Intervistë|Hadërgjonaj: LDK i pranoi të gjitha kërkesat e PDK-së

Autori:Agon Sinanaj

safete

 Kufizimi i pagesave të veteranëve e kërkesa për investime në disa komuna të Partisë Demokratike të Kosovës kishin acaruar shumë raportet mes partnerëve të koalicionit qeverisës PDK-LDK.

Gati deri në mesanatën e fundjavës që shkoi mosmarrëveshjet për buxhetin e vitit 2017, sipas deklaratatave të të dyja palëve, rrezikonin që vendi të shkonte në zgjedhje.

Megjithatë, nënkryetarja e komisionit parlamentar për buxhet, nga PDK, Safete Hadërgjonaj, në një intervistë për Gazetën Fjala, thotë se tani nuk ka kurrfarë lëkundje të koalicionit shkaku i buxhetit.

Sipas saj, asnjë rekomandim i PDK nuk është refuzuar, të gjitha janë votuar.

Ndërsa për veteranët ka mbetur i pa ndryshuar neni 24, i cili i jep të drejtë Qeverisë së Kosovës të kufizoj pagesat varësisht nga buxheti në dispozicion.

Për vitin 2017, Kuvendi ka miratuar buxhetin në vlerë prej 2 miliardë euro, për të cilin Hadërgjonaj duket se ende ka rezerva për shkak të huave nga jashtë.

“Duhet të kemi kujdes me ritmin e rritjes së borxhit duke pas parasyshë rritjen e borxhit këto dy vitet e fundit. Rritja e shpejtuar i borxhit nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë, nuk është mirë që gjeneratat e ardhshme të paguajnë kosoton e punës tonë”.

 Gazeta Fjala: Çfarë ndodhi me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës për buxhetin e vitit 2017?

Hadergjonaj: Të gjitha kërkesat e PDK jane përfshirë në buxhet. …gati të gjitha rekomandimet qe jane paraqitë dje si rekomandime për tu votuar në Kuvend kanë qenë rekomandime që i ka dhënë PDK për përmiresimin e buxhetit te vitit 2017. Asnjë rekomandim i PDK nuk është refuzuar të gjitha janë votuar dhe janë bërë pjesë e buxhetit.

Gazeta Fjala: A e ka lëkundur koalicionin qeverisës mosmarrveshja për buxhetin?

Hadergjonaj: Jo nuk ka kurrfarë lëkundje të koalicionit shkaku i buxhetit. Ne kemi dialogu për të gjitha kërkesat qe ne i kemi pasur për të përmirësuar buxhetin dhe kemi gjetë mirëkuptimin që çdo kërkese e jona të jetë pjesë e buxhetit.

Gazeta Fjala: Cilat janë ndryshimet e Komisionit në buxhet?

Hadergjonaj: Komisioni dje ka shqyrtuar të gjitha kërkesat të cilat i janë drejtuar komisionit nga niveli qendror dhe lokal, nga institucionet e pavarura që i raportojnë kuvendit, amandamentet e deputetëve si dhe amandamentet  komisioneve të Kuvendit të Kosovës. Kërkesat që janë përkrah nga komisioni janë bërë amendamente. Në amendamentet e komisionit janë të pëfshira edhe të gjitha kërkesat për ndryshim të buxhetit të GP të PDK. Të gjitha rekomandimet e Komisionit për Buxhet e Financa janë përkrahur nga deputetet, ashtu sic janë propozuar nga Komisioni. Ndryshimet kanë qenë kryesisht në projektet kapitale, ku përfitojnë më së shumti qytetarët.

Gazeta Fjala: A është ky buxhet elektoral, pasi vitin e ardhshëm do të jenë zgjedhjet komunale?

Hadergjonaj: Çdo herë kur ka zgjedhje, buxheti është  pak më i ngarkuar, por me ndryshim plotësimet që i janë bërë dje buxhetit, mendoj se është një buxhet më i balancuar sepse kanë përfituar nga këto ndryshime të gjitha komunat e Kosovës, qofshin ato të cilat udhëhiqen nga pozita apo nga opozita, me plotësim ndryshimet e bëra buxheti është orientuar më shumë në zhvillim dhe në plotësimin e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve.

Gazeta Fjala: Si mund të vlerësohet buxhet zhvillimor, kur pjesa më e madhe e parave shkojnë për rrugë?

Hadergjonaj: Ne kemi trashëguar një infrastrukturë të dëmtuar, kemi pasur nevojë për të rregulluar infrastrukturën rrugore, sepse është një faktor kyç për zhvillimin ekonomik. Një infrastrukturë e mirë është mundësi më e madhe për investime në Kosovë. Kemi pasur nevojë për tu lidhur me Shqipërinë, dhe me shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë. Tani qeveria ka synime tjera siç janë të përcaktuara me programin e qeverisë, me strategjinë kombëtare për zhvillim 2016-2021, me programinin për reforma ekonomike etj. Unë kam ngritur shqetësimin se nuk janë të përfshira sa duhet në buxhet prioritet e qeverisë që buxheti të orientohet në sektorë tjerë siç janë arsimi, shëndetësia, rendi dhe ligji, bujqësia e tjera. Qeverisë i mbetet edhe shumë për të bërë hapat e duhur pozitiv për të orientuar investimet në sektorët që kanë impakt në zhvillimin ekonomik.

Gazeta Fjala: A ka marrveshje të veçantë që me rishikim të buxhetit të bëhen ndryshime të caktuara dhe cilat janë ato?

Hadergjonaj: Ne kemi bërë ndryshimet që kemi vlerësuar se janë të domosdoshme të bëhen në buxhet për të përmirësuar buxhetin në përgjithësi e sidomos buxhetin që ka të bëjë me arsimin, me shëndetësinë, me përmirësimin e buxhetit për kulturë, rini dhe sport, në përforcimin e institucioneve që ndikojnë në forcimin e rendit dhe ligjit, në infrastrukturen energjetike e ujore,  përgjithësisht në projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik. Ne do të përcjellim me kujdes zbatimin e buxhetit gjatë gjashtë mujorit të parë dhe do të angazhohemi që edhe në rishikimin e buxhetit të bëjmë përmirësimet e nevojshme në buxhet, për reflektuar në zhvillim ekonomik e përmirësim të mirëqenjes së qytetarëve

Gazeta Fjala: Sa po e vënë në rrezik huatë vendin?

Hadergjonaj: Kosova ka një borxh të ulët krahasuar me vendet tjera, ne kemi nevojë edhe për të hyrë borxh për të zhvilluar vendin. Por duhet të kemi kujdes me ritmin e rritjes së borxhit duke pas parasyshë rritjen e borxhit këto dy vitet e fundit. Rritja e shpejtuar i borxhit nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë, nuk është mirë që gjeneratat e ardhshme të paguajnë kosoton e punës tonë. Rritja e borxhit për 177 milion më shumë në krahasim me vitin e kaluar është trend i shpejtuar i rritjes i cili nuk reflekton në mënyrë pozitive, sidomos kur efektet e rritjes së këtyre borxhetve nuk japin rezultatet e tyre në të mirë të mirëqenjes së qytetarëve.

Gazeta Fjala: A mjafton rritja ekonomike  aktuale për përmirsimin e gjendjës socio-ekonomike në vend?

Hadergjonaj: Kosova ka pasur një rritje ekonomike mesatare prej 4% në këto vitet e fundit.  Sipas projeksioneve është paraparë që edhe në vitin e ardhshëm  ritmi i rritjes ekonomike të jetë në këtë trend të rritjes prej 4%, por në Kosovë ka nevojë të ketë një rritje më të lartë ekonomike për të ndikuar në zhvillimin ekonomik, në rritjen e punësimit në vend. Kosova ka nevojë për një rritje më të lartë që do të kishte ndikim në përmirësimin e përgjithshëm të gjendjes ekonomiko-sociale. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistehadergjonaj-ldk-i-pranoi-te-gjitha-kerkesat-e-pdk-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala