Haradinaj i bën “diplomatë” njerëzit me të kaluar kriminale

Autori:Agon Sinanaj

ramush

Dy këshilltarët e kryeministrit, Jahja Lluka dhe Gazmend Syla, i pari i dënuar për keqpërdorim të fondit Haradinaj kurse i dyti ish-i akuzuar për krim të organizuar, shumë shpejt do të pajisjen me pasaporta diplomatike.

Emrat e tyre figurojnë së bashku edhe me 16 zyrtarë tjerë qeveritarë, në listën e atyre që do të pajisen me pasaporta diplomatike nga stafi i kryeministrit, shkruan Gazeta Fjala.

Gazeta Fjala posedon ketë listë prej 18 zyrtarëve të lartë të Qeverisë, në mesin e të cilëve ka edhe njerëz të akuzuar për korrupsion dhe që kanë pasur problem vite të tera me drejtësinë në Kosovë.

Vendimi për këtë është marrë me 22 dhjetor të vitit të kaluar në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa të njëjtit i është bashkangjitur edhe lista me 18 persona që do të pajisen me pasaporta diplomatike.

Këtë veprim Haradinaj e mbështetë në një vendim të vitit 2008 të marrë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili bazohet në Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit. Neni 10 i këtij ligji specifikon qartë se kush mund të marr pasaportën diplomatike.

Bazuar në këtë ligj, asnjëri zyrtar i propozuar nga Haradinaj nuk ka të drejtë në pasaportë diplomatike, por atyre mund tu takoj ajo zyrtare dhe atë vetëm në raste të caktuara.

Këtu nuk bëjnë përjashtim as Jahja Lluka, tani këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj, e as Gazmend Syla, këshilltar për kategoritë e luftës.

Siç ka raportuar “Insjaderi” Lluka vite më parë ishte dënuar për keqpërdorime me fondin milionësh “Haradinaj”. Lluka ishte dënuar me nëntë muaj burgim me kusht.

Pavarësisht këtij dënimi për vepër penale, kryeministri i ri i Kosovës Ramush Haradinaj, nuk kishte hezituar që Llukën ta bëjë pjesë të kabinetit të tij. Tash emri i Llukës figuron edhe në listën për pasaporta diplomatik.

Pasaport diplomatike do të marr edhe Gazmend Syla. Syla ishte një nga njerëzit e akuzuar për përfshirje në kidnapimin e biznesmenit, Azem Morina nga Gllareva e Klinës.

Dyshohet se grupi i udhëhequr prej Bedri Krasniqit, pos Gazmed Sylës kishte në përbërje edhe dy truproja të Ramush Haradinajt – Himë Krasniqin dhe Selman Gashin, tashmë të dënuar me më shumë se 20 vjet burgim. Syla si pjesëmarrës në këtë grup ishte akuzuar për krim të organizuar dhe rrëmbim personi. Por, në mungesë të provave të bollshme, ishte dënuar vetëm për armë mbajtje pa leje.

vendim endriti 1

Pasaporta diplomatike për njerëzit e partisë

Listën prej 18 zyrtarëve qeveritarë që do të pajisen me pasaporta diplomatike, kryesisht e dominojnë njerëz që vijnë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por nuk mungojnë edhe njerëz nga partitë tjera në koalicion.

Listës i prin Gani Demaj zyrtar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

Arbër Vllahiu dhe Meliza Haradinauj-Stublla janë dy zyrtarë tjerë të AAK-së që do të pajisen me pasaporta diplomatik. Të dy janë këshilltar të kryeministrit Haradinaj.

Pasaporta diplomatike do të marrin edhe këshilltaret Nita Himaduna dhe Diellza Hoti.

Në listë për pasaportë diplomatike, prej zyrtarëve të AAK-së të angazhuar në kabinetin e Haradinajt është edhe Halil Matoshi, Gazmend Abrashi, Erolld Belegu, Alban Dermaku dhe Valon Tolaj.

Në listë ish i akuzuari për korrupsion në rastin MTPT

Me pasaportë diplomatike do të pajiset edhe Endrit Shalen, ish i akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar në rastin MTPT.

Shala, i cili u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, tani është emëruar këshilltarë i lartë në Qeverinë Haradinaj, përkatësisht i Zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj. Emri i tij ka gjetur vend në mesin e zyrtarëve që do të pajisen me pasaportë diplomatike.

Nga partia “Nisma” pasaportë diplomatike do të marrë edhe Valdete Bajrami.

Në listën që tashme i është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme tashme figurojnë edhe këta zyrtarë: Fitim Krasniqi; Igor Savic; Uros Staletovic; Valon Berisha; Bashmir Xhemaj; Burim Krasniqi; Selim Selimi; Hysen Gashi.

Vendimi i Haradinajt në kundërshtim me Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit

Vendimi për këta zyrtarë është marrë me 22 dhjetor të vitit të kaluar në mbledhjen e Qeverisë, ndërsa të njëjtit i është bashkangjitur edhe lista me 18 persona që do të pajisen me pasaporta diplomatike.

“Ndryshohet dhe plotësohet vendimi i Qeverisë nr.02/31 i datës 27 gusht 2008, ku në pikën 3.1. të vendimit shtohen edhe zyrtarët sipas listës bashkangjitur këtij vendimi”, thuhet në vendim.

Në pikën dy të tij obligohet Ministria e Punëve të Jashtme që ta zbatoj menjëherë të njëjtin.

Megjithatë pika 3.1. e vendimit të vitit 2008 në të cilin mbështetet vendimi i Haradinajt bazohet në Ligjin për Dokumentet e Udhëtimit. Neni 10 i këtij ligji specifikon qartë se kush mund të marr pasaportën diplomatike. Bazuar në këtë ligj, asnjëri zyrtar i propozuar nga Haradinaj nuk ka të drejtë në pasaportë diplomatike.

Këtë të fundit munda ta marrin vetëm rangu i lartë i zyrtarëve siç është Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Deputetët, Kryeministri, Zëvendëskryeministrat, Ministrat, Zëvendësministrat, Shefi i Stafit të Zyrës së Kryeministrit, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ai i Gjykatës Supreme dhe Avokati i Popullit.

Ndërkaq, sipas këtij Ligji këshilltarët politik dhe stafi i kryeministrit mund të pajisen vetëm me të ashtuquajturat pasaporta zyrtare. /Gazeta Fjala/

vendimi endriti 2

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/haradinaj-i-ben-diplomat-njerezit-me-te-kaluar-kriminale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala