Intervistë| Arban Abrashi: Do ta ndryshojmë skemën e pensioneve

Autori:Gazeta Fjala

abrashi-info

Këtë vit Qeveria e Kosovës do të nis përgatitjet për krijimin e Fondit Pensional. Ndryshe nga deri tani që të punësuarit kanë kontribuar vetë për pensionin, ekzekutivi duket se planifikon të kthejë sistemin e dikurshëm që gjeneratat e reja paguanin për pensionet e gjeneratave më të vjetra.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, në një intervistë për Gazetën Fjala, ka bërë të ditur se kjo mbetët të jetë pjesë e një debati gjithpërfshirës, “pas propozimit të cilin do të shpalosim, besoj këtë vit”.

“Në parim, krijimi i një Fondi Pensional, mes tjerash, do të duhej bazuar në kontributet e gjeneratave, por që nuk përjashton edhe forma tjera të gjenerimit të mjeteve financiare për një Fond të tillë”, ka thënë Abrashi.

Para se të ndodhë kjo ai thotë se do të të vazhdojë reformën e cila nënkupton menaxhim edhe më të mirë të skemave, “që do të sjellë edhe kursime shtesë, njëkohesisht synojmë të nisim edhe dy skema e tjera, skemën e pensioneve invalidore dhe pensioneve familjare”.

“Pasi të kemi ndërmarrë këto veprime, planifikojmë të hapim debatin, ku do të propozojmë një reformë më të thellë dhe më afatgjate”.

Abrashi në këtë intervistë fletë edhe për lartësinë e pensioneve të veteranëve, e cila do të varet kryekëput nga zhvillimi ekonomik i vendit, për të arriturat e ministrisë e tij, sa i përket punësimit, caktimin e pagës minimale, pensionet e shqiptarëve në Zvicër e shumë çështje tjera.

Gazeta Fjala: Kemi hyrë në vitin e tretë të qeverisjes, sa për qind të planit tuaj keni arritur ta realizoni deri më tani? Cilat janë sfidat për këtë vit?

Abrashi: Ministria që unë drejtoj, në përgjithësi realizon mes 90-95% të planit. Ndërsa në nivel qeverie, programi ynë qeverisës po realizohet me sukses, çka dëshmohet edhe nga rritja ekonomike prej 4%, si dhe ajo e buxhetit më të madh të njohur ndonjëherë, që tani ka kapur shifren prej dy miliardë euro.

Sfidat janë mbajtja e hapit të rritjes ekonomike, tërheqja e investimeve të huaja, niveli ende i lartë i papunësisë, aftësimi dhe riaftësimi, veçanërisht i të rinjve, ku e kemi edhe numrin më të lartë të papunëve, punësimi i grave dhe grupeve tjera të margjinalizuara. Për të gjitha këto, kemi bazë për të qenë optimistë për përballimin e tyre me sukses.

Gazeta Fjala: Inspektorati i Punës për cdo vit tregon se në tregun e Kosovës janë me mijëra punonjës në sektorin privat pa kontrata pune dhe në kushte të rënda. Keni premtuar zero tolerancë në këtë drejtim, përse nuk po shihen efektet?

Abrashi: Në fund të vitit që lamë pas, Inspektoriati i Punës ka përgaditur një Plan Veprimi, plan i cili reflekton këtë prioritet. Ky plan i është prezantuar edhe Komisionit Evropian në Bruksel, kjo sepse në mesin e obligimeve kundrejt këtij institucioni, figuron edhe luftimi i informaltetit në tregun e punës. Kemi të bëjmë me një planifikim afatmesëm, i cili parasheh rritjen progresive të inspektimeve nga IP-ja, por edhe masa inkurajuese për operatorët ekonomik e biznesor. Gjithashtu, parashihet edhe rritje e përkrahjes infrastrukturore dhe resurseve njerëzore të IP-së. Pra qysh nga fillimi i këtij viti, pres aktivitet të shtuar nga Inspektorati i Punës, përderisa do angazhohem personalisht, që të siguroj që progresi është i shpejtë, i matshëm, dhe premtues për të ardhmen.

Gazeta Fjala: Përse nuk është caktuar këtë vit paga minimale?

Abrashi: Kemi trajtuar disa herë pagën minimale në kuadër të diskutimeve të KES-it, dhe siç e dini ekziston një formulë e cila përcakton këtë pagë. Sidoqoftë, kemi një pajtim që duhet të largojmë pagën e dyfishtë minimale; pra të kemi vetëm një pagë minimale, pavarësisht moshës së punëkërkuesëve. Besoj që këtë vit, KES do të dalë me propozime konkrete, sa i përket azhurnimit të formulës e cila përcakton lartësinë e pagës minimale. Por të jemi të hapur, kjo nuk është thjeshtë një ushtrim teknokratik, dhe as vetëm i disponueshmërisë në dialogun social, kjo ka të bëjë me një qasje e cila bazohet në ambientin socio-ekonomik. Duhet të sigurohemi që të mos shkurtojmë degë, të cilat ofrojnë pemë, thjeshtë duhet të punojmë ngushtë me sektorin punëdhënës, që të sigurojmë që rritja e pagës ofron më shumë qëndreushmëri dhe produktivitet edhe te ta. Duhet presim edhe propozimin përfundimtar të KES.

Gazeta Fjala: A i besoni të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për papunësinë? Sa është numri i papunëve dhe sa do të punësohen këtë vit?

Abrashi: Statistikat nga ASK prodhohen sipas standardeve të BE-së, konkretisht sipas standardeve të EUROSTAT-it, dmth në përputhje me standardet më të larta evropiane. Pra unë iu besoj këtyre standardeve, por nëse ka dyshime dhe skepticizëm të theksuar nga kushdo, një informacion më i detajuar se si dhe sa aplikohen këto standarde, nuk do i bënte keq askujt. Pavarësisht, ulja e papunësisë është fakt i kryer, të cilin e kam konfirmuar nga burime dhe analiza multi-sektoriale. Në 2016 pamë për herë të parë rënie të papunësisë nën nivelin 30%, kjo dëshmohet nga fakti se përgjatë tërë vitit 2016 rënia e papunësisë ka lëvizë mes 6% dhe 7% krahasuar me 2015, pra 26%-27% në 2016 krahasuar me 33% në 2015. Pra kemi të bëjmë me rënie të qëndrueshme dhe këtë e them pa modesti se kjo është impresive për mua. Shërbimi Publik i Punësimit në kuadër të MPMS, është një nga shtyllat që realizuan këtë ulje, dhe këtë ma konfirmojnë të gjitha statiatikat e institucionit që unë drejtoj. Por unë do isha i paknaqur edhe sikur papunësia të ishte ta zëmë 10%, dhe kjo më nxitë të bëjë krejt çfarë mund të bëjmë si institucion.

Gazeta Fjala:  Në cilët sektor janë krijuar më shumë vende të reja pune dhe cfarë profesionesh?

Abrashi: MPMS përmes bashkëpunimit me partnerë ka ofruar mundësi punësimi, aftësimi apo trajnimi përmes një serie të projekteve në prodhimitari të ndryshme, punëve publike, ndërmarrësisë, vetëpunësimit. Sidoqoftë, sipas të dhënave aktuale, punësimi më i lartë është vërejtur tek industritë përpunuese, ndërtimaria dhe tregtia.

Gazeta Fjala: A do të zvoglohen benificionet për veteranët apo do të rritet buxheti për kategoritë e dala nga lufta?

Abrashi: Në fund të vitit të kaluar jemi dakorduar me Shoqatat e Luftës, dhe me FMN-në, për kategorizimin e veteranëve dhe shumat për secilën kategori, në kuadër të një buxheti vjetor i cili nuk kalon 0.7% të BPV. Pra kjo është marrëveshja tash për tash, as rritje as zvogëlim, deri sa nuk ndodh kategorizimi. Përderisa 0.7% e BPV nënkupton, që çdo vit, me rritjen e BPV do të rritet edhe buxheti për këtë kategori.

Gazeta Fjala: A do të ndryshohet ligji për pensionet në Kosovë, për të krijuar fondin pensional?

Abrashi: Këtë vit mendojmë të vazhdojmë reformën e cila nënkupton menaxhim edhe më të mirë të skemave, që do të sjellë edhe kursime shtesë, njëkohesisht synojmë të nisim edhe dy skema e tjera, skemën e pensioneve invalidore dhe pensioneve familjare. Pasi të kemi ndërmarrë këto veprime, planifikojmë të hapim debatin, ku do të propozojmë një reformë më të thellë dhe më afatgjate.

Gazeta Fjala: A nënkupton kjo që ne do të paguajmë pensione për gjeneratat që do të vinë, sic ka qenë në sistemin e kaluar?

Abrashi: Në parim, krijimi i një Fondi Pensional, mes tjerash, do të duhej bazuar në kontributet e gjeneratave, por që nuk përjashton edhe forma tjera të gjenerimit të mjeteve financiare për një Fond të tillë. Sidoqoftë, kjo mbetët të jetë pjesë e një debati gjithpërfshirës, pas propozimit të cilin do të shpalosim, besoj këtë vit.

 Gazeta Fjala: Pse nuk është arritur marrëveshja mes Potës së Kosovës dhe Ministrisë suaj që pensionistët ti marrin pensionet e tyre aty dhe jo përmes bankave që janë duke i marrë tani? A ka marrveshje Ministria juaj me këto banka ?

Abrashi: Diskutimet me Postën kanë nënkuptuar shpërndarjen e asistences sociale; për pensione nuk është diskutuar, pasi pensionet transferohen në xhirollogari personale. Ne vlersojmë përmbushjen e disa parakushteve, së pari atyre ligjore, si dhe mbrojtja e interesit të atyre që pranojnë këto mjete.

Gazeta Fjala: Qeveria e Kosovës ka miratuar Nismën për lidhjen e marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet konfederatës së Zvicrës dhe Qeverisë së Kosovës. Cfarë nënkupton kjo marrëveshje?

Abrashi: Ky është një lajm i mirë për qytetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Pas përfundimit të negociatave dhe arritjes së marrëveshjes pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës dhe të drejta tjera nga fusha e sigurimit social, do të mund të gëzohen nga qytetarët tanë, që do të mund të vendosin të marrin pensionin në shtetin e Kosovës. Në bazë të kësaj marrëveshje, do të mundësohet edhe e drejta për të bashkuar periudhat kontributive. Po ashtu ky proces forcon kredibilitetin tonë ndërkombëtar, para i hapë rrugë marrëveshjeve tjera. Ne jemi duke provuar të rikuperojmë kohen e humbur para kësaj qeverie, sidoqoftë negociatat mes shteteve kërkojnë durim dhe kohë, por rezultatet nuk do të mungojnë.

Gazeta Fjala: Në këshillin Ekonomik Social, ju i njihni partner edhe BSPK-në e AKB-në, të cilët nuk kanë dëshmuar se përfaqësojnë ligjërisht punëtorët, respektivisht bizneset. Përse nuk po bëni rivlerësim të partnerëve sociale?

Abrashi: E keni harruar edhe Oden Ekonomike, partner i fuqishëm i yni në këtë institucion! Mandati i KES, është mandat 4 vjecar, dhe këto janë dy organizata kanë aplikuar dhe janë përzgjedhur në vitin 2014, gjatë procesit të antarësimit në KES. Nuk kam informacione që provojnë që BSPK, Oda Ekonomike apo AKB, nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj. Rrjedhimisht, në kuadër të Këshillit Ekonomik Social dhe dialogut social, ne i njohim si përfaqësues, pavarësisht pakënaqësive të kohëpaskohshme që nuk na përkasin neve. Konkurrenca për antarësim dhe përfaqësim në KES është e hapur për të gjithë partnerët social, përderisa MPMS inkurajon pjesëmarrjen dhe përfaqësimin sa më gjithëpërfshirës dhe sa më divers, për këdo që plotëson këto kritere.

Gazeta Fjala: Ministër, gjithnjë e më shumë kuadro (inxhinier, mjek, e IT) po ikin nga Kosova. Cfar po bëni që të krijoni kushte për ta në vend?

Abrashi: Nuk mund të pajtohem me konstatimin tuaj se gjithnjë e më shumë kuadro po ikin nga vendi. Kosova ka një sektor të shëndetësisë private mjaft të zhvilluar që është atraktiv për mjekët kosovar. Inxhinierët dhe IT-të e Kosovës janë ndër më inovatorët në rajon, gjithnjë e më shumë aktivitete të ndryshme zhvillohen nga ta për promovimin e punës së tyre. Shumë prej tyre ofrojnë shërbime nga Kosova për kompani të huaja. Mendoj se kjo flet për një ambient të përshtatshëm biznesi në Kosovë.

Në Kosovë është përhapur një keqkuptim se shteti nuk po iu ofron punë profesionistëve prandaj ata po ikin nga vendi. Ne duhet ta përkrahim sektorin privat në mënyrë që ai të zhvillohet si sektor i gjenerimit të punësimit. Këtu ka hapësirë për të qenë kritik, por vlerësimet e Bankës Botërore flasin për një ambient biznesi gjithnjë e më të përshtatshëm. Sidoqoftë është e rëndësishme të theksojmë që synime tona janë të bëhemi, përherë e më shumë, pjesë e një ekonomie dhe tregu më të madh të punës në nivel evropian dhe më gjerë, gjë që nënkupton që migrimi qarkor mundëson zhvillimin e kapaciteteve tona njerëzore dhe profesionale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-arban-abrashi-do-ta-ndryshojme-skemen-e-pensioneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala