Haradinaj “për qef” i fali mbi 150 milionë euro

Autori:Arjeta Shabani

ramboo

Gjashtë vendimet që mori “veç për qef”, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për katër muaj, i kushtuan vendit më të varfër në Evropë afro 150 milionë euro.

Rreth 60 milionë euro ua fali ambalazhuesve të ujit, 63 milionë euro “Bechtel Enkas”, e 28 milionë euro  pagoi nga buxheti për shpronësimet në Hade dhe Shipitullë.

Këta janë vetëm disa nga milionat që Haradinaj ndau për njëqind ditë.

Por, zemërgjerësia e Haradinajt nuk mbaron këtu.

Ai u “fali” me mijëra euro edhe mashtruesve të bankave e familjarëve të të përfshirëve në konfikte jashtë shtetit, si në rastin e Kumanovës, shkruan Gazeta Fjala.

Vendimet e jashtëligjshme në vlerë milionëshe

Vendimi për faljen e borxheve prej rreth 60 milionë eurove ambalazhuesve të ujit, ishte “falja” me të cilin ai e nisi punën.  Për këtë u kritikua ashpër nga shoqëria civile dhe njohësit e ekonomisë, të cilët e vlerësuan se ishte i jashtëligjshëm, shkruan Gazeta Fjala.

Këto borxhe mund të fal vetëm Kuvendi i Kosovës.

Por, Qeveria në krye me Haradinajn nuk u ndal me kaq.

Në 100 ditëshin e parë mori edhe një vendim që u kritikua jo pak.

Ndau 219 mijë euro për familjarët e të dënuarve dhe të vrarëve në përleshjen e armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

Përfituan edhe mashtruesit

Nga zemërgjerësia e Haradinajt përfituan edhe mashtruesit. Qeveria Haradinaj mori vendim që ta mbështes me 57 mijë euro kreun e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, të dënuar për mashtrim të bankave.

Me arsyetimin e organizimit të “Javëve të biznesit kosovar”, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me organizatën e Shahinit të promovojë ekonominë, e të rrit konsumimin e prodhimeve kosovare nga 29 nëntori deri më 17 shkurt në të gjitha trevat shqiptare.

Gazeta Fjala, kishte siguruar këtë dokument, që ishte mbajtur sekret nga kabineti i Haradinajt, me të cilin obligoheshin gjashtë ministri të Qeverisë së Kosovës, që të ndajnë nga 9 mijë e 500 euro secila për të mbështetur këtë aktivitet.

Nga Qeveria u ndan para edhe për Komisionin për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, në krye me Shpejtim Bulliqi. Për punën që ky komision ka bërë në terren,  shtetit i kushtoi pothuajse 50 mijë euro. Saktësisht 49 mijë e 40 euro.

Gazeta Fjala ka raportuar se kreu i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, figuron si uzurpator i pronës publike nga Komuna e Podujevës.

28 milionë euro për shpronësimin e shtëpive të pabanuara

Me një vendim që në ditët e para të punës në Kryeministri Haradinaj ka ngritur koston e shpronësimit të fshatrave Hade dhe Shipitullë, nga 4 milionë euro në afro 28 milionë euro.

Këto para do t’ua paguaj Korporata Energjetike e Kosovës banorëve të këtyre fshatrave për t’i hapur rrugë nxjerrjes së thëngjillit për prodhim të energjisë elektrike.

Gazeta Fjala ka raportuar se viteve të fundit banorët kanë ndërtuar qindra shtëpi shumëkatëshe, super luksoze nga pamja e jashtme, që të japin përshtypje së ke hyrë në një vendbanim të milionerëve, por në fakt të shtinë frikën kur hyn oborreve të tyre dhe nuk sheh asnjë banorë.

Madje në oborret e tyre shihet qartazi se nuk ka shkelur këmbë njeriu prej shumë kohësh. Pjesa më e madhe e tyre janë pa leje ndërtimi të ngritura në zonë të ndaluar.

Neglizhenca i kushton shtetit 63 milionë euro

E nga neglizhenca për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit, Qeveria do të ndajë edhe 63 milionë euro për kompaninë Bechtel Enka.

Kështu ka deklaruar vetë Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai kishte thënë se  kontrata për ndërtimin e  kësaj autostrade ka pasur vlerën 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro.

“Rri drejt se s’të humb Zoti”

Por, zgjedhjes së Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë, më së shumti ia pa hairin vet ai.

Haradinaj mori vendim që ta dyfishoi pagën e tij. Nga 1300 euro paga iu bë 2950 euro.

Nuk i harroi as vartësit e tij.

Rritje të pagave patën edhe Ministrat, Zëvendësministrat e Stafin politik të tij e zyrtarë të tjerë.

Mirëpo, duket se para marrjes së këtij vendimi, Haradinaj nuk i kishte llogaritur mirë hesapet. Edhe ky vendim i tij doli të jetë i kundërligjshëm.

Kjo pasi me ligj Kryeministri nuk guxon ta ketë pagën më të madhe se kryetari i Gjykatës Supreme.

Por, pas të gjitha këtyre vendimeve, Kryeministri Haradinaj qëndron me krenari. Deklaron se të gjitha janë marrë  “veç për qef”./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/haradinaj-per-qef-i-fali-mbi-150-milione-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala