Intervistë| Alaj kërkon ligj për valutat digjitale

Autori:Gazeta Fjala

alajjjjjjjjjjjjjjjjj

Nuk ka ligj për monedhat virtuale, por përdorimi i tyre sa vije e po rritet në shtetin më të varfër në Evropë.

Madje pritjet e atyre që tregtojnë me Bitcoin e monedha tjera të ngjashme, janë të mëdha për fundin e këtij viti, bazuar në ecurinë globale të këtij tregu, i cili ende vlerësohet i pa sigurt.

Mirëpo, edhe pse në Kosovë siguria për ta nuk garantohet nga asnjë institucion i shtetit, por është lënë në përgjegjësinë individuale dhe kujdesin e vetë klientëve, kjo nuk po i pengon qytetarët që ta përdorin.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, Ardian Alaj, përfaqësues i kompanisë ALBVISION, kompania e cila solli ATM-të e parë në Kosovë  rrëfen për funksionimin e këtyre valutave, në veçanti asaj Bitcoin.

Më së shumti sipas tij, kjo valutë përdoret nga grup moshat 30 deri në 45 vjet ndërsa tregon edhe për nevojën e rregullimit ligjor në vend.

“Rregullimi i kujdesshëm i kësaj veprimtarie është padyshim në dobi dhe interes të qytetarëve”, thotë Alaj, derisa shpreh gatishmëri të kontribuojnë me ekspertizën tashmë shumëvjeçare në cilindo aspekt.

Gazeta Fjala:  A ka të interesuar për Bitcoin?

Ardian Alaj: Marrë parasysh se ka pak muaj prej kur kemi filluar, interesimi i qytetarëve është i kënaqshëm.

Gazeta Fjala: Cilave grup mosha ju takojnë të interesuarit?

Ardian Alaj: Janë moshat nën 30 dhe ajo deri 45 të cilat vërehen më shumë të interesuar.

Gazeta Fjala:  Si po funksiononi kur Banka Qendrore e Kosovës, e ka konsideruar këtë veprimtari si ilegale, pasi që Kosova nuk ka ligj që e rregullon përdorimin e  monedhave virtuale?

Ardian Alaj: Në deklaratën e BQK-së, por edhe në komunikimet tona me ta, BQK ka konfirmuar atë që ka qenë e ditur: se nuk ka ligj i cili rregullon këtë veprimtari në Kosovë dhe i ka ftuar qytetarët që të bëjnë kujdes me investimet sepse përgjegjësia është individuale duke mos u garantuar investimet. Depozitat e qytetarëve, qoftë fizik apo juridik, sipas legjislacionit në fuqi, edhe në Banka janë të garantuara deri në 4,000 Euro. Ne si ALBVISION kemi kërkuar dhe vazhdimisht jemi duke kërkuar që veprimtaria e Kriptovalutave të rregullohet me një bazë ligjore, e cila do të ishte në dobi të vetë ekonomisë në Kosovë. Rregullimi i kujdesshëm i kësaj veprimtarie është padyshim në dobi dhe interes të qytetarëve. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë me ekspertizën tonë tashmë shumëvjeçare në cilindo aspekt.

Gazeta Fjala:  A keni pas problem në doganë gjatë importimit të ATM-ve?

Ardian Alaj: Nuk ka pasur vështirësi të cilat ja vlen të përmenden.

Gazeta Fjala:  Po në ATK, a keni pas ndonjë problem?

Ardian Alaj: Përveç shkëmbimit të disa informatave nuk ka pasur ndonjë problem me ATK-ne.

Gazeta Fjala:  Sa pika janë hapur deri tash dhe a do të hapni të tjera?

Ardian Alaj: Deri më tani janë disa pika në Kosovë dhe Shqipëri, derisa natyrisht se do të hapen zyra tjera përfaqësuese si dhe vendosjen e më shumë se 10 ATM-ve të cilat pritet të funksionalizohen deri në fund të vitit.

Gazeta Fjala:  A jeni ju të vetmit që operoni me Bitcoin apo ka edhe të tjerë?

Ardian Alaj: Në mënyrë të strukturuar dhe me infrastrukturë mund të themi se jemi të vetmit që operojmë me Bitcoin, derisa Bitcoin nuk është veprimtaria jonë e vetme. Kompania jonë ka më shumë se 4 vite që merret me industrinë e kriptografisë dhe operojmë fabrikë të prodhimit të kriptovalutave por edhe të miningut dhe tregtisë. Këto aktivitete janë të rregulluara

Gazeta Fjala:  A keni ndonjë iniciativë për të bashkëpunuar me bankat?

Ardian Alaj: Nuk kemi konkluduar në ndonjë bashkëpunim deri më tani, ndërsa kemi kanale të komunikimit thuajse me të gjitha Bankat. Gjithsesi, Fatkeqësisht shumë nga bankat e shohin natyrën e Bitcoin më shumë si konkurrencë se si diçka që mund ta kthejnë në vlerë. Në fund të fundit, Bankat u nënshtrohen licencave të BQK-së dhe derisa nuk ka bazë ligjore nuk mund të pritet ndonjë bashkëpunim.

Gazeta Fjala: Cilat janë përfitimet?

Ardian Alaj: Më së shumti mund të fitonte shteti, nëse do të tregohej i gatshëm për ta shqyrtuar dhe gjetur mënyrën më të mirë të rregullimit edhe me ligj. Ne si ALBVISION kemi deklaruar që ditën e parë se prioritet e kemi ngritjen e temës së Kriptovalutave dhe të teknologjisë së Blockchain në komunitet dhe shoqërinë tonë, inkurajimin e tyre për ta kthyer në një vlerë dhe për ta shfrytëzuar. Veçse jemi në fund të parapërgatitjeve për mbajtjen e eventit të parë bashkë edhe me pjesëmarrësit e ICT Aëards, gjë që do të sjellë shumë përfitime për komunitetin dhe të gjithë shqiptarët.

Gazeta Fjala: Çfarë vlere ka tani Bitcoin?

Ardian Alaj: Aktualisht vlera e një Bitcoini është 3,850.00 euro. Por mos u ndalni vetëm me Bitcoin, (Arjeta Shabani) /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-alaj-kerkon-ligj-per-valutat-digjitale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala