Intervistë| Blerand Stavileci: Territ po i vije fundi

Autori:Gazeta Fjala

Blerand-Stavileci1423820261

Askush nuk e din ditën e saktë kur kosovarët nuk do ta diskutojnë energjinë elektrike si problem. Sot ajo listohet ndër të parat në listën e telasheve të bizneseve në Kosovë. Ndërsa viti më i afërt kur vendi do të jetë me kapacitete të reja gjeneruese besohet se është 2022.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në një intervistë për Gazetën Fjala shprehet optimist për një zhgjidhje afatgjatë.

“Ne kemi punuar shumë që paqartësitë e së ardhmes energjetike të vendit të sqarohen. Kemi një mori problemesh të akumuluara. Në njërën anë, kemi paqartësi sa i përket kapaciteteve të reja gjeneruese, kurse në anën tjetër kemi kapacitete aktuale të vjetërsuara. Kosova A është jashtë ciklit të jetës, kurse Kosova B në përfundim të saj”, thotë Stavileci.

Stavileci, tregon se Qeveria e Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare të negociimit me investitorin për ndërtimin e Tremocentralit Kosova e Re, i cili do të fillojë të ndërtohet këtë vit dhe të jetë gati brenda katër vitesh.

Në këtë intervistë, ai fletë edhe për privatizimin e mundshëm të Trepçës, padinë e AXOS-it, KEDS-in e pasuritë minerale dhe pretendimet e Serbisë për to.

I pari i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Kosovë, i cili përflitet të kandidoj për kryetar të Prishtinës tregon edhe se si do të qeveriste me kryeqytetin.

Gazeta Fjala: Ministër, kur do jetë dita që qytetarët nuk do të diskutojnë për energjinë elektrike si problem?

Blerand Stavileci: Brenda një periudhë të shkurtër besoj se do të përmbyllet ky cikël i pasigurisë në furnizim. Ne kemi punuar shumë që paqartësitë e së ardhmes energjetike të vendit të sqarohen. Kemi një mori problemesh të akumuluara. Në njërën anë, kemi paqartësi sa i përket kapaciteteve të reja gjeneruese, kurse në anën tjetër kemi kapacitete aktuale të vjetërsuara. Kosova A është jashtë ciklit të jetës, kurse Kosova B në përfundim të saj. Unë jam optimist, sepse kemi arritur që këtë paqartësi ta vendosim në një fotografi që kombinon kapacitetet e vjetra të rehabilituara me kapacitet e reja gjeneruese dhe me një kontribut të çmuar të burimeve të ripërtëritshme. Këto më së miri i kemi reflektuar në Strategjinë e Energjisë 2017-2026, dokument ky që tanimë është futur në procedurat administrative të aprovimit.

Gazeta Fjala: A do të filloj këtë vit ndërtimi i termocentralit Kosova e Re?

Blerand Stavileci: Duke u bazuar në planifikimet e projektit, ne shumë shpejt do ta përfundojmë përmbylljen komerciale. Ndërtimi dhe përmbyllja financiare janë faza paralele, që nënkupton se menjëherë pas përmbylljes komerciale do të përzgjidhet ndërtuesi. Ky proces do të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj. Pra, ndërtimi duhet të fillojë këtë vit bazuar në panin aktual.

Gazeta Fjala: Cili është versioni final i këtij projekti. Çfarë përfshinë?

Blerand Stavileci: Ky projekt po merr formën finale dhe tani jemi në përfundim të pjesës më të vështirë të projektit në negocimin e kontratave komerciale. E arritura kryesore në projekt është se ai do të jetë BOT (Build, Operate and Transfer), për dallim nga struktura e mëhershme BOO (Build, Oën and Operate), si dhe do ta shkurtojmë ndjeshëm periudhën e ndërtimit, nga pesë vjet të planifikuara në tre e gjysmë deri në katër. Me qëllim të përshtatjes me kriteret e financimit dhe me kërkesat gjithnjë më strikte të ambientit, ne kemi ngritur shkallën e efiçiencës nga 37 për qind në 40 për qind dhe kemi kërkuar që teknologjia e investuar të jetë subkritike. Këto janë vetëm disa nga elementet e përmbajtjes së dakorduar në kontratat komerciale të cilat do të jenë publike pas nënshkrimit dhe aprovimit final të të dy palëve. Unë jam shumë krenar që kemi arritur në këtë pikë dhe pas orvatjeve mbi dhjetëvjeçare projekti ka arritur në një fazë që nuk ka kthim prapa dhe definitivisht mes viteve 2022-2023 Kosova do të jetë me kapacitete të reja gjeneruese.

Gazeta Fjala: Çfarë do të ndodhë me termocentralet ekzistuese, Kosova A dhe B?

Blerand Stavileci: Termocentrali Kosova B do të rehabilitohet dhe këtu nuk ka fare dilema. Në maj përfundon studimi i fizibilitetit i financuar nga Komisioni Evropian, që nënkupton qartësim më të madh mbi teknologjinë dhe koston financiare të rehabilitimit. USAID-i ka përfunduar studimin mbi opsionet e financimit dhe mbetet që ne si Qeveri e Kosovës të vendosim se cila do të jetë struktura e financimit, e cila njëkohësisht mund ta determinojë edhe pronësinë dhe operimin. Bazuar në diskutimet e deritashme, një financim nga financat publike do të tërhiqte donacione edhe nga aktorët e tjerë dhe kjo do të nënkuptonte ulje të ndjeshme të kostos së financimit për këtë projekt. Fati i Kosovës A është drejtpërdrejtë i lidhur me gjenerimin e kapaciteteve të reja.

Gazeta Fjala: Nëse investimet më të mëdha fokusohen në energji të prodhuar nga thëngjilli, a do të jetë atraktiv investimi në energji alternative?

Blerand Stavileci: E para, ajo që duhet sqaruar është se ne po flasim gjithmonë për sigurinë e furnizimit kur po i referohem investimeve në termocentrale, prandaj hapësira për aktivizimin e burimeve të ripërtëritshme mbetet e konsiderueshme. Fundja, ne kemi marrë obligime që burojnë nga traktati i energjisë, që 25 për qind e gjenerimit të vjen nga burimet e ripërtëritshme. Për këtë janë edhe tarifat nxitëse ndër më të lartat në rajon. Megjithatë, ne duhet të punojmë shumë që investitorët në këtë fushë të mos ballafaqohen me barriera burokratike në institucione të shumta të përfshira përgjatë procesit të investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë. Në funksion të kësaj, ne sapo kemi përfunduar edhe Udhëzimin Administrativ për themelimin e One Stop Shop, që do të ketë rol lehtësues për investitorët e kësaj fushe. Efiçienca e energjisë është po ashtu fusha tjetër për të cilën po bëjmë një zgjidhje të qëndrueshme me mekanizma mbështetës të qëndrueshëm. Në këtë fushë, Komisioni Evropian dhe Banka Botërore janë duke na mbështetur fuqishëm që edhe ne si Kosovë t’i përmbushim obligimet që dalin nga “Sustainable charter” të aprovuar në kuadër të wB6 në Paris vitin e kaluar.

Gazeta Fjala: Cili do të jetë fati i Trepçës. A po përgatitet kjo ndërmarrje për privatizim?

Blerand Stavileci: Trepça është aseti më i fjetur që nga paslufta, i cili për arsye të ditura nuk ka mundur të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Pa e tejkaluar modestinë, Trepça më bënë shumë krenar për angazhimin rreth saj në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe është një prej zgjidhjeve më të rëndësishme ekonomike, e cila mund të ketë efekte ekonomike të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Tani jemi në fazën e kompletimit administrativ të procedurave që ndërmarrja ta kalojë këtë fazë tranzitore. Fokusi i ardhshëm do të jetë në rezultatet e studimit të fizibilitetit dhe hapave që duhet ndjekur që ndërmarrja të zhvillohet. Një formë e angazhimit të kapitalit privat gjithsesi se do të jetë i nevojshëm, sepse për revitalizimin e ndërmarrjes do të jetë i nevojshëm edhe mobilizimi i konsiderueshëm i kapitalit. Nuk mund të them se cila do të jetë forma e angazhimit të këtij kapitali dhe këtu definitivisht nuk po flasim për privatizime klasike të njohura nga procesi i privatizimit.

Gazeta Fjala: A do të lejoni që pasuritë nëntokësore të jenë pjesë e dialogut me Serbinë? A ka ministria juaj kontroll mbi pasuritë nëntokësore në veri të vendit?

Blerand Stavileci: Kjo është e definuar me Kushtetutë dhe nuk është në vullnetin apo në mungesën e vullnetit të dikujt. Këto pasuri janë të popullit të Kosovës dhe nuk mund të tjetërsohen apo të negociohen me një palë të tretë pa rënë ndesh me Kushtetutën e vendit tonë. Ju e dini se funksionimi i institucioneve të vendit në pjesën veriore, përkundër një progresi në vitet e fundit, mbetet ende problem në vete. Megjithatë, si rezultat i dialogut dhe angazhimit tonë konstruktiv me komunitetin lokal dhe me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, ne do të jemi në gjendje që t’i aktivizojmë pasuritë tona në pjesën veriore dhe t’i vëmë ato në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Gazeta Fjala: Në marrëveshjen paraprake mes Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Axos për privatizimin e PTK-së, është thënë se në rast ndëshkimi nuk do të aplikohen penallti ndaj palëve. A do ta shpëtoj kjo Qeverinë nga padia e Axos?

Blerand Stavileci: Në bazë të dokumenteve që më janë prezantuar kam parë një bazë të fortë ligjore që ky rast të kaloj pa një dëmtim material për buxhetin e vendit. Megjithatë, duhet t’i presim rezultatet e vendimit. Për mua ka qenë e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të ketë një mbrojtje profesionale në këtë proces dhe kjo është realizuar, tash të shohim si do rrjedhin gjërat tutje.

Gazeta Fjala: A jeni të kënaqur me zbatimin e kontratës së KEDS me Qeverinë e Kosovës?

Blerand Stavileci: Ka disa rezultate për të cilat shumë pak flasim në publik. Para privatizimit kemi pasur subvencionim nga buxheti i vendit me rreth 15 milionë euro në vit. Që nga privatizimi, këto subvencione nuk jepen më. Tash kemi një inkasim që arrin në mbi 95 për qind. Kemi investime të vazhdueshme në rrjet dhe reduktim të humbjeve teknike. Këta janë parametra të cilët në vazhdim i kemi përcjellë përmes zyrës për mbikëqyrjen e pas privatizimit. Siç e dini, kjo periudhë ka përfunduar, sepse në bazë të kontratës ka qenë e paraparë si periudhë trevjeçare pas privatizimit. Natyrisht se ka gjëra për të cilat pres një angazhim edhe më të madh të kompanisë, sidomos në evitimin e humbjeve teknike, në aplikimin e standardeve të larta dhe në përgjegjësinë sociale të ndërmarrjes.

Gazeta Fjala: Çfarë po ndodhë me Aeroportin e Gjakovës. A ka ndonjë plan konkret për zhvillimin e tij?

Blerand Stavileci: Aty na duhet një studim i detajuar mbi mundësitë reale se për cilat funksione apo kategori të biznesit mund të kemi rezultate pozitive të investimeve dhe në të njëjtën kohë të kemi edhe investitorë që janë të gatshëm për të investuar. Idetë e caktuara të cilat kanë qarkulluar deri sot nuk janë të mbështetura në ndonjë projeksion real mbi të cilin ne do të mund të bënim planifikime në të ardhmen. Gjithashtu, mundësia që ky aeroport të mbetet si aset i FSK-së është një prej opsioneve.

Gazeta Fjala: Në rast se do të vini në krye të Prishtinës, a do të mund të qeverisni më mirë?

Blerand Stavileci: Jam i sigurt se qeverisja ime do të ishte shumë më dinamike, më kreative dhe me shumë projekte inovative. Nuk mund të mbulohet qeverisja e dështuar duke u ankuar në veprimet e pushteteve të kaluara. Nuk mund të jetë temë kryesore referenca e veprimeve të qeverisjes së kaluar. Qytetarët s’duhet të ngarkohen me debate politike, por me debate për projekte të reja që përmirësojnë mirëqenien e tyre dhe që ua zgjedhin problemet atyre.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-blerand-stavileci-territ-po-i-vije-fundi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala