Hulumtim: Lidhjet familjare në Fakultetin e Inxhinierisë

Autori:Arjeta Shabani

27330262_1961783180740416_1580963418_o

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, është kthyer në shtëpi të dytë për familjen Krasniqi. Akademik Fejzullah Krasniqi bashkë me fëmijët e tij dhe të vëllait shumicën e kohës e kalojnë aty duke ligjëruar e asistuar.

Fejzullahu ligjëron shtatë lëndë në FIM. Ndërsa e bija e tij, Drenusha asiston në po këtë fakultet deri në 13 lëndë. Disa në Bachelor e disa në Master.

Gazeta Fjala ka marrë vesh nga burime brenda fakultetit se edhe vajza tjetër e Fejzullahut, Marigona është angazhuar së fundmi në këtë fakultet, ndonëse emri i saj nuk figuron në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Drenusha e Marigona nuk janë të vetmet familjare të Akademikut. Gazmend Krasniqi është djali i vëllait të Fejzullahut, po ashtu i angazhuar në FIM.

Punësimet familjare në këtë fakultet, sidomos ato prind-fëmijë  nuk mbarojnë këtu.

Edhe profesori Shaban Shabani, e ka të punësuar djalin e tij, Shkëlzenin. Ndërsa asistenti Fisnik Osmani është djali i Hysni Osmanit, profesor i rregullt në këtë fakultet.

Deri tash babë e bir, në një fakultet punonin edhe Fehmi e Valdrin Krasniqi.

Gazeta Fjala, në një hulumtim një mujor, ka gjetur se shumica e profesorëve në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, i kanë të punësuar edhe fëmijët e tyre si asistentë.

Në këtë fakultet këto lloj punësime ekzistojnë prej kohësh.

Shpejtim Lajci është i punësuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, bashkë me të vëllain, Naserin. Njëjtë sikurse që janë edhe dy vëllezërit tjerë, Agron dhe Arbnor Pajaziti.

Se të gjithë këta kanë lidhje familjare mes vete, e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala vet ata.

Për këto punësime brenda këtij fakulteti për Gazetën Fjala ka folur edhe Dekani i FIM-it, Ahmet Shala.

Dekani Shala ka thënë se në konkursin e fundit nuk është angazhuar asnjë bashkëpunëtor të jashtëm që ka dikë të afërm në Departament apo program. Nuk mohon se në vitet e kaluara kjo ka ndodhur.

“Në konkursin e fundit nuk është pranuar asnjë bashkëpunëtor i jashtëm që ka dikën të afërm në Departament/Program përkatës të njëjtë”, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.

Super-asistentët

Gazeta Fjala pati raportuar ditë më parë për asistenten në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Drenusha Krasniqin e cila asistonte deri në 13 lëndë. Por, e bija e Fejzullah Krasniqit nuk është e vetmja që asiston në numër kaq të madh të lëndëve.

Pothuajse të gjithë asistentët në FIM janë angazhuar në 3 deri në 11 lëndë. Së paku kështu figurojnë në faqen zyrtare të fakultetit.

Riad Ramadani është asistent në Konstruksion me mekanizëm, ku asiston në 11 lëndë. Gjashtë lëndë në Bachelor e pesë në Master.

Vetëm në një lëndë më pak asiston edhe kolegu i tij, Rinor Berisha.

Edhe Halil Demolli asiston në hiq më pak se 9 lëndë. Ndërsa dy kolegët e tyre, Ramadan Duraku dhe Shkëlzen Shabani asistojnë nga 8 lëndë.

Ndërsa, asistenti i vetëm që ka numër më të vogël të lëndëve në të cilat asiston është Shkumbin Makolli.

E konform rregullores për pagesa në UP, norma për asistent në UP/FIM është 10 orë në javë, dhe deri në 10 orë në javë mbi-normë.

Dekani Ahmet Shala ka thënë për Gazetën Fjala se angazhimi i asistentëve në më shumë se 10 lëndë nuk preferohet as nga vetë ata dhe as nga menaxhmenti i FIM-it, por këtë e bëjnë për të mos angazhuar bashkëpunëtorë të jashtëm.

“Kështu varësisht nga lëndët në të cilat angazhohen asistentët mund të kanë mbi 10 lëndë, që nuk është e dëshirueshme as prej asistentëve por sigurisht as për menaxhmentin e FIM-it, por Rregullorja për pagesa është obligative dhe Norma për pagën duhet siguruar për të gjithë stafin e rregullt akademik, në mungesë pastaj shpallet konkurs për staf të angazhuar-bashkëpunëtor të jashtëm”, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.

Për asistimin e Drenusha Krasniqit në 13 lëndë ishin deklaruar edhe nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim. Asistimin e Krasniqit në numër kaq të madh të lëndëve ata e kishin konsideruar si dyshim për nepotizëm dhe favorizim.

Në ORCA kishin deklaruar se askush nuk të ushtrojë detyra në 13 fusha të ndryshme.

“Nuk ka ndonjë standard ndërkombëtar për çështje të tilla por është e qartë që askush nuk mund të ushtrojë detyra në 13 fusha të ndryshme. Këtu nuk kemi të bëjmë me shpërthime gjeniale por me keqpërdorime të disa natyrave dhe për të cilat duhet të merren masa”, thuhet në përgjigjet e  ORCA-s për Gazetën Fjala.

“Të pazëvendësueshmit”

Në anën tjetër, në këtë fakultet disa nga profesorët po del të jenë të pazëvendësueshëm. Ndonëse kanë dalë në pension, ata vazhdojnë të ligjërojnë.

Musli Bajraktari, Fehmi Krasniqi e Mustafë Muhaxheri janë profesorë që janë të angazhuar në FIM, ndonëse ka kohë që kanë dalë në pension.

Njëjtë sikurse Shaban Shabani, Xhemajl Fejzullahu dhe Xhevat Pejruci.

Së paku kështu figurojnë në faqen zyrtare të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, tek Personeli Akademik  i Angazhuar.

E numri i lëndëve që ligjëron secili prej këtyre “të pensionuarve” është nga katër deri në tetë. Disa në nivelin Bachelor, e disa në Master.

Para studentëve ata dalin në drejtime, si komunikacion e Sisteme të Energjisë së Ripërtritshme.

Angazhimin e profesorëve në pension, Dekani i FIM-it thotë se është  e rregulluar në nivel të Universitetit të Prishtinës.

“Mundësia e angazhimit të profesorëve në pension (65-70 vjeçar), pa konkurs, është e rregulluar në nivel të UP-së”, ka thënë Shala për Gazetën Fjala.

E nga ORCA patën thënë se  në Universitetin e Prishtinës ka mungesë vullneti për freskimin e kuadrove. Sipas tyre prurjet e reja në këtë universitet i shohin si rrezik.

“UP ka mungesë të kuadrove, por më shumë se kaq UP ka mungesë vullneti për freskimin e kuadrove. Pasi kuadrot ekzistuese janë rezistente në prurjet e reja të cilat mund ta rrezikojnë pozitën e tyre.”

Bytyqi: Në Universitete ka nepotizëm dhe implikime të politikës

Për nepotizmin në institucionet e arsimit të lartë ditë më parë në një intervistë për Gazetën Fjala kishte folur edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.

Bytyqi kishte thënë se dihet që ka nepotizëm nëpër institucione arsimore dhe implikime të politikës, por për këtë duhet të gjendet një zgjidhje.

“Ne non-stop flasim që ka nepotizëm, ka implikime të politikës brenda sistemit arsimor dhe duhet të shohim se cila do të jete zgjidhja e mundshme që të dalim nga kjo situate”, kishte thënë Bytyqi në një intervistë për Gazetën Fjala.

Por, kreu i arsimit në Kosovë, po pret që këto probleme ti zgjidhin bartësit e institucioneve që ta ndryshojnë gjendjen. Thotë se kushdo që merr masa do ta ketë mbështetjen e parezervë të MASHT-it.

“Ne jemi duke prekur çdo pjesë por nuk mundemi me një afat të shkurtë t’i rregullojmë problemet. Ajo çka ne po kërkojmë është njëherë që të fillojnë vetë bartësit t’i zgjidhin problemet që ekzistojnë dhe çdo bartës i përgjegjësisë, themi në çdo universitet apo qoftë në nivelin e sistemit arsimor parauniversitar do ta ketë mbështetjen tonë pa rezervë për me ndryshu gjendjen”, ka thënë ai.

Por,  në rast se këta nuk ndërmarrin masa, thotë se do të ndërhyjë MASHT-i.

“Po aty pastaj ku nuk lëvizin fare dhe mund të ketë pengesa, ne do të jemi ata që do të ndërhyjmë”, kishte thënë Bytyqi për Gazetën Fjala.

Ndryshe, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nuk është i vetmi fakultet ku janë të punësuar profesorë e asistentë që kanë lidhje familjare mes veti.

Gazeta Fjala në një hulumtim para dy muajve pati gjetur se kjo praktikë funksionon edhe në Fakultetin e Mjekësisë, ku kishte edhe familje të tëra të punësuara./Gazeta Fjala/.

27044951_1961786694073398_1616469486_n 27044999_1961786980740036_1480816181_n 27292801_1961787114073356_1867605887_n 27394412_1961787424073325_1616291393_n

 

27157107_1961788660739868_258095540_n

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/hulumtim-lidhjet-familjare-ne-fakultetin-e-inxhinierise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala