Intervistë| Lirak Çelaj: PDK e vetme do ta fitoj Prishtinën

Autori:Gazeta Fjala

rudina-hotiphoto-8-1389

Pushtetin që nuk arriti ta marr me ushtarakë në Prishtinë, Partia Demokratike e Kosovës po synon ta fitoj me artist. Lirak Çelaj, i përfoluri për kandidat të PDK-së për Prishtinën, po shihet nga kjo parti si mundësi për tu bërë kryetar i kryeqytetit, post të cilin nuk e arriti Agim Çeku e as Fatmir Limaj dikur.

“Prishtina ka nevojë për një udhëheqës kreativ që Prishtinën ta bëj me identitetin e kryeqytetit, për këtë duhet vullnet, besim, vendimmarrje e guximshme”, thotë ai në një intervistë për Gazetën Fjala.

Pavarësisht se fushata zgjedhore ende nuk ka filluar, partitë politike duket se po mobilizohen. Kështu po bënë edhe partia të cilës i takon Çelaj.

Ai madje i ka bërë gati projektet me të cilat thotë se dëshiron të mbahet mend si kryetar komune.

“Prishtinën e vjetër, unazat e qytetit, parkingjet, zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit në malet e Gollakut. Monumentet e reja në qytet-Muzeu i Luftës së UÇK-së, Muzeu i viktimave dhe gjenocidit, Muzeu i viktimave studentore, Teatri i Qytetit, Galeria e Qytetit dhe një sërë institucionesh e monumentesh që ka çdo kryeqytet evropian. Përfundimisht, futjen e Prishtinës në destinacionet që duhet të vizitohet nga turistët”.

Këto sipas tij, nuk ka arritur ti bëj kryetari aktual, Shpend Ahmeti.

Por ky i fundit sipas tij ka bërë një të mirë të madhe duke thyer miti se Prishtina është bastion i LDK-së.

“Natyrisht këtë e arriti edhe me kontributin e PDK e cila ishte vendimtare në fitoren e tij. Për pjesën tjetër pastaj vërtetë e kam vështirë ta gjej ndonjë të mirë. Fakti që debati është ulur në kifle, shtylla dhe autobusët në fund flet mjaft për këtë”.

Megjithatë Çelaj thotë se nuk do të ketë nevojë për LDK-në për tu bërë kryetar Prishtinë, duke mohuar çfarëdo koalicioni me këtë parti.

Gazeta Fjala:  Ditë më parë keni dhëne dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit. Cila është arsyeja e vërtet e kësaj dorëheqje?

Çelaj: Arsyeja e vetme është e dorëheqjes sime është që të kem më shumë kohë të merrem me Prishtinën. Natyrisht krejt kjo ka ndodhur në koordinim me Kryetarin e Partisë z. Kadri Veseli.  Siç e dini sivjet janë zgjedhjet lokale dhe unë dua të përkushtohem edhe më shumë rreth tyre.

Gazeta Fjala:  PDK ka dështuar ta fitoj Prishtinën me ushtarak si Agim Ceku e Fatmir Limaj, çfarë ju bën të besoni se një artist si ju mund të bëhet kryetar?

Çelaj: Unë nuk besoj që kjo çështje ka të bëj me profilin apo profesionin e dikujt. Kjo çështje ka të bëj me kompleksitetin e rrethanave në të cilën ndodhet shteti dhe kryeqyteti, subjekti politik por edhe vizionit që dikush ka për kryeqytetin. Prishtina ka nevojë për një udhëheqës kreativ që Prishtinën ta bëj me identitetin e kryeqytetit, për këtë duhet vullnet, besim, vendimmarrje e guximshme.

Një qytet atraktiv nënkupton edhe zhvillim ekonomik edhe jetë komode për qytetarët e saj. Prishtina si kryeqytet ka shumë potencial por që fatkeqësisht pak është shfrytëzuar.

Gazeta Fjala:  Çfarë ju bën juve më të veçantë nga bashkë partiakët që të jeni kandidat për Prishtinën?

Çelaj: Unë kam thënë disa herë që Prishtina nuk ka problem me kuadro, pra, ka mjaft profile dhe personalitete që do të mund të ishin kandidatë. Ajo që ndoshta mua më lidhë më shumë është se unë jam marr me këtë problematikë këto 4 vitet e fundit, pra me çështjet qeverisjes lokale të Prishtinës si dhe duke qenë Kryetar i Degës jam më afër me strukturën e Degës së Prishtinës, organizimin, potencialin e kryeqytetit nga aspekti i iniciativave lokale, sfidat e çdo pjese të Prishtinës, me vizion si të zgjidhen, çfarë mund të bëj komuna për këto sfida dhe si do të bëhen. Madje, i njoh me emër pothuajse të gjithë aktivistët e Degës. E di si frymon qyteti ngase ia njoh rriten, zhvillimin dhe kam vizion nga të ecë, apo me mirë me thanë, si e dua unë dhe  qytetarët.

Gazeta Fjala:  Cilat janë tri problemet kryesore në Prishtinë?

Çelaj: Prishtina ka shumë probleme por mendoj se problemi që aktualisht e mundon më së shumti Prishtinën është kaosi në trafik. Ngarkesa në trafik është bërë e padurueshme. Ndërtimi i tri unazave dhe i parkingjeve është urgjencë për Prishtinën, çështje që do të rregullohej brenda një viti kalendarik.

Në aspektin urban dhe arkitekturor prioritet është Prishtina e Vjetër. Pra Prishtina ka një histori e cila është përcjell edhe në aspektin arkitekturor por e cila fatkeqësisht është shkatërruar shumë si në kohën e ish Jugosllavisë ashtu edhe pas luftës. Rehabilitimi i objekteve ekzistuese, zhvendosja e disa objekteve të vjetra në vendin ku sot është AKP, si dhe rikonstruktimi i disa objekteve afariste si dhe tregu i mbuluar që dikur ka ekzistuar në Prishtinë do ta kthenin Prishtinën në qytet edhe më atraktiv dhe besoj që do të ndikonte dukshëm në mirëqenien e qytetarëve por edhe rritje ekonomike.

Mungesa e guximit dhe kreativitetit të udhëheqësve të deritanishëm për të krijuar politika që do të rrisnin zhvillimin ekonomik të Prishtinës është ndoshta problemi kryesor i Prishtinës. Prishtina ka potenciale për tu zhvilluar ekonomikisht. Duke filluar nga turizmi, si ai malor, kulturor, madje edhe ai shëndetësor, pastaj energjia alternative dhe e ripërtëritshme, bujqësia, ndërmarrjet e vogla prodhuese familjare, etj.

Gazeta Fjala:   Cilat janë tri të mirat që ia ka sjellë Prishtinës Shpend Ahmeti?

Çelaj: Pritjet kanë qenë të mëdha kur Shpendi fitoi Prishtinën, fatëkeqësisht zhgënjimi është i madh tek qytetarët.

Një e mirë e pakontestueshme por politike është se u thye miti se Prishtina është bastion i LDK-së. Natyrisht këtë e arriti edhe me kontributin e PDK e cila ishte vendimtare në fitoren e tij.

Për pjesën tjetër pastaj vërtetë e kam vështirë ta gjej ndonjë të mirë. Fakti që debati është ulur në kifle, shtylla dhe autobusët në fund flet mjaft për këtë.

Gazeta Fjala:  Pse duhet-nuk duhet të kthehet LDK-ja ta qeverisë Prishtinën?

Çelaj: Unë jam thellë i bindur dhe besoj që PDK do të udhëheq më Prishtinën sepse PDK duke qenë subjekti më i madh në vend, duke marrë parasysh që qeverisë që një kohë të gjatë me nivelin qendror por edhe në shumë komuna të Kosovës e bën PDK-në subjekt politik thelbësor për të çuar përpara proceset jetike të qytetarëve. Qeverisja e PDK ka dijen dhe guximin për të ndryshuar gjërat pozitivisht.

Sa i përket LDK-së, konsideroj që nuk arriti të reformohet në kohën sa ishte në opozitë prandaj, nga ato që shihen e dihen, nuk ka ide për ta bërë Prishtinën kryeqytet të mirëfilltë. Prishtina nuk qeveriset me inercion e hamendje, madje mendoj se LDK ende nuk është këndellur nga humbja në Prishtinë.

Gazeta Fjala:  Cili do të jetë fokusi yt kryesor në Prishtinë?

Çelaj: Në fokus do të jetë infrastruktura dhe hapja e perspektivës së zhvillimit ekonomik. Prishtina do të jetë atraktive për bizneset e krejt vendit, kjo nënkupton edhe krijimin i vendeve të reja të punës.

Qyteti do të jetë ndryshe në vizionin tim, arkitektura, objektet publike, shfrytëzimi racional i hapësirave publike në shërbim të qytetarit dhe një sërë hapash që jo kjo qeverisje, por edhe qeverisjet paraprake nuk kanë arritur as ta prezantoj në letër. Arsimi dhe shëndetësia do të jenë prioritete të përhershme, duke lëvizur standardin dhe nivelin e tyre çdo vit, krahas të arriturave tjera.

Bashkëpunëtorët e mi më të afërt do të jenë juristët, ekonomistët dhe arkitektët-artistët. Qasja ime ndaj qytetit do të jetë krejt ndryshe nga këto qeverisjet lokale  që qytetin e shëmtuan me mospunë e mosveprim.

Gazeta Fjala:  Cilat janë tri punët që urgjentisht duhet të bëhen në kryeqytet?

Çelaj: Trafiku – Unazat e qytetit, parkingjet nëntokësore, shtigjet e biçikletave, spitali i qytetit, tregu i gjelbër, mbledhja e mbeturinave dhe pastrimi i qytetit natën, automatizimin e kompanive që mirëmbajnë rrugët dhe një sërë të risive që përkojnë me shekullin 21. Zgjidhja e çështjes së ujërave të zeza dhe zgjerimi i rrjetit të ngrohjes qendrore. Pjesë të zgjidhshme në vitin e parë të qeverisjes.

Gazeta Fjala:  Me cilin projekt do të mbahet mend Lirak Çelaj?

Çelaj: Prishtinën e vjetër, unazat e qytetit, parkingjet, zhvillimi i bujqësisë dhe turizmit në malet e Gollakut. Monumentet e reja në qytet-Muzeu i Luftës së UÇK-së, Muzeu i viktimave dhe gjenocidit, Muzeu i viktimave studentore, Teatri i Qytetit, Galeria e Qytetit dhe një sërë institucionesh e monumentesh që ka çdo kryeqytet evropian. Përfundimisht, futjen e Prishtinës në destinacionet që duhet të vizitohet nga turistët.

Financimi i festivaleve egzistuese por edhe të reja të cilat i sjellin qytetarëve të Prishtinës shumë gjallëri, por edhe sjellin të tjerë në Prishtinë.

Gazeta Fjala:  Flitet se ekziston një marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së për ta mundur Vetëvendosjen. A ekziston një marrëveshje e tillë?

Çelaj: Jo. Nuk ka marrëveshje të tillë ngase pushteti aktual e ka konsumuar në mënyrën më të keqe besimin e qytetarëve dhe fare nuk e shoh si fuqi politike. PDK garon për të fituar zgjedhjet e vetme. Pas fitores, PDK në nivel qendror e lokal ka dëshmuar se është në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie politike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-lirak-celaj-pdk-e-vetme-do-ta-fitoj-prishtinen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala