Intervistë| Burim Ramadani: “Syri i Popullit” duhet të shpallet organizatë terroriste

Autori:Gazeta Fjala

15675768_10154954570579617_3324789249835125423_o

Javën që shkoi Kosova ishte në panik. Qytetarët druanin nga sulme të mundshme terroriste pas alarmit të institucioneve të sigurisë se dikush po planifikonte të ekzekutonte liderët politik të vendit gjatë festës së pashkëve.

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se në raste të tilla është e nevojshme ngritja e masave të sigurisë dhe për këtë institucionet e sigurisë kanë kryer detyrën e vet në mënyrë kompetente.

Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë në një intervistë për Gazetën Fjala thotë se siguria në Kosovë është e ndjeshme dhe mund të cenohet nga dimensione të ndryshme, sikurse është Serbia, organizatat kriminale, ekstremizmi ideologjik, apo edhe qëllimet grupore politike.

“Një sfidë e re për Kosovën është edhe përhapja e ndikimit të Rusisë në rajonin tonë, duke pasur parasysh se institucionet e Kosovës nuk kanë eksperiencë të gjatë në përballën me situata ë tilla”, thotë ai.

Ndërkaq, vlerëson se problemi i vazhdueshëm i institucioneve të Kosovës është moskoordinimi i brendshëm.

Në çështjet që kanë të bëjnë me vlerësimet e sigurisë, ky moskoordinim mund të shkaktojë panik tek qytetarët dhe kjo paraqet një gabim serioz.

 Panik së fundmi ka shkaktuar edhe kërcënimi nga organizata” Syri i Popullit”, e cila ka marrë përsipër tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasi.

Kjo organizatë sipas Ramadanit duhet të organizatë terroriste.

“Sipas vlerësimeve që janë dhënë në publik deri më tash, ekzistojnë të gjitha elementet përmbajtjesore për ta shpallur si organizatë terroriste”, ka thënë Ramadani.

Gazeta Fjala: Këtë javë qytetarët u alarmuan për një sulm të mundshëm terrorist. Nga kush po kërcënohet siguria në vend?

Burim Ramadani: Alarmi dhe ngritja e masave të sigurisë kanë treguar edhe njëherë se Kosova përballet me kërcënime të ndryshme, qofshin këto edhe jo krejtësisht konkrete. Siguria në Kosovë është e ndjeshme dhe mund të cenohet nga dimensione të ndryshme, sikurse është Serbia, organizatat kriminale, ekstremizmi ideologjik, apo edhe qëllimet grupore politike. Një sfidë e re për Kosovën është edhe përhapja e ndikimit të Rusisë në rajonin tonë, duke pasur parasysh se institucionet e Kosovës nuk kanë eksperiencë të gjatë në përballjen me situata ë tilla.

Gazeta Fjala: A kanë këto sulme me motive fetare, pasi janë paralajmeruar se do të ndhodhin në ditën kur janë pashkët?

Burim Ramadani: Alarmimi i fundit, të paktën sipas komunikatave publike, kishte disa dimensione dhe këtu është përfshirë edhe kërcënimet me motive ideologjike nga organizatat e terrorizmit global. Në situata të tilla, sidomos gjatë festave, është e nevojshme ngritja e masave të sigurisë dhe për këtë besoj se institucionet e sigurisë kanë kryer detyrën e vet në mënyrë kompetente.

Gazeta Fjala: Përhapja e panikut në masë a do të thotë se nuk po e kryejnë punën si duhet institucionet e sigurisë?

Burim Ramadani: Problemi i vazhdueshëm i institucioneve të Kosovës është moskoordinimi i brendshëm. Në çështjet që kanë të bëjnë me vlerësimet e sigurisë, ky moskoordinim mund të shkaktojë panikë tek qytetarët dhe kjo paraqet një gabim serioz. Kemi parë deklarata substancialisht të ndryshme varësisht nga cili institucion janë dhënë dhe kështu është krijuar një ndjenjë e mosbesimit mbi vlerësimet e tilla. Kjo nuk i ndihmon situatave të sigurisë, kryesisht për shkak të qëndrimeve të ndryshme institucionale në të njëjtën kohë.

Gazeta Fjala: Si e komentoni njoftimin e Këshillit i Sigurisë së Kosovës për siguri se cak i sulmeve ishin liderët politik?

Burim Ramadani: Këshilli i Sigurisë së Kosovës (KSK) është organi, realisht, kryesor i vlerësimeve të sigurisë, sipas kapitullit të 11-të të Kushtetutës së Kosovës. Është për t’u vlerësuar fakti që KSK-ja ka komunikuar me publikun, ndërsa çështja e vlerësimit të kërcënimeve është apo duhet të jetë aspekt krejtësisht profesional.

Sidoqoftë, Këshilli i Sigurisë ka përmendur të paktën dy lloje të kërcënimeve, që të dyja serioze.

Gazeta Fjala: A mund të shfrytëzohet kjo situatë nga shërbimet e huaja për destabilizim të vendit?

Burim Ramadani: Tashmë një kohë të gjatë, ka pasur analiza dhe paralajmërime se situata e përgjithshme, kryesisht politike në Kosovë, mund të shfrytëzohet nga “Faktori i Tretë” e që mund të jenë Serbia apo akterë tjerë në rajon e më gjerë, ekstremizmi ideologjik (në këtë rast fetar), dhe organizatat kriminale.

Situata gati dy vjeçare në Kosovë i ka mundësuar shtrirjen e kujtdo qoftë që synon destablizimin e Kosovës. Një gjë është e qartë: vetëm Kosovës nuk i konvenon destablizimi i sigurisë.

Gazeta Fjala: Së fundi një kërcënim i ri i është shtuar Kosovës nga organizata “Syri i Popullit”, si e vlerësoni këtë?

Burim Ramadani: “Syri i Popullit” duhet të shpallet organizatë terroriste. Sipas vlerësimeve që janë dhënë në publik deri më tash, ekzistojnë të gjitha elementet përmbajtjesore për ta shpallur si organizatë terroriste.

Gazeta Fjala: A paraqet edhe më tejë rrezik për sigurinë “Syri i popllit”, pas publikimit të një liste me emra të zyrtarëve të lartë për ekzekutim?

Burim Ramadani: Sigurisht se cilado organizatë apo grup që ka synime të planifikuara për të përdorur dhunë paraqet rreziqe të caktuara për sigurinë.

Gazeta Fjala: Kosova është një prej vendeve që ka pjesëmarrës aktivë në luftën në Siri. A rrezikohet vendi nga kthimi i tyre në atdhe?

Burim Ramadani: Kthimi i luftëtarëve të huaj është një çështje serioze, e cila duhet të trajtohet vazhdimisht me përgjegjësi dhe me programe të veçanta. Nuk paraqesin të gjithë prej tyre rrezik për sigurinë kombëtare, prandaj duhet pasur qartësi në trajtimin e rasteve si veç e veç dhe jo si të njëjtë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-burim-ramadani-syri-i-popullit-duhet-te-shpallet-organizate-terroriste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala