E ardhmja financiare e Kosovës

Autori:Zekirja Shabani

Borxhet-ekomunave-640x360

Asnjë vend i rajonit nuk i ka punët më mirë se Kosova. Kështu tregojnë shifrat për vendin më të varfër në Evropë, sa i përket borxhit publik e kredive të këqija.

Madje me këtë ministri i financave Avdullah Hoti, sa herë që takohet me homologët e tij të rajonit ndihet komod me financat e Kosovës. Sidomos para ministrit të financave të Serbisë, borxhi publik i vendit të të cilit kalon kufirin e 70 për qindëshit të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Edhe më keq është Shqipëria në këtë drejtim e cila ka mbi 71 për qind të BPB-së borxh publik dhe mbi 23 për qind të kredive të pakthyeshme.

Kosova në vitin 2014 kishte nivelin e borxhit publik 10.6 për qind dhe kredit jo performuese në shkallën 8.3 për qind nga totali i kredive të lëshuara në vend.

monitor 685.indd

Me këtë situatë vendet e rajonit po përballen pak a shumë tash e 6 vite nga kriza financiare.

Por, situata ka filluar të ndryshojë. Të dhënat krahasuese mes rajonit tregojnë se fqinjët që morën masa dhe zhvilluan politika të suksesshme ekonomike po ecin përpara, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet në vend, si në kohë krize.

Bashkë me të edhe Shqipëria, e cila e ka filluar më vonë se të tjerat konsolidimin fiskal.

Derisa, vendet e rajonit po diskutojnë për ulje taksash dhe rritje të pagave, në Kosova dhe Shqipëri kanë filluar diskutimet për nevojën e rritjes së taksave.

Qeveria nën drejtimin e Isa Mustafës në Kosova, ka miratuar pakon e re fiskale që përmban ulje taksash, implementimi i së cilave do të filloj për pak muaj.

Por një analizë e Bankës Botërore po rekomandon ndryshim plani. Në Bankën Botërore kanë kërkuar rritje taksash dhe zgjerimin e inkasimit të tyre për rritje të të hyrave buxhetore, transmeton Gazeta Fjala.

Sipas këtij institucioni financiar ndërkombëtar rritja e taksave dhe shtimi i taksave të reja brenda Kosovës është njëra nga alternativat kryesore për të zëvendësuar të hyrat kufiritare që aktualisht realizohen e që përbëjnë shumicën e buxhetit të Kosovës.

Kosova me strategji si Serbia

Në samitin e ministrave të Financave dhe guvernatorëve të rajonit “E ardhmja financiare e rajonit”, i zhvilluar pak ditë më parë në Becic të Malit të Zi, ministrat e Financave dhe guvernatorët e vendeve të rajonit diskutuan lidhur me masat dhe efektet e konsolidimit fiskal në shtetet e tyre si, ndikimin e recesionit/ngadalësimit ekonomik në stabilizimin e financave publike, si dhe rrugët e mundshme të reformave fiskale.

Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, me komoditetin që krijojnë shifrat, u shpreh para ministrave se programi i ri me FMN-në mundëson që vendi ta ruaj stabilitetin fiskal, por edhe të marrim kredi ndërkombëtare, që përdoren vetëm për investime kapitale.

“Kjo strategji na mundëson të ruajmë parametrat, por edhe të çlirojmë burime për ekonominë”.

Sipas tij, ka shumë debate për rolin e politikës fiskale në dy drejtime – mbajtjen nën kontroll të borxhit dhe krijimin e potencialeve për rritjen ekonomike.

“Ne kemi arritur të ruajmë strukturë të qëndrueshme përmes kontrollit të shpenzimeve. Kemi objektiv që deficiti të mos jetë më i lartë se 2% i PBB-së dhe kjo na ka mundësuar që të kemi borxh të ulët publik, që nuk është më i lartë se 10% e PBB-së”.

monitor 685.indd

Një strategji të ngjashme të konsolidimit dhe përmirësimit të financave publike ka thënë se po e përdorin tash e sa kohë edhe ministri i Financave të Serbisë, Dusan Vujovic.

Vujovic theksoi se, qeveria e tij po ndjek një strategji ku shpenzimet korente nuk duhet të financohen nga borxhet e reja, por këto të fundit duhet të përdoren vetëm për investime kapitale.

E ministri i Financave të Malit të Zi, Radoje Zugic ka pohuar se asnjë vend i rajonit nuk mund të trajtohet në mënyrë të veçantë.

Sipas tij rajoni është i pasur me burime, që duhet t’u jepet vlerë dhe kjo i bën më të qëndrueshme financat publike.

“Shtyrja e valorizimit shtyn rimëkëmbjen. Zhvillimi i turizmit dhe bujqësisë janë parakushte për largim nga barrierat dhe zhvendosje drejt rritjes ekonomike, me synim shërimin nga brishtësitë e krizës. Në këtë mënyrë do të kemi shkallë më të lartë zhvillimi dhe menaxhimi i borxhit publik bëhet i qëndrueshëm vetëm përmes rritjes ekonomike”.

Ai theksoi se për vënien nën kontroll të borxhit publik duhet të racionalizohen shpenzimet.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/e-ardhmja-financiare-e-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala