Haradinaj do ta bëjë Kosovën si Teksasin

Autori:Gazeta Fjala

texas

Kryeministri Ramush Haradinaj i do aq shumë armët, sa ka vendosur që ta marr një vendim të rëndësishëm për to.

I pari i Qeverisë, ka ide që shumë shpejtë ti bëjë legale të gjitha llojeve të armëve. Pa dallim.

“Unë jam për me i legalizue armët. Unë e kisha ba me ligj. Hajde krejt lajmëroni armët që i keni, t’i legalizojmë . E dimë ku i ki. Për besë e kam në plan krejt me i legalizu.; të shkurta , të gjata, të mëdhaja , të vogla”, ka deklaruar Haradinaj të shtunën në “Rubikon”, shkruan Infokusi.

E dashuria dhe respekti që ka Haradinaj për armët po del të jetë gogja e madhe. Kjo pasi thotë se armët ia kanë shpëtuar jetën gjatë kohës së luftës.

“Shumë i dua armët. Me zemër i dua. Janë vegla që ma kanë shpëtu jetën në kohën më të keqe  mua dhe popullit tim. Nëna jem e respekton armën,  se menon që qajo ja ka lanë njerëzit gjallë. Ne jemi popull që kem dalë prej lufte. Qajo armë na ka nxjerr dikun, e jona edhe e NATO-s dikur. Une kam respekt për armët, pra është diqka që e respektoj shumë”, kishte deklaruar Haradinaj.

Por, Haradinaj nuk është i vetmi që i do kaq shumë armët. Shumica e qytetarëve mbajnë armë në shtëpi. Numri më i madh i tyre nuk i kanë me leje. Pra, janë armë ilegale.

E që kosovarët i duan armët dhe kanë dëshirë t’i mbajnë ato në shtëpitë e tyre, e dëshmojnë edhe shifrat e institucioneve të sigurisë.

Aktualisht në tërë Kosovën, janë afro 300 mijë armë që gjenden në duart e qytetarëve, por që nuk kanë leje për përdorimin e tyre.

Vetëm 50 mijë prej tyre janë të regjistruara.

Së paku kështu thonë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për Gazetën Fjala. Sipas MPB-së, shumica e këtyre armëve janë për gjueti dhe shejtari.

“Armë të regjistruara në Kosovë janë rreth 50.000 dhe shumica nga to janë armë për gjueti dhe shejtari, Kategoria B C dhe D”, kanë thënë nga MPB-ja.

E për çdo vit, Policia e Kosovës konfiskon rreth 1 mijë e 500 armë pa leje.

“Armë ilegale në vend llogaritet të jenë rreth 230.000 dhe Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 armë”, thuhet në përgjigjet e MPB-së, drejtuar Gazetës Fjala.

Por, deputetë të Kuvendit të Kosovës vlerësojnë se një ligj i tillë ekziston. Madje, legalizimi i tyre thonë se do të ndikonte në rritjen e numrit të krimeve.

Selimi: Ekziston ligji për armët, vetëm duhet të respektohet

Deputeti Rexhep Selimi nga Vetëvendosje thotë se tashmë ekziston një ligj për armët, por vetëm duhet të respektohet.

“Unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e  Kryeministrit por ekziston një ligj për armët që është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në të cilin parashihen mënyra e përdorimit dhe mënyra e legalizimit të armëve dhe kategorizimi i tyre. Mjafton të respektohet dhe gjithçka do të jetë në rregull”, ka thënë Selimi.

Ai deklaron se përderisa ekziston ligji për armët nuk ka nevojë të miratohet një i ri. Por, thotë se edhe nëse do të ndodhë kjo, atëherë duhet të dërgohet në Kuvend dhe do të shqyrtohet.

“Pasi ekziston ligji nuk ka nevojë të bëhet ligj tjetër, por nëse ka ndonjë ndryshim le ta sponsorizoj Qeveria dhe ne do ta shqyrtojmë.  Në Kosovë ka armëmbajtje dhe posedim armësh, ligj dhe leje për armë gjuetie, ligj dhe leje për armëmbajtje, ligj dhe leje për legalizim te armëve të caktuara në kushte dhe rrethana të caktuara”, ka thënë Selimi për Infokusin.

Kusari-Lila: Rritja e numrit të armëve kontribuon në rritjen e numrit të krimeve

Ndërsa, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se më shumë se për legalizim të armëve, Kosova ka nevojë për reduktimin e numrit të armëve. Thotë se ky proces nuk është kryer që prej periudhës së pasluftës.

Sipas Kusari – Lalës rritja e numrit të armëve kontribuon në rritjen e numrit të krimeve.

“Ne aspektin e politikave të përgjithshme posedimi më i madh i armëve shkon proporcion me numrin më të madh të krimeve në shoqëri dhe nuk e besoj që një vendimmarrës duhet të ofroj kushte në një shoqëri për të rritur numrin e krimeve”, ka thënë Kusari-Lila për Infokusin.

Kusari-Lila thotë se në qoftë së një ligj i tillë do të shkojë në Kuvend atëherë duhet bërë përpjekje të mos kalojë.

“E gjithë kjo duhet të shkojë me një procedurë ligjore prandaj në Parlamentin e Kosovës duhet të bëjmë përpjekje maksimale mos me e leju një gjë të tillë për shakë se nuk i ofrojnë asnjë të mirë njerëzve të Kosovës, Njerëzit kanë nevojë për në shumë paqe dhe qetësi e jo armë”, ka thënë ajo.

Mbi 1 mijë armë të konfiskuara çdo vit

Në Policinë e Kosovës kanë thënë se përmes operacioneve policore, çdo vit konfiskohen rreth 1200 deri në 1500 armë. Thonë se kanë lanësuar në vazhdimësi fushata vetëdijsuese për rrezikun që paraqesin armët ilegale dhe posedimin apo përdorimin e kundërligjshëm të tyre.

“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore në vazhdimësi ka ndërmarr veprime konkrete në funksion të krijimit të një sigurie më të madhe për qytetarët duke konfiskuar edhe një sasi të konsiderueshme të armëve, mjeteve të pashpërthyera dhe municioneve të ndryshme gjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës”.

Numri kaq i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve, nga njohës të sigurisë ishte vlerësuar si rrezik për sigurinë e përgjithshme në Kosovë dhe në veçanti për vetë qytetarët.

Madje, sipas tyre armët ilegale janë një prej problemeve kryesore që e ka aspekti i sigurisë publike në Kosovë/ Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/haradinaj-do-ta-beje-kosoven-si-teksasin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala