Intervistë|Hysni Gucati: Mos luani me pensionet tona

Autori:Gazeta Fjala

hysni gucati

Mundësinë e Qeverisë, për t’i ulur pensionet e veteranëve, këta të fundit as që duan ta mendojnë. Ata janë të bindur se Qeveria nuk mund t’ua ul asesi pensionet.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se Qeveria është dashur të planifikoj më herët fondet për veteranët, nëse kjo nuk është bërë Gucati thotë se duhet rishikuar buxheti.

” Qeveria është dashur që t’i planifikoj aq mjete sa do të nevojiteshin për pagesat e pensioneve por edhe zbatueshmërinë e ligjit. Nëse nuk i kanë planifikuar si duhet, doemos se do t’i bëjnë në rishikimin e buxhetit në gjysmën e vitit 2017″, thotë kryetari i OVL e UÇK-së.

Ndërsa sa i pëket procesit të verifikimit të listave për veteranë, kryetari i veteranëve e quan vendim arbitrar të Qeverisë, ndërprerjen e tyre.

“Procesi i verifikimit të veteranëve apo përmbyllja e këtij procesi është e ndërprerë qe disa muaj me një vendim arbitrar të qeverisë. Ka ende veteran që nuk i kanë marrë çertifikatat e statusit, pastaj pjesëtarët, pjesëmarrësit”, deklaron ai.
Gucati në këtë intervistë flet edhe për synimet e tij me të marrë postin e kryetarit.

Gazeta Fjala:A keni arritur pajtime me partitë parlamentare që të sigurohet buxhet i mjaftueshëm për pagesat e pensioneve të veteranëve për tërë vitin 2017?

Gucati: Nuk është kompetencë e jona e as çështje që të arrijmë pajtim me partitë parlamentare për këtë, por është detyrim ligjor i qeverisë që ta planifikoj dhe siguroj buxhetin e mjaftueshëm për pagesat e pensioneve për veteranët, buxhet i cili mëpastaj do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gazeta Fjala: Cilat janë masat që keni marrë që neni i ligjit për buxhet të mos e kufizoj shumën prej 38 milionë eurosh për pensione?

Gucati: Pavarësisht kufizimeve që ata i bëjnë në buxhet, përsëri më duhet ta theksoj se qeveria e ka detyrim ligjor që ta zbatoj ligjin, i cili nuk parasheh vetëm pensionet e veteranëve të papunë por edhe benificionet tjera të cilat nuk i gëzojnë veteranët, sepse duhet që ministritë përkatëse t’i nxjerrin aktet nënligjore për zbatimin e plotë të ligjit.

Gazeta Fjala: Qeveria ka kërkuar që të i mundësohet asaj që të zbres pensionet?

Gucati: Qeveria nuk mund që t’i ulë pensionet sepse ato janë në përputhje me ligjin, i cili e thotë se nuk mund të jenë më të ulëta sesa paga minimale e që është 170 euro.

Gazeta Fjala: A po ju tradhton Qeveria me veprimet e saj në buxhetin e vitit 2017?

Gucati: Qeveria është dashur që t’i planifikoj aq mjete sa do të nevojiteshin për pagesat e pensioneve por edhe zbatueshmërinë e ligjit. Nëse nuk i kanë planifikuar si duhet, doemos se do t’i bëjnë në rishikimin e buxhetit në gjysmën e vitit 2017.

Gazeta Fjala: Niveli i pensionit është minimali për mbijetesë, a keni paraparë rritje pagash?

Gucati: Marrë për bazë standardin jetësor, lirisht mund të themi se ajo pagesë e pensionit është një ndihmë sociale, sepse me ato mjete që veterani i papunë i merr, nuk mund t’i mbaj fëmijët si duhet e lëre më që edhe i duhet t’i shkolloj.

Gazeta Fjala: A jeni të informuar, deri ku ka shkuar procesi i verifikimit të listave të veteranëve?

Gucati: Procesi i verifikimit të veteranëve apo përmbyllja e këtij procesi është e ndërprerë qe disa muaj me një vendim arbitrar të qeverisë. Ka ende veteran që nuk i kanë marrë çertifikatat e statusit, pastaj pjesëtarët, pjesëmarrësit”,

Gazeta Fjala: FMN ka sugjeruar reformim të plotë të procesit të benefiteve të veteranëve? Si e vlerësoni këtë kërkesë?

Gucati: Ne jemi takuar me FMN dhe u kemi thënë edhe atyre, ashtu siç ju kemi thënë edhe qeveritarëve se vetëm duhet të zbatohet ligji.

Gazeta Fjala: Cka do të bëni ju që shoqata të mos politizohet?

Gucati: Organizata jonë ka programin dhe statutin. Pavarësisht bindjeve politike që kanë veteranët e luftës, ne do të jemi apartiak dhe do të shohim interesat e veteranëve të luftës e jo të partive politike. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistehysni-gucati-mos-luani-me-pensionet-tona/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala