Intervistë|Hasan Preteni: Krim i organizuar me listat e veteranëve

Autori:Gazeta Fjala

hasan preteni

Për rreth dhjetë vite rresht, Hasan Preteni, ka qenë drejtor në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). Mirëpo, pas një dekadë si ushtrues detyre në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, tani është i papunë.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Preteni ka rrëfyer për punën që ka bërë në këtë institucion.

Preteni duke folur për korrupsionin thotë se ai në Kosovë ka shtrirje të gjerë në fushën e prokurimit publik dhe shkaku i kësaj, disa zyrtarë fitojnë shumë dhe shpejt.

”Korrupsioni në Kosovë ka shtrirje të gjerë në fushën e prokurimit publik, tenderomanija, me këto aktivitete, me një rrezikim të vogël, disa zyrtarë fitojnë shumë dhe shpejt. Pasuria e shpejtë dhe e shumtë e disa prej tyre është dëshmia kryesore për këtë ”, ka thënë Preteni.

Ndër të tjera, Preteni flet edhe për kërcënimet në Agjencinë Kundër Korrupsionit, për numrin e madh të veteranëve, si dhe për shkeljen e ligjit gjatë përpilimit të listave të veteranëve.

Ai thotë se përipimi i listave të veteranëve të UÇK-së mund të quhet edhe si veprim mafioz e krim i organizuar.

“Korrupsioni nuk është term real, kur në një sjellje joligjore kyçen shumë persona, kur njëri-tjetrit i bëjnë favore, kur secili prej tyre e ka pjesën e vet në shkeljen e ligjit, kur shumë veta dakordohen që të shkelin ligjin, kjo quhet mafi e veprimit, krim i organizuar”.

Gazeta Fjala: Cili është angazhimi i juaj pas përfundimit të mandadit në AKK?

Hasan Preteni: Jam në pushim të detyruar, jam i papunë.

Gazeta Fjala: Cilët individë dhe institucione u kanë bërë presion më së shumti gjatë kohës sa ju e keni ushtruar detyrën e drejtorit në AKK?

Hasan Preteni: Të gjitha pengesat i kamë bërë publike në momentin kur kanë ndodhë. Në një rast në vitin 2007 është kërcënuar një zyrtar i Agjencisë në vendin e punës. Kërcënuesin e kemi denoncuar dhe i njejti është dënuar me burg. Në fillimin e vitit 2013, ishin disa presione, disa tentime për të interferuar në punën tonë, edhe ato i kemi denoncuar, kemi reaguar publikisht dhe gjithçka më pastaj ka qenë në rregull. Në tërësi gjatë gjithë mandatit nuk kemi pasur kërcënime e as presione serioze, nuk kemi krijuar raporte jashtë institucionale me zyrtarë, nuk kamë qenë pjesë e asnjë grupimi joformal, nuk kamë punësuar zyrtarë nga “politika” nuk kamë punësuar anëtarë të familjeve te zyrtarëve të lartë. Në çdo mënyrë kamë reflektuar pavarësi, e kur ndodhë kjo, presionet dhe ndërhyrjet nuk ndodhin.

Gazeta Fjala: Pse asnjëherë nuk është arrestuar asnjë person nga pretendimet e ngritura nga Antikorrupsioni?

Hasan Preteni: Agjencia e ka misionin e qartë, nuk burgos, nuk konfiskon, nuk arreston, nuk kryen hetime penale. Sukseset e saj duhet të analizohen dhe vlerësohen në bazë të mandatit ligjor që e ka. Sa raste i kemi hetuar, sa kallzime penale i kemi ushtruar, kundër sa personave kemi ushtruar kallzime penale, të gjitha i kemi bërë publike në Raportet Vjetore. Në këto raporte janë publike edhe të dhënat se në sa raste prokuroritë kanë vazhduar me hetime penale, sa aktakuza janë ngritë dhe sa raste janë gjykuar. Se si po luftohet korrupsioni në Kosovë, mbetet shumë për të dëshiruar. Një është e sigurt, se nuk ka rezultate konkrete pa marrë parasysh se kush i denoncon rastet në Prokurori (Agjencia, Policia, ATK-ja, Dogana apo qytetari drejtpërdrejt).

Gazeta Fjala: A ju kanë penguar në punë prokuroria dhe gjykata?

Hasan Preteni: Ato nuk kanë penguar, ne e kemi bërë punën tonë, e pastaj se çka po ndodhë me rastet, u spjegua më lartë.

Gazeta Fjala: Cili është institucioni më i korruptuar në vend sipas jush? Çfarë nuk keni mundur të realizoni gjatë mandatit tuaj?

Hasan Preteni: Korrupsioni në Kosovë ka shtrirje të gjerë në fushën e prokurimit publik, tenderomanija, me këto aktivitete, me një rrezikim të vogël, disa zyrtarë fitojnë shumë dhe shpejt. Pasuria e shpejtë dhe e shumtë e disa prej tyre është dëshmia kryesore për këtë.

Gazeta Fjala: Si ish-ushtarak, si e vlerësoni numrin e madh të veteranëve të UÇK-së?

Hasan Preteni: Fatkeqësisht, këtë fyerje ushtarët e devotshëm të UÇK-së nuk e kanë merituar, përpilimi i listave 16 vjet pas lufte, kjo nuk do justifikim. Listat janë përpiluar në vazhdimësi, kam qenë pjesë e TMK-së, strukturë e lartë (Shef i shtabit të zonës-kolonel). Jam dëshmitar se listat e ushtarëve të UÇK-së, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës i kemi dërguar në Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së, në arkivë janë këto lista. Këto lista duhet t’i kenë edhe Shoqatat e dala nga lufta, të gjitha janë azhuruar me kohë dhe pa nguti. Mund të shikohen edhe përmendoret e shumta që janë punuar pas lufte, emrat e dëshmorëve janë në to. Çfarë ndodhi tani? Kaos, anarki, parregullësi. Proces i panevojshëm, i kushtueshëm, i dëmshëm dhe, mbi të gjitha, joreal. Ku mbeti etika, integriteti, morali dhe vlerat tjera të eprorëve që e bënë këtë tërmet. Deklaratat stihike se këto lista do të hetohen, nuk janë reale, kurrë nuk mund të pastrohen nga “Gjyqësori”. Këtë duhet të bëjnë anëtarët e komisioneve, komandantët, kur nuk do t’i dënojnë gjykatat, por koha gjithsesi.

Gazeta Fjala: A mendoni se kishte korrupsion gjatë përpilimit të listave?

Hasan Preteni: Korrupsioni nuk është term real, kur në një sjellje joligjore kyçen shumë persona, kur njëri-tjetrit i bëjnë favore, kur secili prej tyre e ka pjesën e vet në shkeljen e ligjit, kur shumë veta dakordohen që të shkelin ligjin, kjo quhet mafi e veprimit, krim i organizuar.

Gazeta Fjala: Çfarë duhet të ndryshojë AKK-ja për të pasur kompetenca më të mëdha?

Hasan Preteni: Mandati i Agjencisë caktohet me ligj. Kuvendi është ai që duhet të analizojë mandatin dhe ndryshojë apo amandamentojë legjislacionin. Unë, mund të kontribuoj me ekspertizë, por tani nga kjo pozitë pas mandatit të përfunduar, një analizë e tillë nuk është reale, e as etike./GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistehasan-preteni-krim-i-organizuar-me-listat-e-veteraneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala