Efekti “Swiss Diamond”

Autori:Agon Sinanaj

sigurimet

Me një marrëveshje monopolistike dhe të mbështetur nga Banka Qendrore e Kosovës, kompanitë e sigurimeve në Kosovë e kthyen fitimin milionësh në këtë treg.

E ashtuquajtura marrëveshja “Swiss Diamond”, përmes se cilës pronarët e kompanive të sigurimeve në Kosovë e vendosen monopolin në tregun e sigurimeve, ka filluar t’i jap rezultatet e para.

Për me tepër, nga dhjetori 2016 kur po luftonin për mbijetesë dhe mbyllën vitin me 25 milionë euro humbje, pas fiksimit të çmimeve ata e kthyen në treg normalitetin dhe së bashku patën afër 1 milionë euro fitim të pastër vetëm në gjysmën e parë të këtij viti.

“Deri në qershor 2017 fitimi i kompanive të sigurimeve ishte 900 mijë euro”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Gazeta Fjala pati raportuar në fillim të këtij viti për një marrëveshje të fshehtë mes bosëve të sigurimeve në Kosovë të arritur në dhjetor 2016 në hotelin “Swiss Diamond”.

Me këtë marrëveshje që e siguroi Gazeta Fjala pronaret e sigurimeve e vendosën monopolin në tregun e sigurimeve, duke caktuar çmime fikse në sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia.

Saktësisht ato u morën vesh që komisioni për ndërmjetësuesit e sigurimeve të jetë 10 për qind, ndërsa janë fiksuar edhe shpenzimet që do t’i kenë pikat e shitjes së sigurimit të detyrueshëm nëpër Kosovë.

Krejt kjo ishte bërë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës e cila e ndryshoi edhe rregulloren për t’ia përshtatur marrëveshjes të arritur në “Swiss Diamond”.

Komisioni i konkurrencës i heshtë hetimet

Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka afër 4 muaj që i ka nisur hetimet për këtë rast, por ende nuk ka marr asnjë vendim. Kjo pavarësisht faktit se kompanitë e sigurimeve po operojnë me një marrëveshje të dyshimtë.

Përkundër insistimit të Gazetës Fjala, kreu i këtij institucioni, Valon Prestreshi, që ka për obligim të kryejë hetime për marrëveshje monopolistike në treg, nuk ka kthyer përgjigje lidhur me atë se deri ku kanë arritur hetimet në këtë rast.

Ky institucion se fundi ka shfuqizuar një marrëveshje monopolistike të kafiterive në Gjilan, por nuk e ka parë të arsyeshme të marr çfarëdo vendimi lidhur me këtë marrëveshje.

Gazeta Fjala ka pritur afër një muaj rresht përgjigje nga Komisioni Kosovar i Konkurrencës, por ende nuk ka marr përgjigje.

Bashkëpunimi i BQK-së me Bujar Musën

Gazeta Fjala pati siguruar dokumente që dëshmojnë se krejt kjo punë është bërë nën dijeninë e zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës. Madje, janë caktuar edhe njerëzit që do të negocionin me zyrtarët e BQK-së për nxjerrjen e rregullores se re të përshtatur sipas pikave të marrëveshjes.

Në pikën 3 të marrëveshjes së arritur në Hotelin “Swiss Diamond” figuron emri i Bujar Musës, pronar i kompanisë së sigurimeve “Scardian”, si përfaqësues i kompanive me rastin e nxjerrjes së rregullores nga BQK.

Musa është njëri nga pronarët në IPKO dhe njihet si i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës. Së fundi ai është pronar edhe në kompaninë me të re të sigurimeve “Scardian”.

Aty po ashtu jepen detaje sesi duhet të veprojë Musa në raport me zyrtarët e BQK-së. Madje thuhet që duhet siguruar që çdo gjë të jetë në përputhje me këtë marrëveshje.

“Ne pajtohemi që procesi i implementimit të rregullores për vendimet e këtij takimi të bëhet nga z.Bujar Musa me Bankën Qendrore të Kosovës. Ne gjithashtu pajtohemi që në rregullore të vendosen kritere dhe kushte nga BQK për rregullimin e tregut të përgjithshëm të sigurimeve në Kosovë. Kërkojmë nga BQK të përcaktoj kritere objektive dhe të matshme me të cilat do të përcaktohen rregullat e tregut në të ardhmen”, thotë pika 3 e marrëveshjes.

Pas kësaj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës është mbledhur urgjentisht me 4 janar 2017 për të hartuar rregulloren e re në bazë të kërkesave të bosëve të sigurimeve. Mbledhja është mbajtur dy muaj pas takimit në “Swiss Diamond”.

Gazeta Fjala ka siguruar një kopje të rregullores së BQK-së, e cila është hartuar pikë për pikë bazuar në marrëveshjen e arritur mes krerëve të sigurimeve.

Kështu në nenin 3 të rregullores se BQK-së është përcaktuar që komisioni për ndërmjetësuesit në sigurime sa i përket produktit të sigurimit të detyrueshëm nga auto përgjegjësia, të jetë 10 për qind. Kjo është e ngjashme me pikën 7 të marrëveshjes se arritur në “Swiss Diamond”.

Po ashtu, Rregullorja e re e BQK-së për shitjen e sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia, përmban çmime fikse edhe në rastin e shpenzimeve që do t’i kenë pikat e shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nëpër Kosovë.

“Në çdo rast komisionet dhe shpenzimet e pikave të shitjes të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia nuk duhet të kalojnë 12 për qind të primit të paguar pas zbritjes së TVSH-së”, thuhet në nenin tre të rregullores së BQK-së.

“Marrëveshja “Swiss Diamond” e jashtëligjshme

Për më tepër, Gazeta Fjala merr vesh se Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka nxjerrë rregullore në bazë të një marrëveshje të pa mbështetur në asnjë rregullore apo dispozitë ligjore.

Çdo vendim i kompanive të sigurimeve për tregun e sigurimeve duhet të kalojë nëpër organet kompetente për këtë punë, që në këtë rast është Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve, që është organi më i lartë në Byron Kosovare të Sigurimeve. Në asamble janë të përfaqësuara të gjitha kompanitë me nga një anëtar dhe çdo vendim aty duhet të merret në bazë të 2/3 të votave të anëtarëve.

Ndërkohë, marrëveshja e “Swiss Diamond” nuk i ka kaluar asnjërën nga këto procedura ligjore. Ajo mban vetëm nënshkrimet e pronarëve të kompanive të sigurimeve.

“Asambleja e Përgjithshme vendos me shumicë absolute me 2/3 e votave të anëtarëve prezent, në rast të ndryshimeve statutore, miratimit të buxhetit, zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Administrativ dhe emërimin dhe shkarkimin Drejtorit Ekzekutiv”, thuhet në statutin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve. /Gazeta Fjala/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/efekti-swiss-diamond/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala