të kundërtën, t’i shkurtojë pagat për mësimdhënësit e t’i rrisë ato për pushtetarët, e poashtu edhe për deputetët.

Gazeta Fjala: A nuk meritojnë të gjithë veteranët benificione të njëjta?

Rexhep Selimi:  Të gjithë luftëtarët që kanë qenë pjesë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë dëshmuar që janë të gatshëm ta japin jetën për liri, duke qendruar në luftë deri në përfundimin e saj do të duhej të respektoheshin dhe të trajtoheshin njejtë në aspektin e mbështetjes financiare për ta. Klasifikimi në kategori sa i perket kohës së angazhimit të tyre në luftë është diskriminues dhe trajtim i pa dinjitetshëm.

Gazeta Fjala: Cilat janë pikat kryesore që ju i kontestoni në këto ligje dhe a prisni që Gjykata Kushtëtuese t’u jap të drejtë?

Rexhep Selimi:  Kundërshtimi ynë për Projektligjin për Veteranët e UÇK-së ka qenë i bazuar në mangësitë dhe problemet serioze që ka ky ligj. Klasifikimi diskriminues i veteranëve pa kritere dhe shkurtimi i pagave – pensioneve për veteranët kanë qenë dy nga shumë problemet që ka ky ligj.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni kërkesën për rritje të mëditjeve të deputetëve?

Rexhep Selimi:  Rritja e pagave edhe për deputetët është e padrejtë për shkak se as deputetët e asnjë zyrtar i lartë publik nuk duhet ta ketë pagën më shumë se sa trefishi i pagës mesatare në Kosovë. Edhe ashtu pagat aktuale të deputetëve janë më të larta se sa do të duhej të ishin, ato kanë nevojë të zbresin ende e jo të ngritën.

Gazeta Fjala: A do të votoni pro rritjes së mëditjeve?

Rexhep Selimi:      JO!

Gazeta Fjala: Përse dështoi Kuvendi i Kosovës të nxjerrë rezolutë për Ramush Haradinajn?

Rexhep Selimi:  Kuvendi i Kosovës dështoi që ta nxjerrë një rezulutë pas debatit parlamentar me rastin e arrestimit të Haradinajt nga policia fraceze sepse mazhoranca parlamentare nuk e deshi një gjë të tillë. Ata, (mazhoranca) nuk e mbështetën propozimin e thirrësit të asaj seance që parlamenti ta merrte një vendim shumë të rëndësishëm për Kosovën më shumë sesa për Haradinajn. Madje, me voten e tyre, deputetët e mazhorances që diskutuan e demantuan edhe veten e tyre ngase ndryshe flisnin e ndryshe votuan në fund. Kështu në menyrë shumë hipokrite ata verbalisht deklaronin mbështetje për Haradinajn kurse më votë e bënë të kundërtën.

Gazeta Fjala:  A ka bërë mjaft shteti i Kosovës për Haradinajn?

Rexhep Selimi:  Shteti i Kosovës më shumë ka krijuar kushte që të arrestohen qytetarët e Kosovës nga Serbia se sa i ka mbrojtur ata kur kanë qenë përballë akuzave. Qeveria e Kosovës ka mundur ta bëjë të kundertën, po t’i merrte masat e duhura që Haradinaj dhe asnjë qytetar i Kosovës të mos mund të ndalej më urdhër arreste serbe. Por, për fat të keq, ne kemi një qeveri në krye të Kosoves e cila ndihet totalisht inferior ndaj Serbisë.

Gazeta Fjala: Keni thënë se nuk i frikësoheni Gjykatës Speciale, a mendoni se do të jeni subjekt i trajtimit nga kjo Gjykatë?

Rexhep Selimi:  Une nuk i frikësohem asnjëherë drejtësisë. Kurse padrejtësisë duhet t’i frikësohemi të gjithë. Kushdo dhe cilido luftëtar që është subjekt i një gjykate të padrejtë poashtu do të jetë i sfiduar nga padrejtësia. Kundërshtimi ynë për Gjykatën Speciale është kundërshtim ndaj padrejtësisë, jo ndaj drejtësisë.

Gazeta Fjala: Në shumë raste është parë se Policia e Kosovës ju ka trajtuar më me konsideratë nga të tjerët. A është kjo se ua kanë frikën apo kanë respekt për ju?

Rexhep Selimi:  Asnjë polic i Kosovës, nuk duhet dhe nuk ma ka frikën.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervisterexhep-selimi-pagat-e-deputeteve-duhet-te-ulen-e-jo-te-rriten/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala