Ditë të zeza për KEK-un

Autori:Gazeta Fjala

Kosova-A

Korporatës Energjetike të Kosovës, nuk po i përshtate asnjë stinë për të prodhuar energji elektrike. Dimrit blloqet e dy termocentraleve shpesh zhyten në avari. Gjatë dimrit arsyetimi i drejtuesve të Korporatës energjetike zakonisht është ulja e temperaturave.

Por blloqet nuk po i rezistojnë as temperaturave të verës. Vendi u zhyt në kolaps energjetik edhe tani.

Kjo situatë duket se do ta vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.

Edmond Nulleshi, Drejtor  i Shërbimit në Korporatën Energjetike të Kosovës ka thënë se telashet për prodhim të energjisë elektrike po vinë për shkak të vjetërsisë së termocentraleve, të cilat sipas tij nuk po mund ta përballojnë edhe nxehtin e kohëve të fundit.

“Duhet te jemi te vetëdijshëm se njësitë gjeneruese te  Termocentralit Kosova B kane moshën mbi 35 vjeçare përderisa ato te Kosovës A mbi 40 vjeçare. Për këtë arsye, proceset e operimit te njësive ne fjale, janë shume komplekse dhe vështirë te parashikueshme, për sa i përket angazhimeve qe kërkohen. Kushtet atmosferike te nxehtësisë ekstreme qe janë duke mbretëruar e vështirësojnë edhe me tepër situatën për sa i përket operimit dhe intervenimit dhe qe shkaktojnë limitime te natyrshme te fuqisë se këtyre njësive”, ka thënë ai.

Nulleshi ka treguar për Gazetën Fjala se për momentin KEK është duke prodhuar mbi 500 MWh/h nga dy njësi te Kosovës B. Derisa, sipas tij ne Termocentralin Kosova A, ekipet janë duke punuar pandërprerë ne tejkalimin e situatës se krijuar, duke bërë përpjekje qe njësia A4 te kthehet në punë.

“Duke marr parasysh këtë dhe te gjitha rrethanat ne te cilat gjendemi, mund te deklarojmë se, për sa i përket KEK-ut jemi duke u ballafaquar me vështirësi momentale te natyrës se përkohshme te cilin besojmë se do te tejkalohen shume shpejt. Përndryshe, për sa i përket problemeve te furnizimit te konsumatorëve me energji, kemi te bëjmë me dobësi te sektorit te energjisë ne përgjithësi, ku KEK është vetëm një nga aktoret e tij”, është shprehur Nulleshi.

E, situatën e krijuar nuk po e arsyeton fare eksperti  i energjetikës , Avni Kurshumliu. Ai ka thënë se rruga më e shkurt për të dal nga kriza energjetike është rindërtimi i Kosovës A, edhe atë brenda 8 viteve, që do të prodhonte 800 megavat.  Derisa, thotë se as  “Kosova e Re” nuk është shpëtim.

“Me Kosovën e Re hiq se hiq, sepse Kosova e Re nëse fillon vitin e ardhshëm duhet 8 vjet të ndërtohet, prandaj shikoni ku kemi ardhur. Unë mendoj që Kosova A duhet të rindërtohet, ajo është shpëtimi i Kosovës dhe nuk ka alternativ tjetër, rindërtimi i Kosovës A, që shkon hap pas hapi, por për 6 vite fitohen 815 megavat të ri, për 30 vitet e ardhshme. Pa Kosovën A të rindërtuar, mazamakeq për popullin tonë”, ka thënë Kurshumliu

Ai tregon se në energjetik gjërat duhet të parashihen.  “…prej 1984 kur është ndërtuar, asnjë objekt energjetik në Kosovë nuk është ndërtuar. Ato të vjetrat janë shumë të amortizuara sepse kanë shumë vjet punë. Kjo krizë është e pritshme”, ka thënë ai.

Kurse, përfaqësues të kompanisë së furnizimit,  KESCO kanë thënë se në këto çaste, situata e furnizimit me energji elektrike është më e keqe se vitin e kaluar, kur së paku një njësi ishte aktive në TC “Kosova A”. Si pasojë, sipas tyre energjia e gatshme në treg është e limituar dhe shumë e kushtueshme.

“Edhe pse jo obligim i KESCO-s, ne jemi duke importuar energjinë që është e disponueshme  në treg me çmim shtatë herë më të shtrenjtë (130 euro për megavat) për të tejkaluar më lehtë situatën e shkaktuar nga prishjet e paplanifikuara në KEK . Sidoqoftë, kjo nuk është e mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike dhe nuk mund të jetë e qëndrueshme për kohë të gjatë”, ka thënë Guri Shkodra zyrtar për informim në KESCO.

Sipas bilancit energjetik gjatë gjithë muajit korrik në KEK duhej të ishin aktive dy njësi të “Kosovës  A” dhe dy njësi të “Kosovës B”.  Kurse, tani siç kanë thënë në KESCO, në KEK janë aktive vetëm dy njësi të “Kosovës B” me kapacitet të limituar të prodhimit dhe të ndryshueshëm nga ora në orë, deri sa konsumi në orët e pikut është diku rreth 750 megavat. (Prodhimi në vend është vetëm 460 – 500 megavat).

“Ne do të vazhdojmë me importimin e gjithë energjisë së gatshme në treg pa marrë parasysh çmimin për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve, por një proces i tillë është i vështirë për t’u realizuar marrë parasysh kushtet klimatike dhe kapacitetet e limituara të gatshme. Shpresojmë që KEK do të rifillojë gjenerimin sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Shkodra./Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/dite-te-zeza-per-kek-un/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala