Intervistë| Avni Kastrati: Bahtiri dyshohet për shpërlarje të parave

Autori:Gazeta Fjala

avni

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit dyshohet se është ëprfshirë në shpërlarje të parave. Kështu po e akuzon kreu i Partisë Demokratikë të Kosovës, në Mitrovicë, Avni Kastrati, i cili thotë se tashmë po zhvillohen edhe hetime për këtë rast.

“… po ashtu duhet të hulumtohet arsyet e regjistrimit të 6 kompanive në emrin e Agim Bahtirit dhe bashkëpunëtoreve të tij sepse ka elemente të shpëlarjes së parasë, gjë që procesi është në fazën e hetimeve nga organet përgjegjëse”, thotë Kastrati në një intervistë për Gazetën Fjala.

Kastrati, që mbanë postin e zëvendës ministrit të Tregtisë dhe Industrisë drejton një varg akuzash ndaj të parit të komunës  për parregullësi e keqpërdorime të parasë publike.

Qytetarët e Mitrovicës, sipas tij nuk ia kanë parë hajrin premtimeve për punësim e përmirësim të mirëqenies.

Më së shumti sipas tij, ka fituar vetë Bahtiri, që vetëm për qera të Fabrikës së Këpurdhave merr 2,500 euro në muajt.

Në këtë intervistë, Kastrati  tregon se pse është larguar nga agjenda e Qeverisë së Kosovës projekti i Brezovicës dhe cili do të jetë fati i ndërrmarrjes “Trepça”.

Gazeta Fjala: Akuza e kundër akuza janë shkëmbyer mes jush dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Çfarë po ndodh mes jush?

Kastrati: Partia Demokratike e Kosovës dega në Mitrovicë duke parë premtimet megalomane të Agim Bahtirit ka shprehur gjithmonë shqetësimet e veta dhe ka qenë zëri i qytetarëve në paraqitjen e realitetit për keq qeverisjes dhe mos përmbushjes së premtimeve të dhëna gjatë fushatës. Është fatkeqësi që në krye të Komunës së Mitrovicës ka ardhur një kryetar me shkollim të mesëm i cili nuk i njeh kompetencat e kryetarit dhe i cili nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet e dhëna. Ju besoj e keni dokumentin zyrtarë të Institutit GAP drejtuar kryetarit me premtimet e dhëna ku mund të shihni se sa larg është realizimit të tyre.

Ne si opozitë në Mitrovicë nuk mund të rrimë duarkryq karshi keqpërdorimeve, korrupsionit dhe keq qeverisjes së AKR-së dhe LDK-së në Mitrovicë sepse e kemi obligim qytetar dhe moral si banorë të këti qyteti.

Ne nuk do të ndalemi duke kërkuar përgjegjësi qytetare për premtimet të cilat tani janë të gjitha mashtrime të vërtetuara.

Gazeta Fjala: Çfarë nuk po funksionon në Mitrovicë?

Kastrati: Prej ardhjes në pushtet të Agim Bahtirit dhe LDK-së në Mitrovicë nuk ka asnjë zhvillim i cili ka rrjedhur nga iniciativa e këtyre subjekteve politike. Të gjitha projektit duke filluar nga sheshi i qytetit, palestra, qendra multi-funksionale janë punë që janë filluar nga PDK dhe kjo qeverisje jo që i ka vazhduar por i ka penguar duke i zvarritur me vite të tëra.  Ne në vazhdimësi përmes komunikatave për media, reagimeve, diskutimeve në kuvendin komunal dhe rrjeteve sociale kemi prezantuar të gjitha të metat, keqpërdorimet dhe abuzimet që kanë ndodhur dhe po vazhdojnë të ndodhin edhe më tutje në Mitrovicë.  Linku për detaje: https://www.facebook.com/pdkmitrovica/?fref=ts

Gazeta Fjala: A është kjo përgatitje e juaj për ti hyrë garës për kryetar komune?

Kastrati: Unë si kryetar i degës së partisë më të madhe në Mitrovicë, po ashtu si ish kryetar i Komunës së Mitrovicë i njoh shumë mirë problemet dhe hallet e qytetarëve të Mitrovicës, konsideroj se e kam obligim qytetarë dhe moral të shërbej dhe të përfaqësoj interesin e votuesve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës.

PDK në Mitrovicë është degë e konsoliduar mirë dhe konsideroj që në çdo kohë dhe moment jemi të gatshëm të paraqesim para qytetarëve planin për qeverisjen e ardhshme të Mitrovicës, përndryshe asnjë veprim deri më tani nuk e konsideroi si përgatitje për ti hyrë garës për kryetar komune por vetëm paraqitje të shqetësimeve të qytetarëve për keq qeverisjen e komunës për 3 vite.

Gazeta Fjala: Tani Mitrovica ka një zonë industriale dhe një fabrikë më shumë nga koha kur ju keni udhëhequr. A tregon kjo se kryetari aktual është treguar më i suksesshëm?

Kastrati: Si qytetarë të këti vendi do të ishim shumë të kënaqur sikurse të shohim se kemi progres në qytet por një gjë e tillë fatkeqësisht nuk ka ndodhur.

Zona Industriale në Mitrovicë ka qenë projekt i PDK-së dhe është nënshkruar gjatë kohës kur ne ishim në qeverisje në Mitrovicë. Është fatkeqësi që nga ajo kohë e deri më tani kanë kaluar gati 4 vite dhe qeverisja e Agim Bahtirit nuk ka arritur të bëjë asnjë investim të dukshëm në këtë zonë.

Sipas marrëveshjes mes MTI-së dhe Komunës së Mitrovicës, MTI ka përmbushur marrëveshjen dhe ka investuar 400.000 € ndërsa Komuna e Mitrovicës sipas marrëveshjes ka pasur obligim ti investoj 260.000 € ndërsa ka investuar vetëm rreth 40.000€. Është fatkeqësi që për shkak të mos respektimit të kësaj marrëveshje, Komuna e Mitrovicës ka humbur 200.000 € të tjera për vitin 2016 nga MTI-ja.

Sa i përket fabrikës së kërpudhave në Mitrovicë ka shumë pikëpyetje për atë çka është premtuar dhe çfarë fabrike kemi në realitet. Është premtuar fabrika me 5500 punëtorë por në realitet kemi një fabrikë që si ka punësuar as 1% të vendeve të premtuara. Fabrika e ndërtuar është e ndërtuar nga Mabetex dhe është pronësi e Behxhet Pacollit dhe Agim Bahtiri vetë qiranë e merr nga kjo kompani prej 2500 € në muaj. Po ashtu duhet të hulumtohet arsyet e regjistrimit të 6 kompanive në emrin e Agim Bahtirit dhe bashkëpunëtoreve të tij sepse ka elemente të shpëlarjes së parasë, gjë që procesi është në fazën e hetimeve nga organet përgjegjëse.

Gazeta Fjala: Çfarë po punohet në MTI për lehtësimin e të bërit biznes në Kosovë?

Kastrati: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në lehtësimin e zhvillimit të bizneseve, duke reduktuar barrierat administrative, duke përmirësuar shërbimet në dhënien e lejeve dhe licencave, duke ulur taksat, si dhe duke unifikuar numrin e regjistrimit të biznesit me numrin e eksport-importit.

Po ashtu jemi duke punuar në projektin për certifikimin e produkteve me të cilin prodhuesve iu mundësohet certifikimi i produkteve të tyre, që përveç tregjeve vendore synohen edhe tregjet ndërkombëtare duke konkurruar me produkte cilësore të certifikuara.

Në raportin e fundit të Bankës Botërore për të bërit biznes është konfirmuar përmirësimi i mjedisit afarist në Kosovë, duke e ngritur rangimin e Kosovës në vendin e 60-të në nivel botëror. Ligji për investime strategjike ka kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe pritet të implementohet së shpejti duke krijuar mundësi për investime në Kosovë.

Gazeta Fjala: Përse u hoq nga agjenda projekti Brezovicës?

Kastrati: Projekti i Brezovicës është hequr nga agjenda sepse operatori potencial i cili ishte nuk ka arritur ti siguroi mjetet financiare sipas marrëveshjes.

Gazeta Fjala: Cili do të jetë fati i ndërmarrjes Trepça?

Kastrati: Me miratimin e ligjit për Trepçën është hapur mundësi dhe rruga për investime të reja dhe punësim. Jemi të përkushtuar të kontribuojmë në ringjalljen e Trepçës dhe hapa të mirë janë bërë me miratimin e ligjit.

Gazeta Fjala: Cilat janë fushat me interes për investitorët potencial?

Kastrati: Fatmirësisht tani kemi të miratuar ligjin për investime strategjike dhe tani kemi shumë më shumë hapësirë për investime të huaja. Kosova ka potenciale të mëdha të zhvillimit ekonomik në fushën e turizmit, agro biznesit, përpunimit të metaleve nga Trepça, mundësit e ofruara nga zonat ekonomike si dhe shumë fusha të tjera. /GazetaFjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/intervisteavni-kastrati-bahtiri-dyshohet-per-shperlarje-te-parave/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala