Intervistë|Dukagjin Popovci: Sistemi i arsimit ka dështuar

Autori:Gazeta Fjala

dukagjin pupovci

Fajin kryesor pse nxënësit kosovarë janë ranguar në fundin e tabelës nga Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), ekspertët e arsimit, ia hedhin të gjithë ministrave që kanë drejtuar e vazhdojnë të drejtojnë Ministrinë e Arsimit.

Dukagjin Popovci ekspert i arsimit, në një intervistë për Gazetën Fjala thotë se ky rezultat vlerësimi është punë 15 vjeçare në arsim.

“… Ky është rezultat i një periudhe, të paktën 15-vjeçare, të zhvillimi të arsimit në Kosovë dhe nuk është e mundur t’i atribuohet një personi, edhe pse është e qartë se përgjegjësia më e madhe bjen mbi ministritë e njëpasnjëshme të arsimit. Ka dështuar i tërë sistemi”, ka thënë Popovci.

Motive tjera që duket të kenë ndikuar në këtë vlerësim negativ sipas Popovcit janë edhe testet kombëtare të cilat nuk shkojnë në bazë të rregullave, e mësimdhënësit e papërgatitur.

“..degradimi i arsimit të lartë ka ndikuar që ditarin në dorë ta marrin njerëz që nuk kanë përgatitje profesionale të duhur. Pastaj, një kohë të gjatë janë fshehur problemet, duke paraqitur pasqyrë të rreme të cilësisë në shkolla, shpesh për qëllime elektorale. Pasqyrë të gabuar kanë dhënë edhe testet kombëtare, për shkak të pranisë masive të kopjimit”, deklaron Popovci.

Ndërsa që të priten rezultate pozitive më tutje në arsim sipas Popovcit, nevojiten 18 milionë euro, të cilat duhet t’i siguroj Qeveria.

Gazeta Fjala: A keni besuar se Kosova do të mbetej kaq poshtë në testin PISA?

Dukagjin Popovci: PISA mbahet nga vitit 2000 dhe të gjitha vendet e Ballkanit kanë qenë të ranguara shumë poshtë kur kanë hy për herë të parë. Prandaj, rangimin nuk e kam pasë aq problem. Por, ajo që brengos është përqindja tejet e madhe e nxënësve që kanë nuk kanë demonstruar nivelin minimal të aftësive për t’i zbatuar njohuritë e veta në praktikë – 77% në lexim, 78% në matematikë dhe 68% në shkenca të natyrës. Në vendet e OECD nxënësit e kësaj kategorie përbëjnë 20%-shin e të gjithë nxënësve.

Gazeta Fjala: Kush është fajtori? A do të thotë se deri tani është investuar gabimisht në arsim?

Popovci: Ky është rezultat i një periudhe, të paktën 15-vjeçare, të zhvillimi të arsimit në Kosovë dhe nuk është e mundur t’i atribuohet një personi, edhe pse është e qartë se përgjegjësia më e madhe bjen mbi ministritë e njëpasnjëshme të arsimit. Ka dështuar i tërë sistemi. Që në fillim të këtij shekulli janë shuar sistemet e sigurimit të cilësisë që i kemi pasur, si entet pedagogjike, ndërsa nga shkollat janë larguar pedagogët. Kështu, mësimdhënësit janë lënë pa asnjë mbështetje profesionale dhe pa asnjë mbikëqyrje. Pastaj, punësimet politike e kanë berë të veten, sidomos emërimet politike të drejtorëve. Degradimi i arsimit të lartë ka ndikuar që ditarin në dorë ta marrin njerëz që nuk kanë përgatitje profesionale të duhur. Pastaj, një kohë të gjatë janë fshehur problemet, duke paraqitur pasqyrë të rreme të cilësisë në shkolla, shpesh për qëllime elektorale. Pasqyrë të gabuar kanë dhënë edhe testet kombëtare, për shkak të pranisë masive të kopjimit.

Gazeta Fjala: Cilat do të duhej të ishin masat emergjente?

Popovci: Duhet të vendoset urgjentisht një sistem i mirëfilltë i llogaridhënies, prej shkollës deri tek ministria. Shkollës i takon t’u ofrojë nxënësve mësimdhënie cilësore, komunës ta mbështesë këtë proces, ndërsa Ministrisë së Arsimit të ushtrojë kontrollin që shërben si bazë për llogaridhënie. Po ashtu, Ministria do të duhej ta eliminonte kopjimin dhe mashtrimin nga testet kombëtare që askush të mos shpresojë se do ta përfundojë nivelin asrimor pa mësuar. Kjo nidkon, pastaj, edhe tek shkollat.

Gazeta Fjala: A ekziston ndonjë vlerësim për nevojat në sistemin arsimor?

Popovci: Jo që ekziston vlerësim i nevojave, por ekziston edhe Strategjia e cila është aprovuar këto ditë për periudhën 5-vjeçare vijuese. Mbi një vit është punuar në këtë dokument dhe ai përmban të gjitha llojet e aktiviteteve që duhet të ndërmirren për ta përmirësuar cilësinë e arsimit. Nuk ka asnjë arsyetim më që kjo Strategji të mos implementohet.

Gazeta Fjala: A qëndron arsyetimi se Kosova ka arsimim të dobët si rezultat i sapo përfundimit të luftës?

Popovci: Tani, Kosova, si edhe vendet e tjera të bllokut socialist, ka trashëguar një sistem të tipit sovjetik, ku riprodhimi i njohurive dhe memorizimi kanë qenë kërkesat primare. Me këtë sistem, paksa të reformuar, ka dalë nga lufta. Kërkesat e shekullit XXI janë të tjera. Në vitin 2000 në Kosovë nuk ka pasur asnjë informacion reth këtyre kërkesave, ndërkohë që shtetet tjera kanë hy në testin e parë PISA. Mirëpo, ka kaluar një periudhë 15-vjeçare prej atëherë, e cila, sa po shihet, nuk është shfrytëzuar si duhet. Këtu qëndron dështimi ynë si shoqëri.

Gazeta Fjala: Ju keni qenë të angazhuar për trajnim të mësimdhënësve në Kosovë. Duket se nuk kanë dhënë efekt trajnimet. Përse?

Popovci: Ju faleminderit për këtë pyetje. Pas shpalljes së rezultateve zhgënjyese të testit PISA, ka pasur mjaft kritika për joefektivitetin e trajnimeve, prandaj edhe dua ta shpjegoj këtë. Programet e trajnimit në Kosovë janë, kryesisht, programe ndërkombëtare ose të zhvilluara me ndihmë ndërkombëtare dhe ato implmenetohen nga organizata të shumëta vendore dhe ndërkombëtare.
Shumica e këtyre programeve janë të akredituara nga Ministria e Arsimit. Jo të gjitha programet janë të orientuara kah cilësia e mësimdhënies – ka trajnime për të drejtat e fëmijës, parandalim të dhunës e të ngjashme. Pjesëmarrja në këto trajnime është vullnetare dhe aty vinë mësimdhënësit e punësuar në shkolla, kryesisht në ditë të fundjavës. Bëhet fjalë për mësimdhënës të kualifikuar, me përvojë më të gjatë ose më të shkurtër të punës. Pra, këta njerëz sjellin aty një përvojë pune, nuk janë nxënës.
Gjatë trajnimit, i cili është, kryesisht, 2-3 ditor, ata njihen me metoda të reja të mësimdhënies, me qasje të reja pedagogjike. Dikush i përvetëson më shumë, dikush më pak; një kategori shprehin më shumë interesim për shfrytëzimin e njohurive të trajnimit në klasë, të tjerët më pak.
Unë lejoj mundësinë që disa trajnime të mos jenë cilësore, por atëherë, po supozoj se kjo do të reflektohej në fletëvlerësime të trajnimtt që, zakonisht, përmbajnë nota të larta të dhëna nga pjesëmarrësit. Ka vite që në Qendrën për Arsim të Kosovës, e cila zhvilon mjaft trajnime, kemi vërejtur se efektet e programeve të trajnimit nuk janë të qëndrueshme, se njerëzit po i përvetësojnë metodat, por një numër i konsiderushëm nuk po i zbatojnë ato në masë dhe në mënyrë të duhur.
Kohëve të fundit kemi promovuar trajnimin me bazë në shkollë, duke shpresuar se kjo do ta mobilizojë gjithë kolektivin që t’i përvetësojë dhe t’i zbatojë metodat bashkëkohore të mësimit në klasë. Tani është duke u bërë vlerësimi i efekteve të këtyre trajnimeve nga USAID dhe do të shohim se cilat do të jenë rekomandimet. Sido që të jetë, nevoja për trajnime do të jetë e vazhdueshme, pasi mësimdhënësit kanë nevojë për t’i freskuar njohuritë dhe shkathesitë e veta. Tani duhet bërë më shumë kujdes që ato të reflektohen në rezultatet e nxënësve në klasë, duke punuar me shkollat edhe pas përfundimit të trajnimit, gjë që shumica e ofertuesve të trajnimit nuk e bëjnë.

Gazeta Fjala: Sa kohë do ti duhej Kosovës për të arritur në nivel me rajonin dhe vendet Evropës, nesë nga sot fillohet të punohet seriozisht në arsim?

Popovci: Sipas rezultateve të testit PISA, nxënësit tonë janë 3 vjet shkollimi prapa në raport me mesataren e OECD, ndërsa 1-2 vite shkollimi prapa në raport me nxënësit nga Shqipëria dhe Maqedonia, varësisht nga disiplina. Pavarësisht kësaj, të gjitha shtetet synojnë përmirësimin, edhe ata që janë para nesh. Prandaj, kjo do të jetë një garë e gjatë, një maratonë në të cilën nuk guxojmë të ndalemi. Nuk pres përmirësime të dukshme në PISA 2018 në raport me vendet tjera, por duhet të përmirësohemi në raport me vitin 2015. Për këtë qëllim duhet analizuar mirë rezultatet e testit të tanishëm për të parë se ku janë anomalitë dhe ku duhet të përmirësohemi.

Gazeta Fjala: Sa do të duhej të ishte buxheti minimal ne arsim, për të pritur rezultate pozitive?

Popovci: Edhe ky është një vendim i rëndësishëm politik që duhet të merret. Buxheti i arsimit në Kosovë është i tejngarkuar me paga. Janë marrë para që kanë qenë të dedikuara për shpenzime operative për t’i realizuar premtimet e fushatës zgjedhore për rritje pagash. Tani, ekziston një boshllëk prej 11 mil. EUR vetëm për shpenzime operative të shkollave që duhet të plotësohet. Nga ana tjetër, buxheti total përbën 4.7% të bruto-produktit vendor që është pak, pasi kemi numër të madh të fëmijëve në sistem të arsimit. Për zbatimin e Strategjisë së aprovuar këto ditë nevojiten, mesatarisht, 18 mil. EUR “të freskëta” në vit dhe është detyrë e Qeverisë që këto t’i sigurojë. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistedukagjin-popovci-sistemi-i-arsimit-ka-deshtuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala