Intervistë| Ahmet Tmava: Qeveria ia ktheu shpinën Trepçës

Autori:admin

tmava

Prej kur është bërë me ligj, gjiganti metalurgjik “Trepça”, Qeveria e Kosovës duket se e ka harruar këtë ndërmarrje. As edhe një veprim për përmbushjen e obligimeve që dalin nga ligji nuk e ka ndërmarrë për “fillimin e një epoke të re zhvillimore për Trepçën, siç e quante kryeministri Isa Mustafa”. Madje as nuk është regjistruar si shoqëri aksionare në pronësi të Republikës së Kosovës.

Drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, në një intervistë për Gazetën Fjala, thotë se tani për tani nuk mund të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes si shoqëri aksionare sepse duhet të behet statuti.

“… dhe statutin e bën dhe e rekomandon Bordi mbikëqyrës i cili pastaj duhet të aprovohet në Kuvend. Ky bord nuk është bërë ende”, thotë Tmava.

Kjo vonesë, ai thotë se po i kushton shumë në investimet kapitale, investimet në objektet minerare, punësim e zbatim të vizionit zhvillimor.

“Ky stagnim nënkupton prolongim të politikave zhvillimore”, thotë ai duke nxjerrë në pah edhe një kërcënim që i kanoset pasurisë minerare të Kosovës me vendim të Qeverisë.

“Ka qenë një kërkesë e institucioneve qendrore, edhe qeverisë edhe parlamentit, që bazën për një vizion zhvillimor, të bëhet një studim i fizibilitetit nga një kompani ndërkombëtare dhe e mbikëqyrur nga AKP-ja është zgjedhë një kompani që ka bërë studimin e fizibilitetit”.

Ky studim që pritet të bëhet publik këto ditë, në draftin e parë Tmava thotë se ka pasur shumë defekte.

Si defekt më i madh del të jetë përgjysmimi i pasurive minerare dhe mungesa e një strategjie të qartë se si do të zhvillohet Trepça në të ardhmen.

Gazeta Fjala: Kanë kaluar gjashtë muaj prej kur është bërë Ligji për Trepçën, a po zbatohet ky ligj?

Ahmet Tmava: Aprovimi i Ligjit për Trepçën do të thotë që të çlirohemi nga ankthi se Trepça do të shkojë në likuidim apo jo. Mendoj se është bërë një punë e mirë, por megjithatë veç aprovimit të ligjit për Trepçën pa zbatimin e tij nuk do të thotë asgjë në aspektin e fillimit të një epoke të re zhvillimore për Trepçën.

Sepse zbatimi i Ligjit për Trepçën parasheh një formë tjetër të organizimit të ndërmarrjes. Duhet të regjistrohet si shoqëri aksionare dhe për me argumentu se çka do të thotë zbatimi i ligjit, ne ende veprojmë si ndërmarrje shoqërore, por sipas ligjit ne tashme veç është dashur të funksionojmë nën mbikëqyrje të Qeverisë si shoqëri aksionare.

Nuk mund të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes si shoqëri aksionare sepse duhet të behet statuti i ndërmarrjes dhe statutin e bën dhe e rekomandon Bordi mbikëqyrës i cili pastaj duhet të aprovohet në Kuvend. Ky bord nuk është bërë ende.

Mos bërja e bordit definitivisht e pamundëson plotësisht fillimin e funksionalizimit të Ligjit për Trepçën sepse hapi i parë është statuti, pastaj regjistrimi i ndërmarrjes, zgjedhja e bordit menaxhues dhe fillimi i implementimit të një strategjie zhvillimore për Trepçën. Kështu që ky prolongim kohor me të vërtetë neve është duke na kushtuar shumë sepse vet natyra e ndërmarrjes, investimet kapitale, investimet në objektet minerare, dinamika kohore për realizmin e investimeve kapitale në aspektin e punimeve minerare përgatitore për me hy në dinamiken implementuese të vizionit zhvillimor. Ky stagnim nënkupton prolongim të politikave zhvillimore.

Gazeta Fjala: Sa kohë u bën që po prolongohet krijimi i Bordit?

Ahmet Tmava: U bën 7 muaj që nga hyrja në fuqi e ligjit. Që nga ajo kohë nuk është krijuar bordi. Që nga momenti i aprovimit të ligjit, menjëherë është dashur të fillohet me zgjedhjen e Bordit mbikëqyrës nga Qeveria dhe ky bord pastaj ish autorizu për me zgjedh sipas ligjit edhe bordin menaxhues dhe menjëherë të bëhet regjistrimi i ndërmarrjes dhe të filloj implementimi i kësaj epoke të re. Prandaj edhe njëherë po them mosfunksionalizimi i Ligjit është duke na sjellë në telashe jashtëzakonisht të mëdha sepse atje bëhet një punë dhe angazhim shumë i madh, mirëpo kjo prerje nga një status mbijetese në një status zhvillimor do të thotë shumë. Kjo do të reflektonte në hapje të vendeve të reja të punës, përtëritjen e fuqisë punëtore, rritjen e masave investive, rritjen e të hyrave financiare në ndërmarrje.

Gazeta Fjala: Cilat janë obligimet e Bordit që dalin nga Ligji dhe mos funksionalizimi i tij sa e dëmton Trepçën?

Ahmet Tmava: Bordi mbikëqyrës, me vet faktin se sot veprojmë ende si ndërmarrje shoqërore, kurse jemi të mbikëqyrur nga Qeveria, kjo tregon se ndodhemi në një vakum ligjor veprues. Kjo është shumë më rëndësi, jemi të privuar nga e drejta dhe mundësia për të sjellë vendime madhore, siç është punësimi, siç janë veprimet e mëdha në aspektin e funksionalizmit të njësive sepse gjithçka tanimë duhet të bëhet sipas strategjisë zhvillimore që duhet të zyrtarizohet nga Bordi mbikëqyrës dhe objektivat që dalin nga ndërmarrja e Trepçës si shoqëri aksionare.

Gazeta Fjala: Pse nuk janë marr në punë punëtorët e rinj për të cilët është shpallë konkursi?

Ahmet Tmava: Duke e ditur se kemi të bëjmë me një fuqi punëtore në moshë të shtyrë dhe gjendje shëndetësore jo të mirë kemi shpallur një konkurs dhe interesimi ka qenë shumë i madh. Mirëpo konkursi është shpallur para se të aprovohet Ligji dhe kemi bërë përpunimin e të gjitha aplikacioneve dhe kemi qenë shumë të gatshëm për ta zyrtarizuar pranimin e punëtorëve të rinj. Kemi kërkesë që të rritet numri i të punësuarve, mirëpo krejt kjo fuqi punëtore meqenëse tanimë ligji veç ka hy në fuqi, ne mendojmë që duhet të jenë në funksion të politikave zhvillimore të ndërmarrjes. Këto politika zhvillimore të ndërmarrjes bëhen pas aprovimit të një strategjie zhvillimore për Trepçën nga Bordi mbikëqyrës. Dhe meqenëse jemi të privuar nga mundësia për të sjellë vendime të mëdha, me shpresën se do të bëhej bordi, është prolonguar edhe konkursi. Mirëpo unë jam i bindur që vlefshmëria e të gjithë aplikacioneve është në fuqi dhe vetëm mos zgjedhja e Bordit mbikëqyrës, Bordit menaxhues dhe strategjisë zhvillimore, është duke na mbajtur peng. Me konkursin e fundit kemi kërkuar 100 punëtorë por kemi nevojë shumë më shumë se kaq. Momenti i parë që do të zgjidhet bordi funiksionalizohet konkursi dhe ecim më tutje.

Gazeta Fjala: Cili është qëndrimi juaj për studimin e fizibilitetit për Trepçën, që tashme është publikuar drafti i parë?

Ahmet Tmava: Ka qenë një kërkesë e institucioneve qendrore, edhe qeverisë edhe parlamentit, që bazën për një vizion zhvillimor, të bëhet një studim i fizibilitetit nga një kompani ndërkombëtare dhe nen mbikëqyrjen e AKP-së është zgjedhë një kompani që ka bërë studimin e fizibilitetit. Kemi ofruar bashkëpunim. Drafti i dhënë ka pasur shumë defekte të cilat i kemi paraqitur me shkrim. I kemi prezantuar shqetësimet tona me argumente lidhur me këtë draft. Presim këto ditë të dal drafti final dhe të shohim se çka është implementu prej vërejtjeve dhe sugjerimeve tona si ekspertë të Trepçës.

Gazeta Fjala: Cilat janë pikat kryesore të këtij studimi që ju si menaxhment i kontestoni?

Ahmet Tmava: Pikat kryesore që janë kontestuar kanë qenë pikat e zyrtarizimit apo studimit të resursit minerarë sepse sasia e rezervave minerare të cilat janë të ditura të xeherorëve plumbit dhe zinkut kanë shkallë të ndryshme të studiushmërisë sipas një kategorizimi me sistemin e vjetër dhe kemi kërkuar që ato të bëhen sipas një kodi tjetër apo sipas një sistemi perëndimor të nostrifikimit. Pra të bëhet vetëm nostrifikimi i rezervave nga sistemi i vjetër në sistemin e ri. Mirëpo për të gjitha ato resurse që kanë shkallë të lartë të studiushmërisë nuk kemi fare nevojë të bëhet verifikimi i tyre sepse vet shkalla e studiushmërisë dhe vet fakti se jemi në eksploatim e tregon besueshmërinë e atyre punimeve të mëhershme.

Këtu ka qenë një problem. Sugjerimi i kompanisë ka qenë që të gjitha rezervat duhet të verifikohen. Unë mendoj se këtu ka qenë një gabim profesional sepse vetëm është kërkuar të bëhet kalimi prej sistemit në sistem sipas një kodi të caktuar zbërthyes të rezervave.

Pastaj një vërejtje ka qenë edhe ajo në rritjen e shkallës se finalizimit. Ne mendojmë se asnjëherë perspektiva e Trepçës nuk mund të mbyllet duke shitur koncentratë. Por të rritet shkalla e finalizimit edhe në metalurgjinë e plumbit dhe zinkut dhe të jepen të gjitha alternativat përspektive të fabrikave tjera përpunuese.  Sepse si vend kemi nevojë edhe për hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe duke e rritur shkallën e finalizimit të resursit minerar, edhe interesi ndaj vendit rritet. Për fat të keq, ky studim për Trepçën e ka paraparë perspektivën vetëm si një vend xehëtar. Edhe e kaluara e demanton këtë. Edhe në të kaluarën kemi pasur metalurgji edhe të zinkut edhe plumbit, por edhe shumë fabrika tjera përpunuese. Këto vërejtje i kemi dhënë edhe me argumente sepse disa njësi mund të funksionalizohen.

Nga studimi mungon një perspektivë zhvillimore për Trepçën. Nëse i kanë përdor si bazë prodhimet e viteve të pasluftës, kjo nuk është bazë e bazuar sepse asnjëherë Trepça nuk ka pasur status zhvillimor të pasluftës. Argumentet janë pikërisht ato sasitë prodhuese që dikur kanë qenë realitet. Meqenëse ligji tani është bërë, kjo është baza zhvillimore e Trepçës marrë parasysh edhe aktivitetin minerar në kontinuitet. Ta zëmë vetëm në minierën e Stantergut që 87 vite punohet por edhe për dekada tjera që kemi pasur metalurgji edhe fabrika tjera përpunuese, janë argument se rritja e shkallës se finalizimit duhet të jetë domosdoshmëri. Mbi të gjitha edhe në aspektin strategjik të zhvillimit të vendit sepse kemi nevojë jetike për hapjen e vendeve të reja të punës.

Gazeta Fjala: Draft studimi i kategorizon mbetjet industriale si barrë financiare. Cila është gjendja e tanishme e këtyre mbetjeve, sa është sasia, dhe a mund të ketë përfitim prej tyre në të ardhmen?

Ahmet Tmava: Edhe për mbetjet industriale në studim nuk është dhënë alternativa për valorizimin e atyre mbetjeve. Disa mbetje mund të valorizohen me automatizëm sepse kemi të interesuar shumë kompani. Këtu më shumë është bërë një studim si ngarkesë ambientale por duke pasur parasysh interesimin dhe realisht vlerën e mundësisë së valorizimit të këtyre mbetjeve, atëherë jo që nuk do të jetë kjo ngarkesë, por do të dilte edhe një profit i pastër financiar për mundësinë e investimeve në njësitë tjera përpunuese.

Gazeta Fjala: Cila është e ardhmja e Trepçës pas kryerjes se studimit të fizibilitetit?

Ahmet Tmava: Studimi i fizibilitetit nuk është një dokument obligativ. Nëse ai i arrin objektivat që ne mendojmë janë reale atëherë bëhet zyrtarizimi nga një institucion shkencor ndërkombëtar i certifikuar, të pranuar dhe jep perspektivë me dal edhe në bankat botërore si aset për më marrë kredi ose për ta legjitimuar si vlerë ekzistuese që e kemi. Studimi i fizibilitetit as nuk mund t’ia rris e as nuk mund t’ia zvogëloj vlerën e resursit që e kemi sepse nëse ka defekte ne do t’i argumentojmë ato.

Ne i kemi njoftuar tashme të gjitha institucionet se ku janë defektet e këtij studimi.

Gazeta Fjala:  A duhet të privatizohet kjo ndërmarrje?

Ahmet Tmava: Unë mendoj se tanimë ndërmarrja Trepça nën ombrellën e vet duhet ta ketë tërësinë e xeherores se plumb-zinkut që e kemi si Kosovë dhe shfrytëzimi racional i këtij resursi duke e krijuar bazën edhe për njësi tjera përpunuese siç u cek më lartë. Kjo do të hapte shumë vende të reja të punës dhe rriste perspektivën ekonomike të vendit. Njësitë minerare edhe ashtu në këtë gjendje pa status zhvillimor kanë mbijetuar dhe kur të hyhet në investime reflekton shumë fuqishëm. Çka do të thotë se karakteri i aksionarëve prej 80 për qind Qeveri dhe 20 për qind punëtorë është bazë e mjaftueshme për t’i arritur objektivat e prodhimit dhe të eksploatimit të xeherorëve. Kurse në njësitë tjera përpunuese, qoftë metalurgji apo njësitë tjera, mund të investohet edhe kapitali privat, por në këto njësi duke e përdor shteti një strategji të shfrytëzimit racional për një jetëgjatësi dhe shfrytëzim me një ekonomizim  të argumentuar. Duke marrë parasysh ketë unë mendoj se Trepça duhet të ruhet si aset nacional.

Gazeta Fjala: Si duhet të zgjidhen problemet me kreditorët?

Ahmet Tmava: Çështja e kreditorëve, derisa nuk është aprovuar Ligji, e kemi potencuar edhe më herët dhe tanimë veç doli se ka qenë element shantazhues për të penguar  qoftë edhe këtë ligj, por qoftë edhe një politikë zhvillimore. Sepse nga 1.5 miliardë euro i borxhit të pretenduar, 1 miliard e 100 milionë kanë qenë borxhe të cilat Serbia i ka ndaj punëtorëve prej momentit të ndjekjes se punëtorëve nga vendet e punës. Mirëpo është fut aty si barrë dhe obligim i Trepçës, e që në realitet Trepça nuk e ka shkaktu, por kushtet dhe okupimi i kohës i kanë shkaktu ato pasoja. Mirëpo të gjitha obligimet nëse dëshmohen dhe argumentohen se kanë qenë reale, do të merren si obligime për tu shlyer, kurse ato  të cilat në mënyrë fiktive janë krijuar ose si elemente shantazhuese, natyrisht duhet të trajtohen. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-ahmet-tmava-qeveria-ia-ktheu-shpinen-trepces/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala