Intervistë| Ragip Begaj:Lufta mi humbi milionat

Autori:Gazeta Fjala

ragip begaj

Pasuria prej 280 mijë eurove e kryetarit të komunës së Malishevës,  Ragip Begajt duket se është e trashëguar tërsisht nga familja e tij.

Mirëpo Begaj, nuk e mohon se deri para periudhës së pasluftës ka qenë pronar i një pasurie milionëshe.

Paga prej kryetarit thuhet se është e vetmja mbijetesë për kryetarin e kësaj Komune.

“..nga pas lufta jetoj vetëm me pagën qe marr, dhe ju them se para lufta kam qenë milioner dhe tani nuk jam milioner, pasi pasuria më është shkatërruar gjatë luftës”, thotë Begaj.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Begaj përveq që ka folur për projektet të cilat i ka realizuar gjatë udhëheqjës së tij,  ai ka treguar edhe për uljën e numrit të vdekjeve të qytetarëve të Malishevës nga rriqrat, si dhe shumën që kjo Komunë, ka ndarë nga buxheti pas iniciativës për “rrepelimin e kafshëve.

Numri i qytetarëve të Malishevës që ankohen nga thumbimi i rriqrave nuk duket të jetë i vogël.

Begaj ka treguar se vetëm gjatë këtyre gjashtë muajve, 961 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Malishevë, nga thumbimi i tyre.
Ndërkaq fatmirësisht, vdekjet  nga rriqrat sipas kryetarit janë ulur.

“Në dy  vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të vdekjeve nga ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), ndërsa tani jemi në vitin e tretë që nuk kemi raste të vdekjeve, dhe jemi në vitin e dytë që nuk kemi ende të regjistruar raste të infektimit me EHKK”, thotë Begaj për Gazetën Fjala.

Edhe pse disa prej banorëve të kësaj Komune ankoheshin, se pas rrepelimit të kafshëve, kulturat bujqësore kanë filluar t’iu dëmtohen, kreu  i Malishevës ka mohuar një gjë të tillë.

Rastet para dy vitesh, kur kanë shkaktuar dëme të bletëve, kanë qenë dëmtimet e vetme me të cilat Komuna e udhëhequr nga Begaj, është ndeshur.

Ndërtimi i një ujësjellësi, për t’iu siguruar ujë banorëve të Malishevës, duket të jetë prioriteti kryesor i kryetarit të kësaj Komune.

Gazeta Fjala: Zotëri Begaj sipas deklarimeve të Agjencisë Kundër Korrupsionit, vlera e pasurisë tuaj thuhet të jetë 280 mijë euro, si e keni krijuar këtë pasuri?

Ragip Begaj: Pasurinë e kam trashëguar nga gjyshi, baba dhe na puna ime bashkë me vëllezërit e mi, gjatë tërë jetës sime. Nga pas lufta jetoj vetëm me pagën qe marr, dhe ju them se para lufta kam qenë milioner dhe tani nuk jam milioner, pasi pasuria më është shkatërruar gjatë luftës, ndërsa tani jam me këtë pasuri në bashkësi familjarë dhe jo vetëm unë si individ.

Gazeta Fjala: Çfarë keni bërë për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të  Malishevës dhe krijimin e kushteve më të mira ekonomike?

 

Ragip Begaj: Investimet kryesore dhe prioritet i yni ka qenë investimi në infrastrukturën shkollore, ndërtimi i rrugëve. Nëntë shkolla, që i kemi ndërtuar dhe dy tjera që i kemi trashëguar, gjithsejtë njëmbëdhjetë shkolla, përkatësisht institucione shkollore,  gjatë këtyre dy viteve e gjysmë të mandatit tim. Janë ndërtuar rrugë, kanalizime, janë hequr taksat komunale për biznese me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin të bizneseve. Përjashtimisht taksat komunale, nuk janë hequr për tri deri katër biznese të mëdha që nuk ju kanë hequr taksat, me vendim të Kuvendit të Komunës, të gjithë të tjerët janë të liruara nga taksat komunale.

Gazeta Fjala: A është ulur numri i vdekjeve të qytetarëve të Malishevës, pas iniciativës për rrepelimin e kafshëve?

Ragip Begaj:Në dy  vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë rast të vdekjeve nga ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), ndërsa tani jemi në vitin e tretë që nuk kemi raste të vdekjeve, dhe jemi në vitin e dytë që nuk kemi ende të regjistruar raste të infektimit me EHKK.

Gazeta Fjala: Sa është numri i qytetarëve të prekur nga rriqrat?

Ragip Begaj: 961 persona janë të thumbuar nga rriqrat, prej tyre 890 janë nga Malisheva dhe 71 persona nga komunat tjera që kanë kërkuar ndihme ne QKMF të Malishevës.

Gazeta Fjala: Sa i ka kushtuar Komunës, kjo iniciativë?

Ragip Begaj: Komuna e Malishevës, në këtë vit ka ndarë 60 mijë euro për dezinsektim selektim të zona endemike. E njëjta shumë ka qenë edhe vitin e kaluar, ndërsa në 2014, komuna ka ndarë 250 mijë euro për dezinfektim masiv përmes ajrit. Janë trajtuar 4500 hektar këtë vit. 2500 hektar komunë dhe 2000 hektar ministria. 

Gazeta Fjala: Sa po dëmtohen kulturat bujqësore?

Ragip Begaj: me fushatën e repelimit, nuk dëmtohen kulturat bujqësore, por as me dezinsektim selektiv nuk janë dëmtuar kulturat bujqësore. Para dy viteve, gjatë dezisnektimit masiv përmes ajrit, ka pasur, në pak raste, dëmtim të bletëve dhe kjo ka ndodh në ato raste, kur bletarët nuk i kanë mbrojtur mirë bletët, për arsye të ndryshme, por dëmi në bletë ka qenë i vogël. Me dezinsektim dhe repelim, nuk bëhen dëme, pasi preparatet që përdoren, janë ekologjike.

Gazeta Fjala: Cilat janë projektet më të rëndësishme që po punoni aktualisht dhe cili është plani juaj për të ardhmen e Malishevës?

Ragip Begaj: Projekti më i rëndësishëm është ndërtimi i ujësjellësit për 12 fshatra dhe rehabilitimi i 10 ujësjellësve ekzistues, që kanë qenë me defekte. Gjatë vitit të ardhshëm, përjashtuar katër fshatra, synojmë që ti mbulojmë  me ujë për pije të gjitha vendbanimet, ndërsa për këto katër fshatra, besojmë që në vitet në vijim do të sigurojmë ujin për pije. Në të gjitha lëmitë kemi tejkalim të premtimeve të dhëna dhe çdo investim tjetër që bëjmë është tejkalim i premtimeve tona.

Në vitet në vijim, plan kryesor i yni si qeverisje komunale, është futja e të gjitha vendbanimeve në sistemin e ujësjellësit dhe sigurimi i ujit për pije dhe largimi i ujërave të zeza dhe trajtim i tyre. Kjo ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të Komunës së malishevës. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-ragip-begajlufta-mi-humbi-milionat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala