Intervistë|Ferdi Kamberi tregon arsyet e vetëvrasjeve në burgje

Autori:Fitnete Rrahimi

kamberi

Mbi 1,700 të burgosur vuajnë dënimet e tyre në burgjet e Kosovës për vepra nga më të ndryshmet. Këto të fundit, shpesh shoqërohen me dënime të gjata, të cilat në situata depresive edhe bëhen shkas që të burgosurit të kryejnë vetëvrasje.

Vetëvrasjet sipas sociologëve vijnë si rezultat i depresionit, mungesës së rehabilitimit e adaptimit social. Kështu tregon Ferdi Kamberi sociolog, në një intervistë për Gazetën Fjala.

“… studimet tregojnë se ka raste të shumta, kur të burgosurit përfundojnë në vetëvrasje, e kjo si rezultat i disa faktorëve: problemeve të depresionit, mungesës së rehabilitimit dhe adaptimit social, problemeve me neuroza dhe psikoza, izolimit social, presionit nga grupet brenda burgut, ndjenja e fajit për krimin e bërë, përdhunimet brenda burgut, “shokut të izolimit” sidomos nga ata që për herë të parë kanë kryer donjë krim, e të tjera”, thotë Kamberi.

Vrasjet të cilat po ndodhin në burgjet e Kosovës, siç ishte i fundit rasti i aktivistit të Lëvizjës Vetëvendosje, Astrit Deharit, i cili ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, Kamberi thotë se i japin imazh negativ Kosovës.

“…Kurse, vrasjet të cilat ndodhin në burgjet e Kosovës, mund të jenë një imazh shumë negativ për shtetin e Kosovës për shkak se burgu si institucion korrektues ka për obligim të ofrojë një siguri sa më të mirë dhe trajtim të barabartë për të gjithë të burgosurit”, shpjegon sociologu.

Kamberi poashtu tregon edhe hapat të cilat duhet të ndërrmarrin institucionet për sigurinë e të burgosurëve në Kosovë, si dhe bën një pasqyrë të burgjeve në shtetet e zhvilluara, që tregon se jemi larg tyre.

Gazeta Fjala: Cilat janë arsyet që i bëjnë të burgosurit të kryejnë vetëvrasje?

Ferdi Kamberi: Burgjet konsiderohen si institucionet korrektuese në të cilën janë të mbyllur (izoluar) të gjithë personat të cilat kanë shkelur ligjin (kanë kryer krime). Sipas fjalorit të Oxfordit burgu konsiderohet si një ndërtesë në të cilën njerëzit mbahen ligjërisht si rezultat i ndëshkimit për një krim që ka kryer ose presin për tu gjykuar për krimet e bëra. Si institucion burgu ekziston në të gjitha kulturat dhe shoqëritë. Përderisa disa shtetet kanë dënimin me vdekje dhe ai mund të jetë qoftë përmes ekzekutimit ose burgimit të përjetshëm, disa shtete tjera kanë burgimin me maksimum të viteve.

Kosova sipas kodit penal ka dënimin të përjetshëm (afatgjatë). Njerëzit e burgosur gjatë qëndrimit në të shpeshherë kanë probleme dhe shpërfaqin konflikte të ndryshme. Po ashtu, si rezultat i faktorëve të ndryshëm ata mund të vrasin vetën e tyre, por edhe të lëndojnë njëri – tjetrin. Sido që të jetë, studimet tregojnë se ka raste të shumta, kur të burgosurit përfundojnë në vetëvrasje, e kjo si rezultat i disa faktorëve: problemeve të depresionit, mungesës së rehabilitimit dhe adaptimit social, problemeve me neuroza dhe psikoza, izolimit social, presionit nga grupet brenda burgut, ndjenja e fajit për krimin e bërë, përdhunimet brenda burgut, “shokut të izolimit” sidomos nga ata që për herë të parë kanë kryer donjë krim, e të tjera.

Gazeta Fjala: Çfarë masash duhet ndërrmarr institucionet në këto raste?

Kamberi: Si institucion korrektues/disiplinues burgu ka për qëllim që personat të cilat kanë bërë krime të disiplinohen dhe pastaj të ri-socializohen dhe të kenë një integrim shoqëror. Andaj, ky institucion ka për obligim që gjatë qëndrimit të personave në të, të kujdeset për ta në kuptimin e sigurisë, ushqimit, shëndet, veshmbathjes, mjekimit, psikologut, si elementeve të tjera të cilat janë të përcaktuara me ligj.
Gazeta Fjala: Si i vlerësoni vdekjet e tilla brenda burgjeve?

Kamberi: Vdekjet të cilat ndodhin në burgjet e Kosovës, mund të jenë një imazh shumë negativ për shtetin e Kosovës për shkak se burgu si institucion korrektues ka për obligim të ofrojë një siguri sa më të mirë dhe trajtim të barabartë për të gjithë të burgosurit. Në këtë drejtim, institucionet e burgjeve duhet të jenë sa më vigjilentë dhe të ofrojnë një ambient të sigurt për të gjithë personat e burgosur pa dallime, sepse tek e fundit përgjegjësia bie mbi ta.
Gazeta Fjala: A mendoni se siguria në burgje është në nivelin e duhur?

Kamberi: Sa i përket ofrimit të sigurisë në burgje, informatat të cilat janë edhe për publikun e gjerë janë nga ana e MD-së dhe sipas tyre gjendja e sigurisë relativisht është e mirë. Edhe pse shpeshherë është raportuar nga mediet se të burgosurit shpeshherë kanë futur në burgje celularë, droga të ndryshme, etj, gjë që mund të pengojnë sigurinë e të burgosurve të tjerë.
Gazeta Fjala: Çka mendoni për trajtimin e të burgosurve brenda burgut, a u ofrohen kushtet e nevojshme?

Kamberi: Sa i përket trajtimit të të burgosurve, ne nuk kemi ndonjë studim të specifikuar në këtë fushë. Mirëpo, në bazë të raporteve nga MD dhe OSCE, si dhe institucioneve të tjera relevante, konform legjislacionit në fuqi, të burgosurit trajtohen mirë. Megjithëse, ka nevojë për më shumë hapësirë të ri-socializimit dhe një kontrolle më të madhe tek të burgosurit.
Gazeta Fjala: Cilat janë mangësitë e burgjeve të Kosovës në raport me vendet tjera?

Kamberi: Në shtetet e zhvilluara, burgjet si institucione janë të mirëmbajtura dhe kanë siguri të nivelit shumë të lartë, secili pavijon ka specifikat e tij, ka sigurinë, kamerat, shërbimet që ofrohen dhe ato menaxhohen shumë mirë. Në Kosovë ende ka nevojë që të bëhen përmirësime në fushën e manaxhimit më të mirë të burgjeve qoftë përmes rritjes më të madhe të aspektit të sigurisë, kontrollit, zhvillimit të aktiviteteve më shumë sociale, këndin e librave, stimulimin e të burgosurve që të merren me aktivitete sportive dhe kulturore, etj.
Gazeta Fjala: Çfarë masash duhet të ndërrmerren që vetëvrasjet brenda burgjeve të shuhen?

Kamberi: Sa i përket parandalimit të vetëvrasjes ajo nuk mund të parandalohet, sepse ajo nuk mund të dihet, por institucionet duhet të ofrojnë përveç sigurisë edhe aspektin e ri-socializimit, komunikimin me psikologët apo psikiatrit e ndryshëm, në mënyrë që problemet të cilat i kanë të burgosurit qofshin ato fizike apo shpirtërore të ndajnë me të tjetër, në atë drejtim që institucionet në fjalë të marrin masa adekuate më herët. Në këtë drejtim, institucionet e burgjeve duhet të jenë sa më vigjilentë dhe të ofrojnë një ambient të sigurt për të gjithë personat e burgosur pa dallime, sepse tek e fundit përgjegjësia bie mbi ta. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervisteferdi-kamberi-tregon-arsyet-e-vetvrasjeve-ne-burgje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala