Intervistë| Adea Batusha: Nuk i frikësohem këtij pushteti

Autori:Agon Sinanaj

adea

Ka dy muaj e gjysmë që mbahet e mbyllur në shtëpi, e akuzuar si terroriste. Prishtinasja 22 vjeçare, Adea Batusha, dyshohet të ketë qenë pjesë e grupit që sulmoi me zollë Kuvendin e Kosovës, bashkë me të ndjerin Astrit Dehari.

Në një intervistë për Gazetën Fjala, ajo ka rrëfyer në detaje, ato që ka refuzuar ti thotë para prokurorisë, për rastin për të cilin akuzohet.

Batusha, e cila arrestin shtëpiak  po e shfrytëzon për tu përgatitur për fakultet, tregon për njohjen me Astritin, lidhjet me aktivistët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje e planet që  ka.

“Kosova ka nevojë për ndryshime rrënjësore, por përgjatë këtij rrugëtimi do të ketë edhe vështirësi të tilla”, thotë ajo që duket se arresti e akuzat për terrorizëm nuk e ka lëkundur aspak nga qëndrimet politike.

“Ashtu siç nuk është frikësuar Astriti asnjëherë, nuk frikësohem as unë e as të tjerët që po mbahemi padrejtësisht në burgje. Frika është pikërisht çka dëshiron të na imponojë ky regjim, por e kanë kuptuar që këto metoda nuk funksionojnë me aktivistë politik siç jemi ne, që shohim përtej arrestimeve personale”.
Gazeta Fjala: Së fundi jeni e njohur për akuzat për terrorizëm. Por cila është puna që ju keni bërë dhe bëni në Lëvizjen Vetëvendosje?

Batusha: Unë jam aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që tash e 6 vite, pergjatë kësaj kohe normalisht si secili aktivist i Lëvizjes kam bërë punë të ndryshme, nga bërja e parullave deri tek organizimi i tubimeve e protestave. Më intensivisht më ka rënë të merrem me Sekretariatin e Medieve, pra komunikimin me publikun.

Gazeta Fjala: Ju jeni arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj ndertesës se Kuvendit dhe vepra nga policia është cilësuar si terrorizëm. Ku keni qenë në kohën kur ka ndodhë rasti për të cilin akuzoheni se e keni kryer ju?

Batusha: Atë natë, unë kam qenë në lagjen e spitalit, duke pirë kafe. Dhe, për rastin për të cilin unë dhe të tjerët akuzohemi në mënyrë të padrejtë, kam marr vesh kur i kam parë lajmet atë natë.

Gazeta Fjala: A keni dëshmi se keni qenë në atë vend kur është kryer sulmi?

Batusha: Alibia ime si edhe e të gjithë aktivistëve të përfshirë padrejtësisht në këtë proces të montuar politik, është shumë lehtë e dëshmueshme. Ne i kemi ofruar publikisht Policisë dhe Prokurorisë deklaratat se ku kemi qenë gjatë kohës kur është kryer sulmi në Kuvend. Ne kemi treguar që mjafton të merren inçizimet e kamerave të sigurisë nga lokacionet ku kemi qenë ne dhe gjithçka sqarohet. Por Policia dhe prokuroria as që janë marrë me këtë gjë. Kjo tregon se ata kanë montuar rast politik dhe nuk kanë qenë aspak të interesuar të zbardhin të vërtetën. Secili prej nesh ka alibi për kohën e sulmit në Kuvend.

Gazeta Fjala: Akuzoheni se ju ishit ajo që shkruat dhe dërguat një email tek mediat me anë të te cilit morët përgjegjësinë për sulmin në emër të ‘Rugovasëve”?

Batusha: Gjithçka për të cilën ne akuzohemi është e rrejshme dhe pa prova. Policia nuk ka prezantuar asnjë provë ku mund të jem unë apo ndonjëri nga ne duke dërguar email. As një shenjë e gishtave apo ADN të gjetura në pajisjet e konfiskuara nga policia pas sulmit, nuk përputhen me shenjat tona të gishtave apo ADN-të tona. Policia nuk ka prezantuar asnjë telefon nga i cili qenka dërguar emaili dhe pastaj të bëhet lidhja me mua apo ndonjërin prej nesh. Krejt çka ka prezantuar policia si “provë” janë disa pamje ku unë jam duke ecur në sheshin “Nënë Tereza”, duke nxjerrë para në bankomat, duke ngrënë bukë, duke hipur në taksi, etj. – pra duke bërë aktivitete tërësisht normale që i bën secili qytetar në jetën e tij të përditshme. Nëse këto janë prova, atëherë policia mund të arrestojë lirisht të gjithë qytetarët që atë ditë kanë ecur në sheshin “Nëna Terezë”.

Gazeta Fjala: A keni dëshmi të kundërta nga ajo që thuhet se me 5 gusht blet një telefon të menqur, me anë të së cilit është dërguar emaili? 

Batusha: Besoj se faktet qe i ka publikuar vet prokuroria shërbejnë si dëshmi të kundërta. Pasi që ato janë foto të cilat shenjojnë një ditë të zakonshme timen, nje trajektore e rëndomtë e secili person që jeton në Prishtinë. Pra, foto të mija ku unë jam duke tërhequr para në bankomat, duke ngrënë bukë dhe duke ecur në shesh. Këto foto më duket se më shumë janë në favorin tim sesa të prokurorisë. Në anën tjetër, edhe dëshmia në të cilën thirret prokuroria i demanton vetë pretendimet e prokurorisë. Aty thuhet që shitësi ka deklaruar se telefoni është blerë nga një vajzë e moshës 25-30 vjeçare. Unë sapo i kam mbushur 22 vjetë dhe mosha ime nuk është që nuk vërehet. Krejt kjo dëshmi pastaj lë për të dyshuar dhe demantohet nga fakti që policia para se të na arrestoj ne kishte arrestuar një person tjetër për po këtë rast, i cili është dyshuar që ka blerë telefonin në fjalë. Si është e mundur që policia paska arrestuar një mashkull, ndërkohë që dëshmia paska qenë që një vajzë 25-30 vjeçare e ka blerë telefonin. Pra, gjithçka në këtë proces është qesharake dhe e pabazuar. Ne jemi arrestuar thjesht ngase jemi aktivistë të VETËVENDOSJE!-s dhe gjithçka që është prezantuar nga prokuroria, shumë lehtë dëshmohet si jokredibile dhe e montuar.

Gazeta Fjala: Nëse keni fakte se nuk jeni e përfshirë, pse mendoni që “shteti” ju piketoi pikërisht juve për t’iu akuzuar për terrorizëm.

Batusha: Mendoj se përgjatë ekzaminimit të xhirimeve, në atë kohë del se vetëm një aktivist paska qarkulluar në shesh në ato momente, andaj dhe kanë shfrytëzuar rastin të më sulmojnë mua si aktiviste, dhe normalisht Lëvizjen VETËVENDOSJE! t’ia mveshin një akuzë të rëndë siç është terrorizmi. Klani “Pronto” ka vendosur ta na sulmoj ne si subjekt politik nga të gjitha anët. Policia ka qenë duke i vëzhguar kamerat e sigurisë në sheshin “Nënë Tereza” dhe aktivistin/en e parë që e ka parë të kalojë andej ka vendosur t’ia montojë rastin, në mënyrë që ta përfshijë VETËVENDOSJE!-n në këto akuza.

Gazeta Fjala: Për këtë kohë sa jeni në arrest shtepiak, sa herë jeni intervistu nga prokuroria apo hetuesia rreth akuzave për terrorizëm?

Batusha: Gjatë këtyre dy muajve e gjysmë që jam në arrest shtëpiak padrejtësisht bashkë me aktivistët e tjerë, unë jam intervistuar vetëm njëherë, javës që shkoi. Edhe ky intervistim ka ardhur si pasojë e trysnisë qytetare. Pra, është dashur të ndodh një rast tragjik siç ndodhi me bashkaktivistin tonë, Astritin, në mënyrë që prokuroria ta merrte mundin të na intervistonte. Meqe ky rast është rast i kulluar politik, dhe i montuar në mënyrë të pamohueshme natyrisht që në mungesë faktesh e provash ka mungesë edhe të intervistimeve të zakonshme që do duheshin bërë kohë më parë. Në fund, skandali u rrit tej mase, kur prokurori dekaroi para disa ditësh që “jemi duke e pritur forenzikën, për të vendosur nëse do të ngrisim aktakuzë”. Si është e mundur që për tre muaj forenzika ende nuk i paska dërguar rezultatet në Prokurori? Si është e mundur që një rast të cilit i bënë kaq bujë të madhe mediale nuk qenka trajtuar me prioritet dhe qenka zvarritur kaq shumë. Krejt këto flasin për një rast politik i cili po zvarritet pikërisht ngase nuk kanë prova dhe nuk po dijnë si të dalin nga kjo situatë ku janë futur.

Gazeta Fjala: Cilat janë pyetjet që u janë bërë dhe a jeni përgjigjur ndaj këtyre pyetjeve?

Batusha: Unë nuk kam pranuar të dekarojë ngase konsideroj që ky proces është tërësisht politik dhe i montuar ndaj nuk pranoj të bashkëpunoj me një prokuror të tillë. Ka kuptim të deklarojmë dhe të bashkëpunojmë me prokurorin kur besojmë që ai i shërben drejtësisë e jo kur jemi të sigurt, me fakte, që ai i shërben klanit “Pronto”. Në anën tjetër, për të konfirmuar që është i kapur nga “Pronto”, prokurori, Abdurrahman Islami gjatë intervistës më tha se “sa për mua të gjithë do të ishit në burg”. Prokurorit pra, nuk i kishe mjaftuar dërgimi i Astritit drejt vdekjes. Ai është i interesuar të na dërgoj të gjithëve në burg, padrejtësisht pa asnjë fakt e provë.

Gazeta Fjala: Mediat, shpesh herë kanë shkruar se ju jeni nën trysni nga VV për të mos bashkëpunuar me shtetin, cila është përgjigjja juaj ndaj tyre?

Batusha: Vetëm mediat e afërta me pushtetin e thonë këtë, sepse duan që fajin për Astritin t’ia lënë VETËVENDOSJE-s, kjo nuk duhet të na befasojë, nuk është hera e parë që mundohen përmes propagandave të tilla ta zhvendosin vëmendjen. Të gjithë ne që akuzohemi padrejtësisht në këtë proces jemi mbi moshën madhore. Kemi vendosur vullnetarisht të përfshihemi në VETËVENDOSJE! dhe do të vazhdojmë të jemi edhe më të përkushtuar në këtë Lëvizje e cila është subjekti i vetëm që do ta ndryshojë këtë gjendje të mjerë, politike ekonomike dhe sociale në Kosovë. Kurrfarë trysnie nuk kemi. Përkundrazi, jemi krenar, çdo ditë e më tepër që i takojmë Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Propaganda e tillë që organizohet nga mediet e afërme me pushtetin, siç janë gazeta express, indeksonline, etj. normalisht që kanë synim t’ia ruajnë sa më gjatë pushtetin krimit në Kosovë, ngase edhe vetë ato mediume përfitojnë nga ky krim i organizuar.

Gazeta Fjala: A ju kanë shpjeguar ndonjëherë se pse ju jeni në arrest shtepiak bashkë me dy kolegët tjerë, derisa aktivistët tjerë është vendosur që të mbahen në burg?

Batusha: Jo nuk na e kanë shpjeguar, mendoj se edhe ky ka qenë nje vendim politik siç kanë qenë i gjithë ky rast. Pushteti ka menduar që qytetarët do e besojnë që me të vërtetë Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kryer një akt terrorist. Me tërë atë bujë mediatike, me paraqitje spektakulare të policisë e prokurorisë në konferenca për medie, kanë arritur ta ngrisin një valë e cila iu kthye si boomerang pikërisht atyre që e ngritën e jo VETËVENDOSJE-s. Po të na lironin të gjithëve do dilnin qesharak, po të na mbanin të gjithëve do ishte edhe më qesharake, andaj zgjodhën mesin e artë, 3 në arrest shtëpiak e 3 në paraburgim. Siç po vërehet edhe këtë vendim të padrejtë nuk po e beson e as pranon askush.

Gazeta Fjala: A besoni se do të vendoset drejtësi në rastin tuaj?

Batusha: Absolutisht, ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, jemi të pafajshëm. Arsyeja e vetme pse jemi në këtë situatë është për shkak se jemi aktivistë të kësaj Lëvizje. Kjo drejtësi mund të vonohet, por në fund do të ngadhnjejë, ashtu siç do vendoset drejtësi për aktivistin e ndjerë Astritin.

Gazeta Fjala: A mund të na përshkruani një ditë tuajen në arrest shtepiak?

Batusha: Ditët e mija janë të zakonshme, e kam shfrytëzuar këtë kohë më shumë të përqëndrohem tek studimet, meqenëse jam në përfundim të fakultetit. Pra, shpenzoj kohë duke lexuar, duke takuar shokët e shoqet që më vizitojnë, dhe duke u munduar të kryejë punë për Lëvizjen, për aq sa mundem nga shtëpia. Një pjesë tjetër të kohës e kaloj duke shikuar filma dhe dokumentarë të ndryshëm.

Gazeta Fjala: Si u ndjetë kur morrët vesh për vdekjen Astrit Deharit?

Batusha: Si të gjithë ata që e kanë njohur, por edhe për ata që s’e kanë njohur, jam ndjerë jashtzakonisht e trishtuar, e mërzitur. Kjo ngjarje e rëndë na ka goditur të gjithëvë, jo vetëm familjarët dhe shokët e Astritit. Por, edhe si shtet i cili nuk u përkujdes për mirëqenien e tij brenda burgut të Prizrenit. Vdekja e Astritit, ishte një tronditje shumë e madhe për të gjithë, por nuk duhet të harrojmë asnjëherë që vdekja e tij ishte politike, s’ka si të jetë tjeter sepse ai ishte aktivist politik. Ishte i përndjekur nga ky regjim i cili nuk e ja jetën e gjatë. Astrit Dehari për mua, nga një shok shumë i mirë i cili do të më mungojë tërë jetën, u shndërrua në një hero që do të më motivojë po ashtu tërë jetën.

Gazeta Fjala: A u frikësuat për vetën tuaj?

Batusha: Jo, në asnjë moment. Ne, nuk i frikësohemi këtij pushteti, dhe do të angazhohemi me vendosmëri çdo herë e më të madhe për ta ndërruar atë. Ashtu siç nuk është frikësuar Astriti asnjëherë, nuk frikësohem as unë e as të tjerët që po mbahemi padrejtësisht në burgje. Frika është pikërisht çka dëshiron të na imponojë ky regjim, por e kanë kuptuar që këto metoda nuk funksionojnë me aktivistë politik siç jemi ne, që shohim përtej arrestimeve personale. Kauza jonë është shumë më e madhe se kaq. Kosova ka nevojë për ndryshime rrënjësore, por përgjatë këtij rrugëtimi do të ketë edhe vështirësi të tilla. Tani më e rëndësishmja për mua dhe të tjerët është vënia e drejtësisë për Astritin.

Gazeta Fjala: Si e keni njohur Astrit Deharin?

Batusha: Astritin e kam njohur në Lëvizje, ishim bashkaktivistë, ishim shokë. Kemi punuar së bashku, dhe ka qenë një aktivist shembullor dhe një shok shumë besnik. Fakti që s’e kemi më pranë ëshë shumë gjë shumë e dhimbshme për mua, e nganjëherë e pabesueshme. Por, kujtimi për të është ajo që na mban dhe na shtyen që ta vazhdojmë rrugën që ai me çdo kusht do e çonte deri në fund.

Gazeta Fjala: A i besoni raportit të prokurorisë se ai është vetëvrarë?

Batusha: Këto institucione vazhdimisht po na e konfirmojnë që nuk kanë fare kredibilitet. Njëherë dalin e na thonë se ka vdekur nga mbidoza e barnave, pastaj thonë se ishte gjallë në burg por në spital kishtë ndërruar jetë. Pra, një sasi të madhe të informacionit pa asnjë fakt. Shfaqën xhirime dhe prova – siç i quajtën ata së paku – të cilat duhet të kishte qasje vetëm prokuroria. Nuk ka më vend për besim te këto institucione. Hetimet e pavarura nuk janë më luks janë të domosdoshme. Raporti i autopsisë ishte i mangët me terme kontradiktore, dhe kur del një person si Sylë Hoxha, një njeri i emëruar nga klani “Pronto” bashkë me Metush Birajn i cili është një vartës i tij, me dosje në Komisionin Disiplinor të Këshillit Prokurorial të Kosovës të flasin për këtë rast; jo që s’duhet t’iu besojmë por duhet të kërkojmë patjetër shkarkimin e tyre bashkë me ministrat që po refuzojnë të japin llogari.

Gazeta Fjala: A ju ka penguar arrestimi shtëpiak i juaji që ju të jeni aktive si aktiviste e VV-së në ndonjë formë apo jeni tërheq nga aktivitetet e VV-së?

Batusha: Arresti shtëpiak të privon nga disa nga aktivitetet e përditshmërisë si shkuarja në zyrë, tubimet e protestat. Pasi që fizikisht s’mund të jemi aty. Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund të kryejmë punë të tjera nga arresti shtëpiak. Nuk do të ketë asnjëherë, asnjë rrethanë, që do të arrij të më pengojë së qeni aktiviste e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe së punuari për ndërtimin e një shteti të zhvilluar që nuk qeveriset nga kriminelë; që nuk qeveriset përmes dhunës, burgosjeve politike e vrasjeve makabre. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/interviste-adea-batusha-nuk-i-frikesohem-ketij-pushteti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala