Intervistë|Ahmet Tmava: Ky ishte viti i Trepçës

Autori:Gazeta Fjala

ahmed tmava

Afër 200 mijë tonë xehe kanë nxjerrë për një vit minatorët e Trepçës nga thellësia e tokës. Gjiganti metalurgjik që pritej të falimentonte këtë vit ka shënuar rekordin e shitjes së koncentratit të plumbit dhe zinkut.

Drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava në një intervistë për Gazetën Fjala, tregon për gjendjen në miniera, punën që bëhet aty e nevojat për investime për ta kthyer në nivelin e dikurshëm ndërmarrjen që punësonte mbi 40 mijë veta.

“Detyrë e parë me prioritet i strukturave udhëheqëse sipas ligjit të ri është zyrtarizimi për implementim i një strategjie zhvillimore”.

Kjo sipas Tmavës nënkupton investime në tri njësit biznesore të eksploatimit dhe përpunimit të xehes (miniera me flotacion Trepça Stantërg, minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë, miniera me flotacion Kopaonik Leposavic) në funksion të rritjes së prodhimit që për momentin është 400 mij tone xehe në vit, me synimin që të rritet deri në 1 milion ton xehe në vit.

Kjo bazë e prodhimit, ai thotë se jep mundësi për investime edhe në metalurgji dhe në fabrika tjera përpunuese.

Gazeta Fjala: Si është gjendja e Trepçës tani ?

Tmava: Për tërë periudhën e pas luftës ndërmarrja Trepça është ballafaquar me mungesë të definimit të statusit zhvillimor të saj. Kemi trashëguar shkatërrime të shumta të luftës, përmbytje të minierave, shkatërrime të teknologjisë, mungesë të punimeve përgatitore, dhe nëse kësaj i shtojmë edhe gjendjen e rënduar shëndetësore të minatorëve, mosha e tyre e shtyer, mungesa e investimeve kapitale në implementim e një strategjie zhvillimore.

Të gjitha këto e qesin në pah atë, se me çfarë vështirësisë jemi ballafaquar gjatë kësaj periudhe mbijetese. Mirëpo edhe përkundër të gjitha këtyre vështirësive, ndërmarrja Trepça për ne nuk është një nocion thjeshtë ekonomik, por është shumë më shumë. Një mobilizim i shtuar i minatorëve, i të gjithë punonjësve të ndërmarrjes Trepça dhe stafit menaxhues ka bërë që viti 2016 të përmbyllet shumë suksesshëm, si në planin e eksploatimit të xeherorit në të dy minierat (miniera e Stantergut dhe miniera e Artanës) afër 200 mijë ton xehe. Një shfrytëzim i tillë racional i xeherorit ka reflektuar edhe prodhim të koncentratit të plumbit dhe zinkut, që ka mundësuar që gjatë këtij viti të shiten 18,519.00 ton koncentrat plumbi dhe zinku, që është rekord i theksuar i pas luftës.

Gazeta Fjala: Çka ka ndikuar ligji për ndërmarrjen Trepça në përformancën e ndërmarrjes ?

Tmava: Duhet ta përkujtojmë vitin e kaluar kur ndërmarrja Trepça ishte shumë afër procesit të likuidimit, mungesa e licencës për punë si pasoj e mungesës së bordit të KPMM, prolongimi i ligjit për ndërmarrjen Trepça, aprovimi i ligjit për Trepçën gjithsesi ka ndikuar në inkurajimin dhe mobilizim e shtuar të të gjithë punonjësve të ndërmarrjes për një qëllim të përbashkët për shënimin e një epoke të re zhvillimore të ndërmarrjes Trepça.

Gazeta Fjala: Me çfarë bilanci do të përmbyllet ky vit ?

Tmava: Sasia rekorde e koncentratit të shitur, çmimet e volitshme të metaleve në tregun ndërkombëtar, realizimi i kontratave me interes për ndërmarrjen kanë reflektuar një bilanc pozitiv të ndërmarrjes që na mundëson implementimin e ligjit të ri dhe arritjes së objektivave të synuara.

Gazeta Fjala: Cilat janë nevojat për investime në ndërmarrjen Trepça ?

Tmava: Detyrë e parë me prioritet i strukturave udhëheqëse sipas ligjit të ri është zyrtarizimi për implementim i një strategjie zhvillimore. Kjo nënkupton që tri njësit biznesore të eksploatimit dhe përpunimit të xehes (miniera me flotacion Trepça Stantërg, minierat me flotacion Kishnicë dhe Artanë, miniera me flotacion Kopaonik Leposavic) kjo nënkupton investime në funksion të rritjes së prodhimit që për momentin është 400 mij tone xehe në vit, me synimin që të rritet deri në 1 milion ton xehe në vit. Kjo bazë e prodhimit jep mundësi për investime edhe në metalurgji dhe në fabrika tjera përpunuese.

Gazeta Fjala: A do të mund të paguhen pagat e punëtorëve dhe investimet tjera nga të hyrat e ndërmarrjes Trepça apo nevojitet edhe ndihma e qeverisë ?

Tmava: Deri me tani asnjëherë për asnjë moment, nuk janë vonuar pagat e punëtoreve, edhe për kundër problemeve të cekura më lart. Në kuadër të objektivave zhvillimore investimet nga të hyrat nga ndërmarrja Trepça, janë reale nëse arrijmë ti valorizojmë mbetjet nga proceset teknologjike dhe halloezitin. Mirëpo për të rritur shkallen e finalizimit të resursit është e mundshme edhe investime në formën e kredive dhe investime të karakterit publiko privat.

Gazeta Fjala: A do ti kthej kombinati Trepça njësitë përcjellëse që i kishte dikur ?

Tmava: Në të gjitha vizionet zhvillimore të ndërmarrjes Trepça, qëllimi është rritja sa me e madhe e shkalles se përpunimit të resursit.

Gazeta Fjala: Si e rregullon ligji për Trepçën menaxhimin e Trepçës në veri ?

Tmava: Trepça me ligjin e ri është një tërësi dhe kjo nënkupton eksploatim dhe përpunim të xehes së plumb-zinkut në tërë Kosovën. Jemi të bindur se kjo formë e funksionimit të Trepçës si tërësi do të reflektoj pozitivisht tek të gjithë punëtoret kudo që janë, por do të jetë edhe interes për të gjithë qytetarët e Kosovës. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-ahmet-tmava-ky-ishte-viti-i-trepces/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala