Intervistë|Dragisha Miric: Vuçiç ti nderoj viktimat në Kosovë

Autori:Zekirja Shabani

shkau

Që kur deputetët nga Lista Serbe janë larguar nga Kuvendi e ministrat nga Qeveria e Kosovës, nga ku marrin paga, serbët e Kosovës kanë mbetur pa përfaqësues në institucione.

“Kjo është hipokrizi”, thotë një ish deputet nga komuniteti serb, që po synon ti bëj bashkë serbët e Kosovës qoftë edhe kundër politikës së gabuar të Serbisë ndaj tyre.

Dragisha Miric, kryetar i Partisë së re të Kosovës, në një intervistë për Gazetën Fjala vlerëson se duhet ta njohin mentalitetin e shqiptarëve dhe serbëve.

Këtë sipas tij nuk po e bën Lista Serbe, e cila dyshon se po e manipulon edhe Beogradin me qasje të gabuar ndaj Kosovës.

“Lista Serbe nuk është legjitime. Deputetët e kësaj partie nuk punojnë me kokën e vet dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës punojnë me kokë të Beogradit. Kjo nuk është aspak e mirë”, thotë Miric.

Për këtë, mendon se politika e ndjekur nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes kësaj partie në Kosovë është e gabuar.

“Ai ka vepruar mirë duke u përkulur para të rënëve në Srebrenicë. Për secilën viktimë duhet ndjerë keqardhje, pavarësisht kush janë. Kjo është njëra. Ndërsa ana tjetër është se ai dëshiron pajtim me gjithë rajonin, me Malin e Zi, Kosovën, Kroacinë… por Vucic nuk e njeh situatën në Kosovë. Atë e mashtron Lista Serbe”.

Por përse nuk e ka bërë një gjë të tillë edhe në Kosovë?

“Mendoj se duhet të vijë dhe ti nderoi të gjitha viktimat. Kjo nuk është aspak turp dhe është njerëzore”, thotë Miric, derisa kujton se asnjë lider serb në Kosovë deri më tani nuk ka thënë asnjë fjalë për viktimat.

“Viktima ka pasur në të dyja palët. Është dashur të ndodhë (kërkimfalja). Them si Dragisha Miric, do të shkoj në secilin varr ku ka humbur jetë një qytetarë i pafajshëm, kushdo qoftë ai, shqiptar, rom, ashkali, turk, a serb”.

Miric: Serbët ta ndërtojnë të ardhmen në Kosovë

Kjo është një mënyrë që të dyja palët, sipas tij ta lënë pas atë cfarë ka ndodhur dhe të përqëndrohen në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

“Ne serbët e Kosovës jemi autokton që dëshirojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë, të punojmë dhe të jetojmë me fqinjët tanë shqiptar. Unë i lus edhe zotëri Vucic edhe zotëri Mustafën të gjejnë një model për ta zgjidhur këtë problem”, thotë Miriç duke aluduar në problemin e krijuar pas vendimit të Listës Serbe që të ngrijë pozicionin e vet në institucionet e Kosovës.

Krejt kjo ka ardhur pas ligjit për Trepçën, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, që ia kthen atë Qeverisë së Kosovës, e që për Qeverinë e Serbisë është e pa pranueshme.

Por, Miric thotë se problemi qëndron tek marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel për të cilat qytetarët shumë pak kanë informacion.

Sikur të ishin më transparent palët nga të dyja anët, ai mendon se nuk do të kishte asnjë telash dhe për këtë fton kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën dhe atë të Serbisë Vucic që ta zgjidhin këtë problem.

“Vuqiq e ka pranuar marrëveshjene Brukselit dhe ka pranuar që pjesa veriore, Mitrovica, Leposaviq e pjesa tjetër të integrohen në shoqërinë e Kosovës. Për Trepcën dhe problemet tjera ekonomike na kanë futur në konfuzion dhe ne nuk e dim cfarë kanë nëskruar. Le të dalin të sqarojnë dhe të ecim përpara pasi nuk kemi kohë të humbim”, thotë ai.

Kjo situatë, Miric vlerëson se po krijohet për interesa politike dhe aspak në dobi të kominitetit serb në Kosovë.

“Unë ende pyes përse serbët nuk mund të dalin lirë në Prishtinë apo të ndonjë qytet tjetër. Përse nuk luajnë serbët dhe shqiptarët futboll sëbashku. Kjo është përgjegjësi e udhëheqësve të të dyja palëve”.

“Serbët i kanë pranuar institucionet e Kosovës, ata punojnë në institucionet e Kosovës. Nuk ka asnjë problem tek qytetarët që të dalin të jetojnë normal. Por krejt është tek udhëheqësit tanë në kualicion me partitë udhëheqëse shqiptare”.

Njëjtë mendon edhe për shqiptarët të cilët nuk mund të shkojnë në veri të vendit.

“Ekziston një marrëveshje për të integruar këtë pjesë dhe përse Isa Mustafa e Vuçiç nuk i arrstojnë kriminelët që pengojnë integrimin. Ata nuk po ju garantojnë qytetarëve një ambient të sigurt. Kriminelët duhet të shkojnë në burg”, thotë Miric.

Kreu i Partisë së re të Kosovës, duket se e ka marrë shumë seriozisht bashkimin e serbëve në vend në një koalicion dhe kanë qëllim primar komunitetin dhe tashmë ka filluar bisedimet me shumë lider të partive serbe në Kosovë.

“Kjo mund të ndodhë nëse në zgjedhjet e ardhshme të gjitha partitë e regjistruara në Kosovë, vendosin në lista serb kompetent të cilët kanë jetuar gjithnjë në Kosovë. Në këtë mënyrë serbët dhe shqiptarët jetojnë qetë ndërsa Kosova dhe Serbia zgjidhin problemte përmes Brukselit”.

Tani për tani ai thotë se deputetët dhe ministrat nuk punojnë asgjë për serbët.

“Unë dua që të krijojmë një ambient ku fëmijët e mi do të rriten bashkë me shqiptarët, serbët, e të gjithë komunitetet tjera. Jemi në shekullin 21 dhe të gjithë aspirojmë Bashkimin Evropian. besomëni se kur të hapen kufijt, askush nuk do të pyet nëse je serb a shqiptar”, thotë Maric duke kërkuar që të harrohet retorika që i ndanë serbët dhe shqiptarët./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistedragisha-miric-vucic-ti-nderoj-viktimat-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala