Drejt universitetit pa perspektivë   

Autori:Gazeta Fjala

Fakulteti-i-Edukimit

Flondra Blakcori ditën e enjte kishte marrë rrugë nga Podujeva për Prishtinë. Ndalesa e saj ishte Universiteti i Prishtinës, ku pritej që ta dorëzonte dosjen e saj në Fakultetin e Juridikut.

Ndonëse ende nuk e dinte se a do të ketë fatin që të pranohet në këtë fakultet, ajo beson që juridiku është rruga e vetëm për të.

“E kom zgjedh se më flenë në zemër”, thotë ajo teksa pret në radhë për t’i dorëzuar dokumentet. Madje, ajo është e bindur se pas përfundimit të studimeve do të behët edhe njeri me ndikim, e të ia zërë vendin Aleksander Lumzit.

“…mendoj me u bo kryeprokurore”, thotë Blakcori.

Sikur Flondra, rrugës drejtë këtij universiteti marrin edhe mbi 1000 studentë të tjerë. Prej tyre çdo vit fillojnë studimet për drejtësi gjithsej 900 të rijnë.

Nga të cilët në vitin 2014/2015 sipas Agjencinë të Statistikave të Kosovës patën diplomuar vetëm një e treta e tyre.

Numri i madh i studenteve është një arsye e uljes së cilësisë së arsimit në vend. E ky problem qëndron edhe në drejtimin ekonomik

Rrezart Kashtanjeva është optimist për atë që e pret në të ardhmen. Ai thotë se kushtet mund të mos jenë të mira por shpreson që diploma e tij të vlejë më shumë se e një kolegu të tij në universitet privat.

Ndërkaq Lirim Qollaku i cili planifikon të behtë kontabilist shpreson që vetëm studimet bachelor t’i përfundoj në UP e të fitoj një bursë për mastër jashtë vendit.

“Prej asaj që më kanë tregu shoqëria që janë në studime mastër, profesorët nuk bëjnë aq sa duhet për ta pasi nuk duan t’ia kalojnë atyre”.

Rinia s’ka prirje për të studiuar

Problemi i tyre pas studimeve vazhdon në gjetjen e punës. Konkurrenca rritet edhe nga studentët e universiteteve private të cilët çdo vite diplomojnë një numër të lartë të studentëve.

Shumë prej këtyre të rinjve në mungesë të një pune në të cilën janë kualifikuar detyrohen t’i drejtohen profesioneve tjera.

Dukagjin Pupovci drejtor i Qendrës  për Arsim të Kosovës dhe njohës dhe kritik i sistemit të edukimit  ka thënë për Gazetën Fjala problemi qëndron tek të rinjtë të cilët nuk kanë prirje të veçantë për studiuar diçka.

“Të tillët kanë problem për të qenë të suksesshëm edhe në ato profesione për të cilat tregu i punës ka nevojë, e të mos flasim për profesionet nga të cilat tregu i punës është “ngopur”.

Arsye e këtij ngërçi në punësim dhe konkurrencës së madhe në vetëm disa prej drejtimeve të UP-së është dhe mungesa e shkollave profesionale. Kjo krijon në paaftësinë e të rinjve që të hyjnë në tregun e punës.

Sipas Pupovcit të rinjve u nevojitet po ashtu orientin dhe këshillim në karierë i cili duhet të organizohet që nga klasat e fundit të arsimit të obligueshëm, gjë e cila mungon në pjesën më të madhe të shkollave të vendit.

“Në mungesë të këtij këshillimi të rijnë u drejtohen universiteteve në bazë të shtytjes nga familja dhe shoqëria në degët ku ka më shumë mundësi punësimi”, thotë ai.

Nuk ka punëtorë të kualifikuar

Një problem i madh i arsimit në Kosovë mbetet paaftësia që të krijojë punëtorë të aftë të hyjnë në tregun e punës. Ketë shqetësim në vazhdimësi e kanë bizneset kosovare.

Në një analizë të institutit GAP mbi përgatitjen profesionale për tregun e punës bizneset kanë thënë se vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.

Prej 92.6 për qind të kompanive të anketuara të cilat kanë punësuar punëtorë të rinj gjatë tri viteve të fundit, 82.1 për qind kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.

“Mospërputhja e aftësive me kërkesat e bizneseve ka bërë që kompanitë të punësojnë punëtorë më pak të kualifikuar, të pengohet zhvillimi i shërbimeve të reja dhe të ulet produktiviteti”, thuhet në raportin e GAP-it.

Sipas Fikrete Asllani, Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë Baruti GmbH, rreth 60 për qind të aplikantëve në “Baruti” nuk janë punësuar për shkak të mungesës së aftësive bazike të shkrimit të letrësmotivuese, rezymeve dhe emailave, si hap i parë i në procesin e rekrutimit.

Si rrjedhojë kompania është detyruar që të ofrojë vet trajnime për punëtorët.

“Baruti ofron trajnime të shumta për punëtorët e tyre duke bashkëpunuar me institucione arsimore private për ofrimin e moduleve të veçanta për punonjësit e “Barutit”. Por një bashkëpunim i tillë ende nuk ka ndodhur me institucione publike edhe pse ka pasur përpjekje për bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Gjermane”, ka thënë Asllani.

Të rinj pa perspektivë

Por gjendja del të jetë më e rëndë sesa vetëm mungesa e vendeve të reja të punës. Sipas një raporti të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës si pasojë e mungesës se shkollimit.

Në Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2016, kjo agjenci alarmon se si pasojë e kësaj Kosova mund të këtë probleme të mëdha sociale në të ardhmen.

Në tremujorin e katërt të vitit 2016, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme për meshkujt dhe femrat.

Të rrezikuar janë kryesisht të rinjtë joaktivë, pra që nuk janë të punësuar. Të kjo kategori të rinjtë nuk ndjekin shkollimin as nuk trajnohen, dhe janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor.

Bëhet fjalë për  104 mijë e 315 të rinj të kësaj kategorie (të moshës 15 deri 24), të cilët nuk ndjekin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.7  për qind të popullsisë së re. /Gazeta Fjala/. (Alberta Hashani)

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/drejt-universitetit-pa-perspektive/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala