Dështimi i MZHE-së me ndërmarrjet publike

Autori:admin

21677879268_c48bcdedb1_b

Një vendim i Ministrisë se Zhvillimit Ekonomik për shkurtimin dhe heqjen e financimit për shumë ndërmarrje publike, ka rrezikuar punën e shumë prej tyre. Së paku tri ndërmarrje, sipas Auditorit të përgjithshëm, janë në gjendje të rëndë.

“Infra Kos” që menaxhon me hekurudhat dhe dy ndërmarrje tjera që menaxhojnë me mbeturina KRM “Pastërtia” dhe KRM “Eko Regjioni”, shkruan Gazeta Fjala.

Megjithatë, Auditori gjeti se Ministria e Zhvillimit Ekonomik që tanimë udhëhiqet nga Blerand Stavileci, me vendimin për shkurtime buxhetore për ndërmarrjet publike, kishte shkelur strategjinë që e kishte hartuar vet, për reforma në ndërmarrjet publike.

Bëhet fjalë për Strategjinë sektoriale të zhvillimit ekonomik, 2014-2016, e cila parasheh investime prej 10 milionë euro në ndërmarrjet publike.

“Mirëpo, MZHE nuk ka kryer studim analitik për caktim të prioriteteve se cilat NP do të financohen dhe vlerësim të arsyeshmërisë të investimeve kapitale, e cila do të mundësonte identifikimin e problemeve dhe adresimin e tyre. Po ashtu, nuk është hartuar një dokument, ku do të përfshiheshin çështjet, qëllimet dhe objektivat strategjike, përfshirë edhe investimet kapitale për NP-të”, thuhet në raportin e Auditorit për ndërmarrjet publike.

 “Infra Kos” në rrezik

Si pasojë e këtyre shkurtimeve ndërmarrja që menaxhon me hekurudhat “Infra Kos” ka mbetur pa realizuar projekte kyçe për ndërmarrjen.

Madje Auditori ka gjetur se për shkak të shkurtimeve buxhetore disa projekte në “Infra Kos” rrezikojnë të mos realizohen. Ndërmarrja nuk po arrin as t’i mbuloj shpenzimet operative me mjete vetanake.

“NP Infra Kos” nuk mund të mbulon shpenzimet operative me mjetet vetanake për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes dhe të zhvillimit të infrastrukturës hekurudhore. Andaj për funksionimin e mëtejshëm i nevojiten edhe burime financiare për projekte kapitale nga Qeveria e Kosovës”, konstaton Auditori.

Kjo ndërmarrje ka pasur shkurtime buxhetore në tri vitet e fundit. Në vitin 2014, kishte pranuar buxhet prej 1,800,000 euro nga qeveria, kurse në vitin 2016 fondi i ndarë ishte 1,100,000 euro. Përkundër ndarjes së buxhetit nga qeveria përkatësisht MZHE në fillim të vitit 2016, ndërmarrja është përballur edhe me dy shkurtime buxhetore brenda këtij viti. Në fillim të vitit 2016, MZHE ka nënshkruar MMK-në për financimin e projekteve në vlerë prej 1,100,000 euro. Me rishikim të buxhetit për 2016, Infrakos-it i është zvogëluar buxheti nga 1,100,000 euro në 871,274€ dhe deri në fund të vitit ka vazhduar rënia në 781,274 euro.

“Shkurtimet buxhetore brenda vitit kanë ndikuar që të ketë rreth 30 për qind më pak mjete financiare për realizimin e projekteve të caktuara”, thotë auditori.

Sipas Auditorit, Qeveria e Kosovës, përkatësisht MZHE nuk kanë analizuar dhe vlerësuar pasojat e mundshme mbi shkurtimet buxhetore për “NP Infra Kos” apo të paktën ta njoftojnë me kohë ndërmarrjen  për këto shkurtime buxhetore në mënyrë që mos të hyj në obligime kontraktuese me operatorët ekonomik.

“Pas nënshkrimit të MMK-së NP Infra Kos ka kontraktuar operator ekonomik me qëllim të përfundimit të projekteve bazuar mbi buxhetin e ndarë. Si pasojë e shkurtimeve buxhetore NP në përfundim të vitit ka rezultuar me obligimet e papaguara në vlerë prej 37,542 euro”, ka gjetur Auditori.

Por ka edhe ndërmarrje të cilave u është ndërprerë krejtësisht financimi. Sipas Auditorit, dy nga NP-të e audituara KRM “Pastërtia“ dhe KRM “Eko Regjioni” ju është ndërprerë financimi tërësisht. Për vitet 2015 dhe 2016, këtyre ndërmarrjeve nuk u janë ndarë mjetet nga MZHE dhe nuk janë njoftuar se pse më tutje nuk do të financohen.

Auditori: Financim i ulët për ndërmarrjet publike

Qeveria e Kosovës në Ligjin e Buxhetit çdo vit ndan fonde për kategorinë e Investimeve Kapitale tek MZHE për ndërmarrjet qendrore dhe lokale.

Qeveria për vitet 2014-2016 ka ndarë mjete për investimet kapitale për ndërmarrjet publike në vlerë prej 25,779,427 euro përderisa buxheti total i shtetit për këto tri vite ishte 5,057,697,653 euro.

Ndërsa, investimet e përgjithshme kapitale në nivel të shtetit për periudhën 2014-2016 ishte 1,534,711,147 euro, përderisa investimet kapitale për ndërmarrjet publike mbesin të njëjta prej 25,779,427 euro.

“Shohim se pjesëmarrja e investimeve kapitale për NP-të krahasuar me buxhetin e tërësishëm shtetëror dhe atë për investime kapitale është tejet i ultë, për vitet 2014 deri 2016 vërejmë së buxheti i ndarë ishte rreth -+ 1 për qind”, konstaton Auditori. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/deshtimi-i-mzhe-se-me-ndermarrjet-publike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala