Intervistë| Nora Latifi: Politikanët po japin premtime joreale

Autori:Gazeta Fjala

maxresdefault

Kosova ka rrijten më të madhe ekonomike se të gjitha vendet e rajonit, por mbetet vendi me të hyrat më të ulëta per kokë banori në rajon. Me ambient më pak të përshtatshëm të të bërit biznes, shkallë të lartë të korrupsionit, papunësisë e fuqi punëtore jo të përshtatshme për tregun e punës kosovarët duket se nuk kanë arsye për tu krenuar me fqinjët.

Drejtoresha e Insitutit për Studime të Avancuara-GAP, Nora Latifi në një intervistë për Gazetën Fjala vlerëson se Qeveria e re që do të dal pas zgjedhjeve të 11 qershorit do të ketë sfida të mëdha para vetes.

Sipas sajë partitë politike vazhdojnë të japin premtime jo reale për punësim për cdo cikël zgjedhor kur në Kosovë vazhdon të mbizotërojë një klimë jo e favorshme për zhvillim të biznesit.

Por, thotë se kjo duhet të ndryshoi.

Përveq luftës kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e konkurencës së lirë Latfi thotë se Kosova duhet të ndryshoj nga vendi me zbatim të dobët të ligjit dhe me ndikim nga politika të sistemit gjyqësor në një vend me stabilitet politik.

“Stabiliteti ekonomik dhe politik janë faktorë me rëndësi për një investitor të huaj që konsideron të investojë në një vend. Kosova vazhdon të ketë rënie të IHD, gjë që tregon se vendi ynë po vazhdon të humbë edhe konkurueshmërinë me vendet e rajonit”, thotë Latifi.

Kjo ngase, sipas saj përveç lehtësirave teknike, shkurtimit të procedurave burokratike dhe incentivave financiare, investitorët kanë kërkesa edhe për siguri politike, ligjore dhe fuqi punëtore të aftë.

Gazeta Fjala: Nga përvoja në institutin “GAP”, tash edhe si drejtoreshë, cilat mendoni se janë problemet me të mëdha që i ka Kosova në rrafshin ekonomik? 2. Si e vlerësoni qeverisjen e fundit në sferën e ekonomisë? A ka bërë sa duhet kjo qeveri në detyrë për fushat si papunësia dhe ulja e varfërisë?

Nora Latifi: Kosova edhe pse ka shënuar rrijte më të madhe ekonomike se vendet e rajonit, mbetet vendi me të hyrat më të ulëta per kokë banori në rajon. Problem mbetet shkalla e lartë e varfërisë dhe papunësisë, sidomos tek gratë dhe të rinjtë, ku më shumë se gjysma e të rinjve në Kosovë janë të papunë dhe vetëm një në pesë gra është aktive në tregun e punës. Niveli i lartë i papunësisë pasqyron nivelin e ulët të prodhimit/shërbimeve por edhe hendekun në mes të aftësive të fuqisë punëtore dhe kërkesave të tregut. Sistemi i edukimit në Kosovë shpesh i lë studentët të papërgatitur për t’u futur në tregun e punës.

Kosova ende cilësohet si vend me zbatim të dobët të ligjit dhe me ndikim nga politika të sistemit gjyqësor. Institucionet që merren me sundimin e ligjit kanë dështuar që t’i hetojnë aferat e mëdha korruptive qoftë sa i përket kontratave publike, krijimit të monopoleve, apo edhe menaxhimit të ndërrmarrjeve publike.

Gazeta Fjala: Ndërrimi kaq i shpeshtë i Qeverive a mendoni se po i kushton Kosovës në raport me investimet e huaja direkte?

Nora Latifi: Kosova, me zgjedhjet e shpeshta, gjatë këtyre viteve, ka treguar se nuk ka një plan afatgjatë dhe të qëndrueshëm dhe se nuk ka një përkushtim konsistent për promovimin e investimeve të huaja direkte (IHD). Stabiliteti ekonomik dhe politik janë faktorë me rëndësi për një investitor të huaj që konsideron të investojë në një vend. Kosova vazhdon të ketë rënie të IHD, gjë që tregon se vendi ynë po vazhdon të humbë edhe konkurueshmërinë me vendet e rajonit.

Disa ndër ndryshimet ligjore të ndërmarrë nga qeveria për promovimin e investimeve të huaja janë edhe ndryshimi i shkallës së TVSH-së dhe aprovimi i Ligjit për investime strategjike. Përderisa rritja e TVSH-së i ka rritur të hyrat buxhetore, buxhetet e ekonomive familjare janë varfëruar. Çmimet e konsumit nuk kanë pësuar rritje për shkak të uljes së çmimeve të importit. Hulumtimet tregojnë se shteti nuk mund të ndikon drejtpërdrejt në çmimet e konsumit dhe rishpërndarjen e të ardhurave përmes uljes së TVSH-së.

Sa i përket ligjit për investime strategjike, në shtetet e tjera të rajonit, si në Shqipëri dhe Kroaci, janë ngritur shqetësime për mundësinë e rritjes së korrupsionit.

Përderisa lehtësirat që i sjellin këto ligje mund të nxisin investime, ekziston rreziku se qeveria merr shumë kompetenca duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm

Gazeta Fjala: Cilët mendoni se janë faktorët tjerë që po i largojnë investitorët e huaj nga Kosova?

Nora Latifi: Përveç lehtësirave në procedura dhe stimujve financiar, Kosova ka ambient më pak të përshtatshëm të të bërit biznes krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Sipas Bankës Botërore,  dy kategoritë në të cilat është vlerësuar ambienti i të bërit biznes në Kosovë janë edhe qasja në rrjetin elektrik dhe zbatimi i kontratave. Në të dy këto kategori, gjendja në Kosovë është përkeqësuar dhe mbetet e pavorshme per terheqjen e investimeve. Për të pasur sukses në nxitjen e investimeve, ligjet duhen të mbështeten edhe me reforma substanciale sa i përket ambientit të të bërit biznes dhe edukimit cilësor të fuqisë punëtore. Kjo ngase përveç lehtësirave teknike, shkurtimit të procedurave burokratike dhe incentivave financiare, investitorët kanë kërkesa edhe për siguri politike, ligjore dhe fuqi punëtore të aftë.

Gazeta Fjala: Cilat do të duhej të ishin prioritetet e Qeverisë se ardhshme?

Nora Latifi: Qeveria e Kosovës duhet të punojë në luftimin e korrupsionit dhe ekonomisë joformale dhe mbrojtjen e konkurencës së lirë. Një ndër mjetet efikase për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit është edhe transparenca radikale buxhetore e që pastaj nevojitet intervenimi i institucioneve përgjegjëse gjyqësore që keqpërdorimet dhe shkeljet e identifikuara të adresohen sipas ligjeve në fuqi.

Qeveria e Kosovës duhet t’i japë prioritet adresimit buxhetor të nevojave të qytetarëve si dhe rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare që vlerësojnë situatën ekonomike në Kosovë.

Gjithashtu, përfaqësimi i grave në të gjitha nivelet e punësimit është më se i domosdoshëm për një funksionim më të mirë të shoqërisë dhe uljes së pabarazisë gjinore.

Gazeta Fjala: Si i vlerësoni premtimet e partive politike për punësim?

Nora Latifi: Shkalla e papunësisë në Kosovë është mjaft e lartë gjë që e bën Kosovën vendin me papunësinë më të madhe në Evropë. Edhe pse Kosova ka popullsinë më të re në rajon,  papunësia është shumë më e theksuar tek të rinjtë dhe gratë. Partitë politike vazhdojnë të japin premtime jo reale për punësim për cdo cikël zgjedhor kur në Kosovë vazhdon të mbizotërojë një klimë jo e favorshme për zhvillim të biznesit. Të dhënat zyrtare tregojnë për numër shumë më të vogël të të punësuarve gjatë viteve të kaluara se sa ato që premtohen nga partitë politike

Gazeta Fjala: Instituti GAP përcjellë në vazhdimësi punën e komunave. Deri në çfarë mase janë realizuar pritjet nga kryetarët e komunave këtë mandat?

Nora Latifi: Instituti GAP ka te listuar mbi 564 premtime qe kryetaret e komunave kane dhene ne fushaten e fundit per zgjedhjet lokale qe jane mbajtur ne nentor te 2013. Nga 564 premtime, 265 rezultojne te permbushura, 89 premtime gjysem te permbushura, ndersa 210 premtime ose ka nisma te vogla ose mungojne nismat ne permbushjen e tyre. Vlen te ceket se premtimet jane permbushur me se lehti nga fusha e infrastruktures qe lidhet me rruge, trotuare, objekte, fusha e sherbimeve publike qe lidhet me ndricim publik, ujesjelles, kanalizim etj, pastaj fusha e bujqesise, administrates e keshtu me radhe. Ndersa fushat ku kryetaret kane pasur dhe vazhdojne te kene veshtiresi ne permbushjen e premtimeve lidhen me  ekonomine, papunesine, shendetesin, ndermarresine dhe urbanizmin.

Gazeta Fjala: Kosova tashme është pjesë e MSA-së. Sa mendoni se janë të përgatitura kompanitë kosovare për tregjet e jashtme?

Nora Latifi: MSA është një ndër arritjet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës, por që nga hyrja e saj në fuqi nuk janë vërejtur ende efekte të dukshme për shoqërinë kosovare. Përveç të mirave që sjell kjo marrëveshje, ajo edhe obligon Kosovën që të harmonizojë legjislacionin konform standardeve të BE-së. Në mënyrë që kompanitë kosovare të kenë qasje më të lehtë në tregun evropian, ato duhet të punojnë shumë më shumë në ngritjen e cilësisë se sherbimit dhe prodhimit. Edhe këtu, shteti duhet të ju ofrojë lehtësira dhe programe të caktuara kompanive kosovare që do ta bënin më të lehtë përfshirjen e tyre në tregjet ndërkombëtare.

Gazeta Fjala: Në hulumtimin e fundit të GAP thuhet se në Kosovë mungojnë punëtorë të kualifikuar. Çka mendoni se duhet të bëjë shteti në këtë drejtim?

Nora Latifi: Sistemi i edukimit në Kosovë nuk i pajis mjaftueshëm studentët me aftësi të duhura për të qenë të gatshëm t’i qasen tregut të punës pas përfundimit të studimeve. Programet arsimore në Kosovë nuk prodhojnë punonjës të kualifikuar për sektorin e shërbimeve dhe Qeveria e Kosovës duhet të ketë koordinim më të mirë në përpilimin e kurrikulave konform kërkesave të tregut të punës. Gjithashtu, qeveria duhet që të ndërmarrë hulumtime më të gjera në nivel qendror për të kuptuar se në cilët sektorë ka më së shumti mungesa dhe të krijohen programet të cilat do të prodhonin kuadrot e nevojshme duke përfshirë sektorin privat në hartimin e politikave të edukimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-nora-latifi-politikanet-po-japin-premtime-joreale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala