Intervistë| Skënder Hyseni: Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje

Autori:Gazeta Fjala

foto-kushtrim-ternava-skender-hyseni17 (1)

Skënder Hysenit, i kanë mbetur edhe pak ditë në postin e Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës. Nuk duket aspak i kënaqur që partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë në pushtet.

Në një intervistë për Gazetën Fjala thotë se Kosova nuk kishte nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme në këtë fazë, pasi që e rëndon edhe në aspektin financiar edhe politik.

Për këtë e fajëson partnerin në bashkë qeverisje Partinë Demokratike të Kosovës, i cili sipas tij me mocionin e vetëbesimit ka demonstruar një papërgjegjësi të skajshme politike e shtetërore, jo seriozitet dhe mungesë vizioni.

Por, është i bindur se me 11 qershor LDK do ti fitoi zgjedhjet dhe do ta bëjë Qeverinë në krye me Avdullah Hotin, kandidat për kryeministër nga kjo parti.

“Ne jemi të sigurt që kemi përzgjedhë një kandidat me integritet, absolutisht të paprekshëm , të palëndueshëm, si në aspektin moral edhe intelektual e akademik.

Në çdo pikëpamje Avdullah Hoti përbën njeriun, i cili ngërthen të gjitha ato tipare që duhet t’i ketë një Kryeministër i një vendi në ndërtim”, thotë Hyseni.

Ai në këtë intervistë, flet për punën në Ministri të Punëve të Brendshme, Policinë, si dhe për gjendjen e sigurisë së Kosovës. Përveç kësaj tregon për sfidat me terrorizmin dhe skandalet brenda policisë së Kosovës.

Gazeta Fjala: Çfarë do të mbahet mend nga mandati juaj si Ministër?

Hyseni: Nga mandati im si Ministër do të mbahet mend shumë , sepse në këtë Ministri të arriturat janë evidente. Është Ministria që ka plotësuar numrin më të madh të kritereve për liberalizimin e vizave. Është Ministria që e ka anëtarësuar Kosovën në shumë organizma ndërkombëtare të bashkëpunimit policor, siç është FRONTEX-. Pastaj kemi nënshkruar shumë marrëveshje të bashkëpunimit policor me vende te ndryshme qoftë bilaterale, qoftë multilaterale. Kemi avancuar deri në pakufi, pothuaj deri në anëtarësim të plotë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Është çështje  muajsh kur Kosova do të bëhet anëtare e Interpolit. Unë besoj shumë  se në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet në vjeshtë, në Peking të Kinës, aplikacioni i Kosovës do të votohet pozitivisht.

Pyetja është shumë e përgjithësuar dhe duhet gjatë dhe shumë letër për të shkruar,  për të renditur qoftë edhe taksativisht për çfarë do të mbahet mend kjo Ministri gjatë mandatit tim. Gjithsesi e arritur kulminante është parandalimi pothuaj i tërësishëm i shkuarjes së qytetarëve të Kosovës në Siri dhe në Irak. Pastaj kemi bërë shumë, tejet shumë që ta vendosim nën kontroll çështjen e kërcënimeve në raport me Kosovën në fushën e terrorizmit. Kemi bërë shumë në sensibilizimin e qytetarëve në Kosovë kundër radikalizmit dhe në favor të mirëqenies dhe mirëkuptimit ndërfetar e ndërnacional.

Ministria e Punëve të Brendshme ka të arritura të mëdha në parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit të drogës. Pastaj mos t’flasim për sukseset e kapshme e të hetueshme, shumë të përfillshme në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit në përgjithësi.  Është thelbësore në fushën e rendit që tri hallkat në zinxhirin e sundimit të ligjit  të funksionojnë në mënyrë efikase, në mënyrë që të arrihen  rezultate të dëshirueshme dhe të pëlqyeshme. Prandaj, me një fjalë, të arriturat janë të mëdha.

Duhet theksuar një tjetër e arritur e madhe . Pas shpërthimit të migrimit të paligjshëm në fund të vitit 2004 dhe në fillim të vitit 2015, ne ia kemi dal, për një periudhë relativisht të shkurt, që ta vëmë në kontroll këtë çështje edhe  përmes bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Bashkimit Evropian, sidomos me vendet e zonës Shengen, ia kemi dal po ashtu që ta bëjmë suksesshëm riatdhesimin, riintegrimin e atyre që janë kthyer në Kosovë. Por, unë do ta llogarisë si të arritur kulminante, pjesa dërmuese  e kritereve për vizat kanë qenë në këtë dikaster, në Ministrinë  e Punëve të Brendshme dhe ato janë plotësuar të gjitha, pa asnjë përjashtim. Fatkeqësisht, kemi dështuar në çështjen e Demarkacionit,  dhe për këtë arsye populli i Kosovës nuk ka sot të drejtën e lëvizjes pa viza  në Evropë dhe faji për këtë është te Kuvendi i Republikës së Kosovës që ka dështuar që ta adresojë këtë çështje dhe ta kalojë Demarkacionin me Malin e Zi.

Gazeta Fjala: Çfarë ka mbetur pa u realizuar nga plani i juaj?

Hyseni: Anëtarësimi në Interpol. Besoj që do të realizohet . Çdo gjë që u dashtë me u bë është bë në këtë drejtim, ka mbetur vetëm të presim se si do të rezultojë votimi.

Gazeta Fjala: Kthehemi te Qeveria. Pse u prish koalicioni me PDK-në?

Hyseni: Koalicioni u prish sepse të gjitha partitë  në pushtet, duke e përfshirë edhe Listën Serbe, partitë tjera në Kuvend të përfaqësuara votuan një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë që ishte tërësisht e papritshme dhe unë dua të ju them se ishte tërësisht e panevojshme dhe politikisht e papërgjegjshme. Pra ishte një koalicion politik apo manovër politike e të gjitha partive kundër LDK-së. Kosova nuk ka pas nevojë për zgjedhje të parakohshme në këtë fazë. E rëndon Kosovën në çdo aspekt; edhe në aspektin financiar edhe politik. Sido që të jetë mocioni është një ushtrim demokratik, dhe si i tillë pavarësisht mangësive dhe porosive jo të mira që dërgon për vendin, qoftë brenda qoftë në botë, ka ndodh dhe është votuar. Tash vendi shkon në zgjedhje të reja  dhe do të shohim kush do të fiton. Unë jam i bindur që Lidhja Demokratike e Kosovës me partnerët në koalicion do të dalin fituese në këtë proces zgjedhor.

Gazeta Fjala: Sa ka përkrahjen tuaj për kryeministër Avdullah Hoti?

Hyseni: E ka të plotë. Jo vetëm përkrahjen time , por të gjithë Lidhjes Demokratike, të partnerëve të koalicionit. Ne jemi të sigurt që kemi përzgjedhë një kandidat me integritet, absolutisht të paprekshëm , të palëndueshëm, si në aspektin moral edhe intelektual e akademik. Në çdo pikëpamje Avdullah Hoti përbën njeriun, i cili ngërthen  të gjitha ato tipare që duhet t’i ketë një Kryeministër i një vendi në ndërtim.

Gazeta Fjala: Gjendja e sigurisë së Kosovës, a ka qenë përnjëmend e rrezikuar nga sulmet terroriste, apo vetëm është hiperbolizuar?

Hyseni: Nuk është hiperbolizuar asgjë. Por, nuk mund të them po ashtu se ka një rrezik imanent, të drejtpërdrejtë. Mirëpo çështjen e terrorizmit, duhet ta kuptojmë të gjithë.  Është një fenomen shumë tinëzar. Asnjëherë nuk mund ta dijshëm ku godet dhe kur godet. Dhe për këtë arsye gjithmonë kërkohen masa shtesë të sigurisë, sepse preventiva është ajo që jep rezultate më shumë sesa kur detyrohemi të merremi me pasojat në mënyrë retroaktive. Duke pas parasysh  zhvillimet në shumë vende të Evropës dhe aktet makabre terroriste, natyrisht unë si udhëheqës i kësaj Ministrie jam përkujdesur që të vendosim masa adekuate, sidomos gjatë festave ku zakonisht janë këto momente kur terroristët godasin. Pra duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet në rajon dhe në botë me terrorizmin, ne duhet ta dimë se Kosova nuk mund të jetë imune. Mund të përfshihet nga një gjë e tillë dhe do të ishte mendjelehtësi dhe dështim institucional nëse nuk do të bënim aq sa është e mundshme  në kushtet dhe me mundësitë që Kosova i ka si masa preventive për të parandaluar një të keqe të madhe.

Gazeta Fjala: A do të jeni edhe ju kandidat për deputet nga LDK-ja?

Hyseni: Po, unë jam kandidat  për deputet nga LDK-ja, jam në listë dhe jam i sigurt që LDK-ja do të fitojë dhe kjo ka rëndësi parësore. Ndërkaq, rëndësi dytësore ka edhe ajo nëse unë do të jem fitues.

Gazeta Fjala: Cili është pozicioni juaj i tanishëm për PDK-në?

Hyseni: Pozicioni im për PDK-në dhe për kundërshtarët tanë politikë është shumë i qartë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka të gjitha avantazhet që ta qeverisë këtë vend. Është dëshmuar si qeverisëse e përgjegjshme. Ndërkohë që partnerët tonë të koalicionit të deri djeshëm, PDK, me mocionin e vetëbesimit kanë demonstruar do të thosha unë një papërgjegjësi të skajshme politike e shtetërore, jo seriozitet dhe mungesë vizioni.  Eklatante ishte vëna e interesave partiake e individuale para interesit të Kosovës. E kanë dërguar vendin në zgjedhje në një periudhë kur më së paku i janë dashur.

Gazeta Fjala: Si e vlerësoni përfshirjen e  policisë së Kosovës në skandalin për mbylljen e hetimeve për rastet kriminale?

Hyseni: Është inspektorati policor ai që merret me hetimin e policisë. Kështu me zhargon Inspektorati policor  quhet Polici e Policisë. Ata janë institucione që merren me këto çështje dhe unë si udhëheqës politikë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, insistoi që të  zabtohet ligji  me rigorozitetin më të plotë të mundshëm. Kushdo që përfshihet në veprime kriminale , kudo qoftë në  cilëndo instancë qoftë duhet të përgjigjet para drejtësisë.

Pavarësisht nga rastet  e izoluara, Policia e Kosovës mbetet polica më e mire dhe më profesionale në rajonin e Ballkanit. (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-skender-hyseni-kosova-nuk-kishte-nevoje-per-zgjedhje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala