Intervistë| Avdullah Hoti: 38 milionë euro nuk mjaftojnë për veteranët

Autori:Gazeta Fjala

avdullah hoti foto

Buxheti i ndarë për ketë vit për veteranë prej 38 milionë eurove është i pamjaftueshëm për numrin aktual dhe përfitimet që marrin veteranet. Kështu, tregon Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti derisa shpjegon se e kujt ishte ideja për rritjen e benificioneve të deputetëve.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, i pari i financave të Kosovës thotë se me fillimin e implementimit të plotësim-ndryshimeve që janë bërë në Kuvend në Ligjin për Veteranet, do të rregullohet çështja e statusit të veteranit dhe shuma që ata përfitojnë.

“… veteranët që kualifikohen në skemat përfituese sipas legjislacionit të ri nuk do të duhej të kenë frikë se nuk do të marrin benefitet e tyre”, thotë Hoti.

Ndërkaq për benificionet e reja të deputetëve ai në njëfar forme lë përgjegjësr Ministrinë e Administratës Publike si bartëse për hartimin e ligjit për pagat.

Hoti paralajmëron shumë ndryshime edhe në administratën publike.

“Por, parimi i përgjithshëm me rastin e hartimit të Ligjit për paga ka qenë që pagat (pagat bruto) nuk duhet zvogëluar për stafin profesional që punojnë në sektorët e Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, FSK, Drejtësisë..”

Në këtë intervistë, ai shpjegon në detaje, pakon e re fiskale që pritet të hyjë në fuqi këtë vit, angazhimin e Qeverisë së Kosovës për krijimin e lehtësirave për prodhuesit vendës e qasjen më të lehtë në financa.

 Gazeta Fjala: Ministër, temë diskutimi së fundmi është pakoja e re fiskale. Çfarë përmban ajo? Cilat ishin efektet e pakos së parë fiskale?

 Avdullah Hoti: Pakoja e re fiskale është dizajnuar me qëllim të rritjes së prodhimit vendor duke krijuar lehtësira për biznese prodhuese. Kjo pako fillimisht është konceptuar me shtatë masa, nisma për të cilat është aprovuar në parim nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar. Në këto masa bëjnë pjesë:

  • Zgjerimi i listës së produkteve që konsiderohen si lëndë e parë, për lirim nga tatimi doganor;
  • Heqja e normës së akcizës në mazut që përdoret për qëllime prodhimi;
  • Ndryshim/plotësimi i listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar 8 % të TVSH-së;
  • Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore;
  • Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës;
  • Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e caktuara nën të cilat pranohen (njihen) humbjet nga prishja, avullimi apo humbja e peshës së naftës dhe produkteve të saj;
  • Krijimi i kodeve të reja doganore për disa produkte, sipas praktikave të BE-së.

Gjatë muajve janar dhe shkurt 2017, kemi zhvilluar diskutime publike me të gjithë përfaqësuesit e bizneseve, ku janë marrë propozime për masa të reja ku hyjnë:

  • Krijimi i listës së rejtingut të kompanive;
  • Krijimi i një portali të transparencës me qëllim të rritjes së efikasitetit të trajtimit të kërkesave të bizneseve për licenca të ndryshme,
  • Avancimi i sistemit të fiskalizimit përmes një sistemi të ri të IT-së,
  • Ndryshim/plotësimi i Ligjit për lojërat e fatit,
  • Krijimi i Listës së prodhuesve vendor;
  • Ndryshim/plotësimi i Ligjit për Të Ardhurat e Korporatave dhe Ligjit për të Ardhurat Personale për të adresuar formën e tatimimit të kompanive të sigurimit si dhe Tatimin e mbajtur në burim për grumbulluesit e produkteve bujqësore;
  • Ndryshim/plotësimi Ligjit për TVSH-në për të adresuar formën e tatimimit të kompanive të transportit të udhëtarëve;
  • Trajtimi i telefonisë mobile me qëllim të trajtimit doganor të këtyre shit-blerjeve;
  • Trajtimi i normës së akcizës në pijet e gazuara dhe jo të gazuara;
  • Trajtimi i importit të pajisjeve prodhuese në formë parciale;
  • Rregullimi i tregut të shitjeve on-line etj.

Sa i përket efekteve të pakos së parë fiskale që ka hyrë në fuqi në shtator 2015, vlerësimet janë se ka pasur ndikim të konsiderueshëm në rritjen e prodhimit vendor duke ulur koston e prodhimit, rritjen e konkurrencës ndërmjet bizneseve si dhe fuqizimin e sektorit të IT-së dhe atij të bujqësisë, si sektorë me potencialin më të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gazeta Fjala: Cilat do të jenë implikimet buxhetore, në shifra, që do të ketë masa për pushimet tatimore?

Avdullah Hoti: Udhëzimi Administrativ për Pushimet Tatimore është një prej masave të pakos së re fiskale, për të cilën ne ende jemi duke bërë analizat e nevojshme për implikimet buxhetore që mund të ketë implementimi i kësaj mase. E rëndësishme është që kjo masë të shërbejë si incentivë për bizneset që të krijojnë investime të reja dhe të gjenerojnë vende të reja të punës.

Gazeta Fjala: E kujt ishte ideja për rritjen e benificioneve të deputetëve?

 Avdullah Hoti: Bartës për hartimin e Ligjit për paga ka qenë Ministria e Administratës Publike. Ajo që mund të them është se parimi i përgjithshëm me rastin e hartimit të Ligjit për paga ka qenë që pagat (pagat bruto) nuk duhet zvogëluar për stafin profesional që punojnë në sektorët e Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, FSK, Drejtësisë etj.  Parim i dytë ka qenë që punonjësit që kryejnë punë të njëjtë të kenë page të njëjtë dhe mos të jetë në diskrecion të asnjë individi apo agjencie që vetë të caktojë pagat për stafin e tyre. Dhe parimi tjetër, jo me pak i rëndësishëm, ka qenë që të këtë një rregullim dhe harmonizim të pagave mes tri pushteteve.

 Gazeta Fjala: Ligji për pagat a do të përcillet me ristrukturim të administratës dhe cili do të jetë efekti në të ardhurat e shërbyesve civil?

 Avdullah Hoti: Ligji për paga është ligji më i rëndësishëm i reformës së administratës publike. Mbi 80 mijë persona marrin paga rregullisht nga buxheti i shtetit. Buxheti për paga është në rritje, dhe sivjet është është për 83 mil më i lartë se më 2014, apo 17% më shumë. Po zbatojmë kontratën kolektive për përvojën e punës, që kushton rreth 35 mil në vit. Duhet të harmonizohen pagat në mes të agjencive të pavarura, ku janë 32 institucione dhe agjenci të pavarura të Kuvendit dhe 46 institucione, agjenci dhe trupa në kuadër të Qeverisë dhe Ministrive.

Përveç pagës bazë, shumë të punësuar marrin shtesa të ndryshme, siç janë shtesat për kushtet e tregut të punës, shtesat për rrezikshmëri, shtesat për pozitat menaxheriale etj. Me këtë ligj rregullohet mënyra e përfitimit dhe niveli i shtesave. Shtesat e rrezikshmërisë nuk do të preken, në veçanti për policinë, dogana dhe tatimet, organet e drejtësisë, prokuroria dhe gjyqësia, dhe kategoritë e tjera që përfitojnë shtesa për rrezikshmëri.

 Gazeta Fjala: Sa vlerësohet të jetë shkalla e evazionit fiskal në Kosovë dhe cilat janë burimet e këtij evazioni?

 Avdullah Hoti: Evazioni fiskal, si një nga sfidat e kryesore të shtetit, është një çështje që e kemi trajtuar prej fillimit të mandatit të kësaj Qeverie. Kemi bërë ndryshime në legjislacion për të ulur në përgjithësi nivelin e ekonomisë joformale. Në këtë fazë që jemi tash, shkalla e ekonomisë joformale sillet në rreth një të katërtën e ekonomisë. Ne jemi duke ndërmarrë vazhdimisht hapa për të ulur shkallën e informalitetit në vend, ku një ndër ta është edhe masa e veçantë e përfshirë në pakon fiskale 2.0 përmes të cilës synojmë ta përmbyllim procesin e fiskalizimit të bizneseve, duke avancuar sistemin e fiskalizimit përmes një sistemi të ri të IT-së.

Gazeta Fjala: A do të ketë para të mjaftueshme në buxhet për veteranët deri në fund të vitit?

 Avdullah Hoti: Buxheti i ndarë për ketë vit për veteranë prej 38 milionë eurove është i pamjaftueshëm për numrin aktual dhe përfitimet që marrin veteranet. Besojmë se me fillimin e implementimit të plotësim-ndryshimeve që janë bërë në Kuvend në Ligjin për Veteranet, do të rregullohet çështja e statusit të veteranit dhe shuma që ata përfitojnë. Dua të theksoj se veteranët që kualifikohen në skemat përfituese sipas legjislacionit të ri nuk do të duhej të kenë frike se nuk do të marrin benefitet e tyre.

 Gazeta Fjala: A po favorizohen kompanitë e mëdha me masat e reja ligjore për miellin?

 Avdullah Hoti: Nxjerrja e akteve të nevojshme legjislative për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit i cili qarkullon në tregun e Kosovës nuk ka për qëllim në asnjë mënyrë që të favorizojë një kompani apo tjetrën. Kjo masë është dizajnuar me qëllim të zvogëlimit apo eliminimit të tregut jo formal në këtë sektor dhe përmirësimin e cilësisë së miellit që qarkullon në Kosovë për të mundësuar rritjen e sigurisë për konsumatorët, prodhuesit dhe importuesit e miellit.

Gazeta Fjala: Një nga ankesat kryesore e bizneset është qasja në financa.  Çfarë po bën Qeveria e Kosovës për të lehtësuar qasjen e bizneseve në financa?

 Avdullah Hoti: Lehtësimi i qasjes së bizneseve në financa është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kjo çështje është ndër rekomandimet kryesore të Komisionit Evropian. Zhvillimet e fundit në sektorin bankar tregojnë përmirësime të konsiderueshme në ulje të normave të interesit për kredi.

Si hap konkret që është ndërmarrë drejt përmirësimit të qasjes së bizneseve në financa është marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës (FSDK) për një linjë të hapur kreditore në vlerë prej 24 milion Euro. FSDK është institucion i pavarur publik që ka për qëllim mbrojtjen e depozituesve të vegjël nga humbjet financiare në rast të dështimit të bankave. Kjo masë do të rrisë depozitat në sistemin bankar dhe rrjedhimisht do të rrisë kredidhënien.

Gjithashtu një hap i madh që është bërë në këtë drejtim është themelimi i Fondit për Garanci Kreditore, si institucion kreditor i cili do të lëshojë garanci kreditore për bankat, institucionet mikro-financiare dhe institucionet financiare jo-bankare për të mbuluar deri në 50% të riskut për kredi për ndërmarrjet mikro, të mesme dhe të vogla.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-avdullah-hoti-38-milione-euro-nuk-mjaftojne-per-veteranet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala