Intervistë| Deputeti i akuzuar për terrorizëm: Gjykatësi kriminel po na mban në arrest

Autori:Gazeta Fjala

frasher-krasniqi-650x358

Ka një vit që anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, mbahet në arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm. Por, ai ka fituar besimin e popullit që të jetë deputet në Kuvendin e Kosovës për katër vitet e ardhshme.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ai tregon se si do të marrë pjesë në seancat e legjislativit, ndërsa paralajmëron masa ndaj prokurorit Abdurrahim Islami dhe gjykatësit Beqir Kalludra, për fajin e të cilëve thotë se po mbahet i izoluar.

Të dy ai thotë se do të kenë përgjegjësi penale kurdo që partia e tij të vijë në pushtet.

Sipas Krasniqit, fajtor për tërë rastin e tij është prokurori Islami. Derisa, nuk heziton ta quaj edhe kriminel.

“Ai ka uzurpuar pronë publike, ka shkatërruar prova në raste të rënda kriminale, është ngritur në detyrë jashtëligjshëm, etj.”

Ndërsa gjykatësin Beqir Kalludra e ka quajtur frikacak, pasi nuk ka guxim ta trajtojë çështjen e tij si duhet.

“Ai ka frikë nga klani Pronto dhe prandaj po na mban nën arrest tash e 1 vit”.

Deputeti i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës në këtë intervistë për Gazetën Fjala ka treguar  se do të bëjë kërkesë që të marr pjesë në çdo seancë që do të mbahet.

Mosdhënien eventuale të kësaj leje, Krasniqi e quan si shkelje të vullnetit politikë të popullit.

Ai ka folur edhe për rezultatet e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit. Dallimin mes Albin Kurtit e Visar Ymerti.  Derisa shprehet i bindur se Vetëvendosjes do të dal fitues në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

Gazeta Fjala: Deri në cilën pikë ka arritur procesi gjyqësor ndaj jush?

Krasniqi: Aktualisht ndaj nesh është ngritur aktakuza dhe më 22 gusht do të mbahet seanca gjyqësore e shqyrtimit kryesor. Procesi ndaj nesh është duke u zvarritur maksimalisht dhe qëllimisht. Ne jemi tash e 1 vit nën arrest shtëpiak, ndërsa procesi gjyqësor është në fazën fillestare të tij. Kjo zvarritje është kryekëput politike. Gjykata nuk po procedon më shpejt në këtë proces sepse sa më afër përmbylljes së tij aq më afër jemi me lirimin tonë. Ne jemi të pafajshëm dhe këtë e di edhe Gjykata, prandaj nuk po dëshiron të vazhdojë me seanca dhe ta përfundoj këtë rast në favorin tonë.

Gazeta Fjala: Si do ta kryeni punën e deputetit nga arresti shtëpiak?

Krasniqi:  Ende nuk e di se si do të zhvillohen gjërat. Normalisht që unë do të kërkoj leje nga gjykata sapo të kemi datën e konstituimit të Kuvendit dhe këtë praktikë do ta bëjë për çdo seancë dhe çdo mbledhje ku unë duhet të marrë pjesë.

Mosdhënia eventuale e lejes për të marrë punën e Kuvendit do të ishte shkelje nga ana e gjykatës e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës. Prandaj unë pres që gjykata të reflektojë dhe të më jap leje për pjesëmarrje në seanca.

Gazeta Fjala: Nëse Lëvizja Vetëvendosje do e krijon qeverinë a do t’ju liroj nga aktakuza?

Krasniqi: Sistemi i drejtësisë nën qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s asnjëherë nuk do të montojë procese gjyqësore për synime politike apo për të luftuar kundërshtarët politikë. Në këtë kontekst, Lëvizja VETËVENDOSJE! do ti përmirësojë gabimet e pushtetit të kaluar, jo sepse bëhet fjalë për aktivistët e saj, por sepse drejtësia duhet të vihet në vend, pavarësisht përkatësisht partiake apo çfarëdo tjetër.

Gazeta Fjala: Letra juaj të cilën ia keni drejtuar personave të cilët e kanë udhëhequr procesin tuaj gjyqësor a nënkupton një presion ndaj tyre në punën që ata bëjnë e po ashtu nxitje të urrejtjes tek populli ndaj institucioneve?

Krasniqi: Kushdo që e lexon me vëmendje dhe pa tendenca montuese këtë aktakuzë dhe të gjitha dokumentat e dosjes, e ka të lehtë ta kuptojë pafajësinë tonë. Këtë e di edhe prokurori. Ai e vonoi ngritjen e aktakuzës pikërisht ngase nuk kishte prova të mjaftueshme për ta ngritur, dhe priste forenzikën se mos po i jep diçka të vlefshme.

Sot ky prokuror dhe shefat e tij, që kanë shpresuar që opinioni publik do t’i besojë mashtrimet e tyre, kanë ardhur edhe vetë në përfundim që ky rast do të dështojë. Dhe në fund, kuptohet, ne do të shpallemi të pafajshëm, siç edhe jemi. Por nëse mendoni që kjo do të përfundojë me kaq, atëherë e keni gabim. Ju do të kërkoni që të tërhiqeni nga ky rast, por ne nuk do të tërhiqemi.

Nuk do të vonojë shumë, dita kur ky prokuror, shefat e tij politikanë, dhe të gjithë ata policë pjesëmarrës në këtë montim, do të ulen sërish në këtë sallë. Por kësaj radhe në ulëset ku jemi ne sot. Do të akuzohen e gjykohen për montimin më të ulët dhe më tragjik në historinë e vonë të Kosovës. Do të akuzohen e gjykohen për montimin e një rasti që qoi në vdekjen studentit të shkëlqyeshëm të mjekësisë, aktivistit politik, qytetarit besnik të Republikës sonë, Astrit Deharit.

Ne jemi të pafajshëm dhe këtë e di populli i Kosovës. Nuk na intereson dhe as që brengosemi nëse ju do të na dënoni ose jo. Ju jeni gjykatë e një shteti të kapur, që i shërben interesave të klanit Pronto dhe Isa Mustafës, por përmbi ju është një gjykatë tjetër shumë e ashpër dhe e pafalshme. Ajo gjykatë nuk bën montime e as gabime. Emrat që mbeten në atë gjykatë nuk shlyhen më kurrë. Ajo është historia. E nëse asnjë tjetër, kjo gjykatë gjithësesi që do të merret me ju. Emrat tuaj do të mbesin të pashlyeshëm si personifikues të saervilizmit ndaj një pushteti kriminal, që monton raste dhe mban padrejtësisht të rinj e të reja nëpër burgje. Sa herë që do të përmendet emri i Astrit Deharit, e besomëni që ky emër do të përmendet shumë shpesh dhe shumë gjatë… pra, sa herë që përmendet ky emër, do të përmenden edhe emrat tuaj. Sepse Astrit Dehari vdiq në duart tuaja, nga montimet tuaja.stitucioneve?

Prokurorët dhe gjykatësit që e kanë persekutua politikisht në vazhdimësi Lëvizjen VETËVENDOSJE! janë të kapur dhe shantazhueshëm nga klani Pronto. Këtë nuk po e themi ne. Kjo është faktuar me videoinçizime dhe dëshmi të tjera të vazhdueshme. Kështuqë nuk mund të sillemi me këta prokurorë e gjykatës siç do të duhej të silleshim me prokurorët e gjykatësit e pavarur, të cilët nuk e shfrytëzojnë punën e tyre për të persekutuar politikisht kundërshatrët e pushtetit.

Unë nuk kam gënjyer asgjë në fjalën time. Prokurori Abdurrahim Islami është njëri nga përgjegjësit për vdekjen e shokut tonë Astritit. Ai e ka mbajtu në burg Astritin pa asnjë fakt e pa asnjë provë. E ka mbajtur në burg për shkak të një fotografie në Facebook!

Kanë dalë ndërkohë disa raporte mediale që dëshmojnë se ky prokuror është i përfshirë edhe në krime të tjera. Ai ka uzurpuar pronë publike, ka shkatërruar prova në raste të rënda kriminale, është ngritur në detyrë jashtëligjshëm, etj. Pra është fjala për një kriminel i cili është përgjegjës për krejt montimin politik që na e kanë bërë ne.

Në anën tjetër, Gjykatësi Beqir Kalludra është frikacak që nuk ka guxim ta trajtojë këtë çështje ashtu siç duhet. Ai ka frikë nga klani Pronto dhe prandaj po na mban nën arrest tash e 1 vit.

Gazeta Fjala: Çfarë nëse gjykata ju shpall të fajshëm në aktakuzën që ju është ngritur? Si do të veproni pas këtij vendimi?

Krasniqi: Nëse gjykata do të na shpallte neve të fajshëm, atëherë ky do të përbënte precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për drejtësinë në Kosovë. Pafajësia jonë është dëshmuar në mënyrë absolute, nga vetë dokumentet e prokurorisë dhe provat e paraqitura aty. Dënimi ynë do të nënkuptonte që gjykatat në Kosovë mund ta dënojnë kë të duan, pa asnjë provë dhe asnjë fakt. Kjo do të përbënte përmbysje totale të sistemit të drejtësisë.

Nuk e di si do të vepronim, por e di që rasti ynë është një shancë që sistemi i drejtësisë të funksionojë i pavarur nga urdhrat e klanit Pronto.

Me vazhdimin e këtij rasti, prokurori Abdurrahim Islami por edhe gjykatësi Beqir Kalludra, do të mbajnë përgjegjësi penale kurdo që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vijë në pushtet.

Gazeta Fjala:  Pse Vetëvendosje nuk doli fituese pavarësisht rritjes së saj?

Krasniqi: Në fakt LV është fitues i zgjedhjeve të fundit. LV nuk kishte thjeshtë rritje. Kishte dyfishim. Po ashtu, ne u renditëm si partia e parë politike në vend.

Fitorja dhe qeverisja e Lëvizjes është bërë tashmë e pashmangshme pavarësisht se a do të ndodh tash apo pas 1-2 vjetësh. E ardhmja e Kosovës tashmë është përcaktuar me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në krye të shtetit tonë.

Gazeta Fjala:  Vetëvendosje, a më mirë nën drejtimin e Visar Ymerit apo Albin Kurtit?

Krasniqi: Veçantia e LV, që e dallon këtë nga të gjitha subjektet e tjera në Kosovë e madje edhe në rajon, është puna e përbashkët, e cila nuk mund të reduktohet asnjëherë në një individ të vetëm. Secili person në Lëvizje e kryen punën e tij dhe e jep kontributin e vet. Normalisht që ka dallime në mes të kontributit të personave të ndryshëm, por sidoqoftë, ky prap është kontribut i përbashkët edhe nëse nuk është i barabartë.

Sukseset e vazhdueshme të LV, qoftë duke i ndalur proceset e dëmshme me protesta e demonstrata, qoftë duke ndërtuar organizatë të fuqishme e qoftë duke dale subjekti më i votuar në Kosovë, flasin për punë shumë të madhe të të gjithë aktivistëve të saj, por edhe për drejtim shumë të mirë të Lëvizjes, nga drejtuesit e saj.

Gazeta Fjala: Sipas juve nëse do të mbahen zgjedhje nacionale tani, a do të ngritje Vetëvendosje apo do të pësonte rënie?

Krasniqi: Rritja e LV është bërë e pashmangshme. Nuk ka aspak rëndësi tashmë se kur mbahen zgjedhjet, tash apo më vonë. LV është duke u përgatitur për fitoren e radhës në zgjedhje lokale. Koha e qeverisjes së klanit pronto, edhe në nivel lokal, po përfundon, duke i lënë udhë një kohe tjetër për Kosovën. Kohës së zhvillimit ekonomik, drejtësisë, barazisë dhe mirëqenies. /Gazeta Fjala/ (Alberta Hashani).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervistedeputeti-i-akuzuar-per-terrorizem-gjykatesi-kriminel-po-na-mban-ne-arrest/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala