Drama e tmerrshme e Hasan Shalës

Autori:Gazeta Fjala

hasan shala

Hasan Shala, tash e 15 vjet endet me këmbën gjysmë të hekurt nga njëra gjykatë në tjetrën.

Atij nuk po i njihet e drejta për t’ia kompensuar dëmin që i është shkaktuar derisa po hynte në oborrin e Korporatës Energjetike të Kosovës, raporton Gazeta Fjala.

Më 2 prill të vitit 2000 aty ai kishte pësuar një aksident.

Kishte vetëm pak minuta që kishte dalë nga minibusi që e dërgonte për çdo ditë në punë, kur një automjet i zjarrfikësve e goditi atë, për ta lënë për tërë jetën të hendikepuar dhe të pa aftë për të punuar dhe mbajtur familjen e tij. Për këtë dëm, Shala në të njëjtin vit paditi korporatën, me kërkesën për kompensim dëmi për lëndimin që mori.

Por, as në vitin 2015 procesi gjyqësor për këtë rast nuk ka përfunduar.

E gjatë kësaj kohe përveç lëndimeve që ka marrë nga aksidenti, atij i janë shtuar edhe telashe tjera me shëndetin.

“E kam fituar diabetin, tu u enë rrugëve e duke u bërë nervoz me padrejtësitë që po mi bëjnë”, thotë Shala për Gazetën Fjala, derisa tregon për zvarritjet që i janë bërë lëndës së tij.

“Tash thonë se e kanë përcjellë rastin të gjykata e apelit. Qe tri herë është endë lënda në themelore e tri herë në atë të apelit”, tregon ai.

Shalës i ishin caktuar fillimisht 91 mijë euro dëmshpërblim për dëmtimet që i ishin bërë nga aksidenti.

Por, ai si ka parë kurrë këto para me sy. Ende jeton me 105 euro pension invalidor dhe mbanë familjen 5 anëtarëshe.

“Po më zhagitin për me ju dhanë pare. Edhe pse nuk më kanë than kurrë direkt. Por po kanë qef me hangër krejt landën”, shprehet Shala për Gazetën Fjala.

Ai është mërzitur nga kjo lojë, siç e quan maltretimin që po i bëjnë gjykatësit me mospunë dhe neglizhencë në rastin e tij.

Madje i mllefosur me këtë, një muaj më parë ai theu xhamat e gjykatës themelore në Prishtinë.

“U nervozova se atë ditë kisha me i marrë paret që më kishin thënë se më takojnë”, tregon Shala për Gazetën Fjala.

Sipas tij, përfaqësuesi i tij ligjor e kishte lajmëruar se i takonin 16,150 euro në emër të kompensimit të dëmit.

Por ditën që kishte shkuar në gjykatë, i kishte dalë se procesi ende nuk ka përfunduar.

“Një ankesë e KEK-ut mua ma shtynë lëndën 5 vjet”, thotë ai.

Edhe në rastin e fundit KEK ishte ankuar se i lënduari nuk ka të drejtë.  Madje nuk i është njohur as e drejta për të marrë 60 pagat që i takojnë me një vendim të KEK-ut për punëtorët që dëshirojnë të lëshojnë punën me vullnet.

KEK: Shala nuk ka të drejtë

Korporata Energjetike e Kosovës vazhdimisht ka shfaqur pakënaqësi rreth pretendimeve të Hasan Shalës, të lënduar në vitin 2000. KEK, përkatësisht përfaqësuesit ligjorë të korporatës pretendojnë se kërkesa e Shalës është e padrejtë për tri arsye. Shkelje esenciale të dispozitave të LPK-së, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes fizike dhe aplikim të gabuar të dispozitave ligjore.

Në arsyetimin e KEK, të cilin e posedon Gazeta Fjala, thuhet se me aktgjykimin e atakuar është miratuar kërkesëpadia e paditësit dhe është detyruar e paditura (KEK) që paditësit në emër të kompensimit të dëmit material dhe jo material të pësuar nga lëndimi në punë shumën prej 15 900 euro t euro të gjitha me kamatë ligjore nga dita e marrjes së aktgjykimit si dhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 1.528 euro..

E paditura (KEK) gjatë gjithë procedurës e ka kontestuar padinë dhe kërkesëpadinë në tërësi duke i sugjeruar gjykatës se nuk është fajtore për rastin e ndodhur, transmeton Gazeta Fjala00.

Nga provat materiale të prezantuara KEK pretendon se deri te lëndimi nuk ka ardhur me fajin e të paditurës (KEK). KEK pretendon se lëndimi i Shalës ka ndodhur në orën 7.00 të mëngjesit ndërkohë që orari i punës së tij do të duhej të fillonte po në 7.00 dhe lëndimi i punëtorit ka ardhur me faj po të tij.

Bile në ankesën e saj KEK thuhet se pretendimet e Shalës por edhe vendimet e gjykatës janë të pa drejta.

“Edhe për kundër që dihet personi i cili ka shkaktuar lëndime paditësi nuk ka preferuar vend shikimi nga organet e policisë si dhe të bëhet skicimi në vendin e ngjarjes, në mënyrë që të hartohet procesverbal, por këto veprime nuk janë ndërmarrë këtë fakt e potencon edhe eksperti i komunikacionit në ekspertizën e tij me 30.03.2009, ku eksperti thekson qasi që mungojnë këto fakte nuk mund të identifikohet edhe shkaktari i aksidentit pasi që nuk janë provat e duhura, por lëndimi ka ndodhur në rrugë publike e jo në vendin ku është i dedikuar”, thuhet në ankesën e KEK.

Por të kundërtën e thonë dokumentet të cilat posedon Gazeta Fjala.

Vet KEK ka pranuar lëndimet e Shalës dhe dëmet që i janë shkaktuar.

dokumenti

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/drama-e-tmerrshme-e-hasan-shales/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala