Intervistë|Kosovarët ia mësyjnë psikiatrisë

Autori:Gazeta Fjala

psikiatri

Për gjashtë muaj, 387 pacient janë shtrirë në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë. Pjesa më e madhe e tyre kanë kërkuar ndihmën e psikiatrit për shkak të skizofrenisë, çrregullimeve të personalitetit e sëmundjet e varësisë.

E numri i qytetarëve të varur nga alkooli dhe substanca të tjera të dhënat tregojnë se është në rritje të vazhdueshme, krahaasuar me problemet tjera për të cilat kosovarët kërkojnë ndihmën e psikiatrit.
Kosovarët sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë shpenzojnë për alkool se sa për ushqime tjera elementare.

Shaban Mecinaj psikiatër në Klinikën e Psikiatrisë- QKUK, në një intervistë për Gazetën Fjala tregon se nuk është i pakt as numri i atyre pacientëve që kanë kaluar nëpër dyert e kësaj klinike për shkak të varësit nga substancat narkotike.

Sipas tij nga viti 2012 ne Klinike ekziston edhe Trajtimi Mbajtës me Metadon- TMM, nëpër të cilin kanë kaluar deri më tani rreth 60 përfitues (persona te varur nga opioidet).

Mecinaj në këtë intervistë shpjegon përprocesin e trajtimit e pacientëve në këtë qendër, sëmundjet prej të cilave vuajnë, kujdesin që kanë pacientët e arsyen opërse disa nga ta mbahen të mbyllur si në burg.

Gazeta Fjala: Sa është numri i pacientëve me probleme mendore që janë të shtruar në këtë klinikë?

Mecinaj: Aktualisht në Klinikën e Psikiatrisë, nëpër reparte të ndryshme janë te shtrire gjithsej 44 pacient. Ne gjashtëmujorin e pare të këtij viti kemi patur 387 pacient te shtrire me gjithsejtë 7031 ditë mjekimi.

Gazeta Fjala: A është në rritje numri i këtyre pacientëve?

Mecinaj: Nuk ekziston ndonjë studim i saktë që dëshmon rritjen e pacienteve me psikopatologji të ndryshme, ndonëse për çrregullimet afektive si dhe sëmundjet e varësisë mund te thuhet se kemi një trend në rritje të vazhdueshme.

Gazeta Fjala: Prej cilave sëmundje vuajnë, dhe cila është sëmundja më e shpeshtë?

Mecinaj: Entiteti me i shpeshtë psikopatologjik u takon çrregullimeve psikotike akute dhe atyre kronike te njohura si skizofreni, pastaj vijnë çrregullimet afektive, çrregullimet e personalitetit, sëmundjet e varësisë etj.

Gazeta Fjala: Çfarë kujdesi kanë këta pacientë?

Mecinaj: Klinika ofron trajtim ambulantor dhe hospitalor për pacientet e saj. I takon kujdesit tretësor shëndetësor sipas organizimit te tanishëm. Kujdesi profesional është multidisiplinar dhe konsiston ne kujdesin infiermeror , psikologjik dhe psikiatrik. Trajtimi bëhet sipas Protokolleve Klinike të miratuara nga Këshilli Profesional i Klinikes se Psikiatrisë.

Gazeta Fjala: Si trajtohen pacientët që kanë varësi?

Mecinaj: Pacientët e varur nga alkooli dhe substancat tjera marrin trajtim ne Repartin e Sëmundjeve te Varësisë- RSV, përmes Programeve Detoksikuese po ashtu te parapara me Protokollet e Trajtimit. Këta pacient pasi të kenë treguar motivacion dhe interesim te mjaftueshëm pranohen ne këtë repart, shumica prej tyre nën përcjelljen edhe të një familjari. Trajtimi po ashtu është multidisiplinar bazuar në farmakoterapi dhe ne psikoterapi. Po ashtu nga viti 2012 ne Klinike ekziston edhe Trajtimi Mbajtës me Metadon- TMM, neper te cilin kanë kaluar deri me tani rreth 60 përfitues (persona te varur nga opioidet).

Gazeta Fjala: A mbahen të mbyllur këta pacientë?

Mecinaj: Pacientet te cilët tregojnë nivel të lartë të agresivitetit, që janë te disocuar dhe jo koshient për gjendjen e tyre shëndetësore, përkohësisht mund te vendosen ne Njësinë e Kujdesit Intensiv Psikiatrik- UKIP , qe është repart i mbyllur. Zakonisht këta pacient janë edhe me urdhëresa nga Gjykatat te cilat e kërkojnë apo e mbështetin këtë lloj trajtimi, qe quhet trajtim i pavullnetshëm.

Gazeta Fjala: A u lejohen vizitorët?

Mecinaj: Ne repartet e hapura lejohen vizitat e familjareve ne kohen e caktuar, ndërsa ne UKIP lejohen sipas vlerësimit te gjendjes shëndetësore dhe duke respektuar rregullin e brendshëm të funksionimit.

Gazeta Fjala: Sa reparte ka kjo klinikë dhe çfarë intervenimesh ofron?

Mecinaj: Klinika e Psikiatrisë ka katër reparte për trajtim hospitalor dhe katër shërbime ambulantore. Intervenimet janë ato qe u përmenden edhe më lartë !

Gazeta Fjala: A i plotëson kushtet për trajtimin e këtyre pacientëve kjo klinikë?

Mecinaj: Klinika, ne kushtet e dhëna i plotëson kushtet dhe siguron trajtim te larte profesional, duke respektuar dinjitetin njerëzor dhe duke ruajtur konfidencialitetin.

Gazeta Fjala: A ka mjaftueshëm staf kjo klinikë?

Mecinaj: Klinika ka kërkesa për katër infermier dhe një punonjës social, derisa me kuadër specialistik pas konkursit te fundit dhe ne përputhje me shërbimet qe ofron është e plotësuar. /Autore: Arjeta Shabani/Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistekosovaret-ia-mesyjne-psikiatrise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala