Diplomat e Kosovës “të pavlera” në vendet e BE-së

Autori:Arjeta Shabani

diplomeee

Tërë vitet e studimit, studentëve kosovarë mund t’u shkojnë dëm. Diploma që marrin në përfundim të studimeve, mund të mos u shërbejë në asnjë shtet tjetër, përveç Kosovës.

Në vendet e Bashkimit Evropian, ajo mund të konsiderohet vetëm një letër e thjeshtë. Asgjë më shumë.

Madje, edhe nëse këto diploma pranohen, tani e tutje do të shihen me dyshim, shkruan Infokusi.com.

Tërë këto pasoja do t’i vuajnë studentët, si pasojë e ndërhyrjes politike që dërgoi në përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Shkarkimi i Bordit të AKA-së nga Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj për parregullësi serioze në procesin e akreditimit, ishin vlerësuar nga EQAR, si shkelje e standardit të pavarësisë institucionale.

Dështimi i Ministrit të Arsimit Shyqyri Bytyqi që të dëshmojë për këto “parregullësi” që përmenden në kërkesën e Haradinajt para EQAR, ndikuan në përjashtimin e AKA-së.

Por, pavarësisht kësaj, njohësit e arsimit të lartë thonë se mosnjohja e akreditimit nuk ndikon aspak në punën e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

“Ato mund të vazhdojnë të punojnë normalisht”.

E barrën më të rëndë të këtij vendimi po e vuajnë studentët.

Këtë e thonë edhe njohësit e fushës, të cilët përjashtmin e AKA-së nga EQAR e kanë vlerësuar si një goditje të madhe për Kosovën, gjersa flasin edhe për pasojat që mund të ketë ky vendim tek studentët, e edhe në imazhin e arsimit të lartë të Kosovës në vendet evropiane, shkruan Infokusi.

Pupovci: Do të shtohet shkalla e refuzimit të diplomave nga Kosova

Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës ka thënë se përjashtimi i Agjencisë për Akreditim nga EQAR-i është lajm i keq për Kosovën dhe se ndikon në imazhin e arsimit të lartë të Kosovës në vendet tjera evropiane.

“Ky mund të jetë sinjal për qeveritë e vendeve evropiane dhe institucionet e arsimit të lartë në Evropë që diplomat e fituara në Kosovë t’i trajtojnë me një rigorozitet akoma më të madh, duke e shtuar shkallën e refuzimit të njohjeve”, ka thënë Pupovci për Infokusi.com.

Ai deklaron se imazhi i arsimit të lartë edhe ashtu nuk ka qenë i mirë, por me një vendim zyrtar të një mekanizmi evropian për sigurimin e cilësisë, ky imazh vetëm sa ka shkuar duke u dobësuar.

AKA është cilësuar si institucion që nuk gëzon “autonomi veprimi”.

Por, Drejtori i Qendrës për Arsim thotë se përjashtimi i Agjencisë për Akreditim nga  ky regjistër nuk ndikon aspak në punën e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

“Ato mund të vazhdojnë të punojnë normalisht”, thotë Pupovci.

Sipas tij, tani, varësisht nga politika që udhëheqin institucionet e Kosovës, mund të përballen me kërkesa shumë më rigoroze për plotësimin e kritereve të cilësisë, “nëse kjo shihet si mënyrë për të rikthyer besimin e humbur, ose këto kritere mund të degradojnë krejtësisht, nëse mungesa e monitorimit ndërkombëtar shihet si mundësi për t’i kënaqur interesat e ndryshme biznesore brenda vendit”.

Thaçi: Diplomat mund të mos pranohen nga Universitet Evropiane e Ndërkombëtare

Edhe njohësi tjetër i arsimit, Jusuf Thaçi thotë  se tani e tutje diplomat që lëshohen nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë mund të mos njihen si kredibile apo edhe mund të kontestohen e të mos pranohen nga universitete e shtete të ndryshme evropiane e ndërkombëtare, shkruan Infokusi.com.

Ai ka thënë se ky është një prapakthim i pafalshëm në fushën e arsimit të lartë të Kosovës dhe institucionet e vendit duhet dhënë përgjegjësi për këtë.

Thaçi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës e Ministrisë së Arsimit që të marrin urgjentisht të gjitha veprimet e nevojshme që të rikuperohet ky dëm i madh për arsimin e lartë të vendit.

“Në të njëjtën kohë, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit duhet ta kuptojnë se po qe se dëshirojmë të bëhemi pjesë e botës së qytetëruar, atëherë duhet të sillemi sipas parimeve, standardeve e rregullave që kërkon qytetërimi”, ka thënë më tej Thaçi, shkruan Infokusi.

Orca kërkon llogari nga Haradinaj për Agjencinë e Akreditimit

 E para që reagoi për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR ), ishte Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.

Madje, ORCA kërkoi llogari nga Kryeministri. Haradinajt, i kërkuan që t’i bëjë publike të “dhënat konfidenciale”, për veprimtaritë e mundshme ilegale të disa ish-anëtarëve të Bordit të AKA , për të cilat edhe u shkarkua ky bord, shkruan Infokusi.

“ORCA është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) e cila ka vendosur ta përjashtojë Agjencinë e Kosovës për Akreditim për shkak të shkeljes së standardit të pavarësisë institucionale”, thuhet në njoftimin e ORCA-së të publikuar në faqen zyrtare të kësaj organizate.

Në këtë njoftim thuhet se ORCA në kohën e shkarkimit të bordit pati kërkuar nga Kryeministri i Republikës sqarim publik për një javë rresht, por asnjë përgjigje nuk është dhënë as nga kryeministri e as nga vartësit e vet. Kjo organizatë kërkon që tani Kryeministri t’i bëjë publike arsyet e edhe të dhënat që i kishte konsideruar konfidenciale për shkarkimin e bordit.

“Tani që Kosova ka filluar të pësojë nga vendimet e tij të pamenduara, ORCA mendon se është koha që kryeministri t’i bëjë publike të “dhënat konfidenciale” për veprimtaritë e mundshme ilegale të disa ish-anëtarëve të Bordit të AKA, ose të jap llogari institucionale për këtë degradim të Kosovës në arenën ndërkombëtare.”

Më tej ORCA i ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në krye me Shyqyri Bytyqit që ta kthejë AKA-në në këtë organizatë.

“ORCA i bënë thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë MAShT që në afatin prej 90 ditësh për ankesë, ta bëjë të pamundurën që AKA të kthehet në EQAR duke garantuar për pavarësinë e institucionit”, thuhet në reagimin e ORCA-së.

Ndryshe, European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR) është organizatë evropiane e institucioneve akredituese e cila shqyrton si organ i jashtëm sigurimin e cilësisë nga këto institucione. Kosova ka qenë një ndër pak vendet e rajonit që ka qenë pjesë e kësaj organizate. (Arjeta Shabani)/INFOKUSI/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/diplomat-e-kosoves-te-pavlera-ne-vendet-e-be-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala