Deputetja u prinë 201 zyrtarëve të korruptuar

Autori:Gazeta Fjala

drejtesi

Një deputete e Kuvendit të Kosovës është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për korrupsion.

Në këtë institucion kanë konfirmuar për Gazetën Fjala se ndaj saj po zhvillohen hetime për vepër penale nga janari i këtij viti.

Nën llupën e prokurorisë këtë vit kanë hyrë edhe 12 kryetarë të komunave. Ndaj disave tashmë janë ngritur aktakuza, kanë filluar hetime e kallëzime penale.

Sipas listës së zyrtarëve të lartë shtetit të cilën Këshilli Prokurorial të Kosovës e ka bërë të ditur për Gazetën Fjala, gjatë periudhës kohore 1 janar 2016 deri më 30 qershor janë 201 raste që po hetohen nga të gjitha Prokuroritë Themelore të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, gjatë vitit të kaluar, 143 zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe janë përfshirë ne korrupsion. Në mesin e tyre, figurojnë kryetarët e komunave, deputetët, gjyqtarët, prokurorët, avokatët, mjekët e profesorët, të cilët nuk janë të paktë në numër.

Kryetarë e ish kryetar komunash nën hetime

Në Prokurorinë Speciale, këtë vit janë nisur hetime për një ish kryetar komune, katër kryetar komunash, një ish drejtor të bujqësisë, ish kryetar dhe anëtar i Komisionit, shef të zyrës së prokurimit, një ministër, një sekretar të ministrisë, e një drejtor departamenti të administratës dhe financave në Ministri.

Edhe në rajonin e Gjilanit, janë ngritur kallëzime penale për pesë kryetarë komunash, katër prokurorë, 13 gjyqtarë, 11 drejtorë komunal, një rektor e një dekan, tre përmbarues privat, tre mjekë, dy drejtorë banke, katër zyrtarë komunal, një zyrtar policor, e një avokat, raporton Gazeta Fjala.

Në rajonin e Mitrovicës, në keqpërdorime të njejta janë të përfshirë, pesë zyrtarë komunal, pesë inspektorë, katër mjekë, katër zyrtar policor,  një profesor universiteti, e një psikologe.

Ndërkaq, prokuroria themelore e Gjakovës ka nisur hetimet, për një zyrtarë të lartë, një zyrtar policor, një drejtor, e një gjyqtar.

Në Prizren kryetari i Komunës, ende është nën hetime për shkeljet e bëra gjatë mandatit qeverisës, bashkë me një zyrtarë komunal, një zyrtar policor, një mjek ndaj të cilit edhe është ngritur aktakuzë, një profesor, e një avokat.

Prokuroria themelore e Pejës është duke i trajtuar rastet e përfshirjes në keqpërdorime të zyrtarëve policor, gjykatësve e profesorëve. Shtatë zyrtarë policor, kanë keqpërdorur detyren zyrtare, gjashtë mësimdhënës, dy prokurorë, dy profesorë, e një gjyqtar, raporton Gazeta Fjala.

Prokuroria ka ngritur akuza e ka filluar hetimet edhe në rajonin e Ferizajt.

Për keqpërdorim të  detyrës, janë gjetur dy kryetarë komune, dy zyrtarë komunal, katër gjyqtar, një prokuror, dy mjekë, katër drejtorë komunal, një inspektor, tre zyrtarë policor, një zyrtar banke, një arkitekt, e një shef inspektoriati.

Prej të gjitha këtyre rasteve Këshilli Prokurorial bënë të ditur për Gazetën Fjala se janë ngritur tetë aktakuza me 11 persona, kanë pushuar hetimet për 11 persona. Derisa thuhet se janë hudhur poshtë 24 raste me 38 persona, e janë ngritur 12 kallëzime penale, për zyrtarë komunal.

Drejtori i KEDS-it, gjyqtarët e avokatët e korruptuar

Sipas të dhënave vitin e kaluar dy kryetarë komunash kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, bashkë me 30 zyrtarë komunal,  të cilët janë përfshirë në afera të njejta.

Për mos deklarim të pasurisë janë hetuar 30 deputetë,  e katër zyrtarë të ministrive, raporton Gazeta Fjala.

Drejtësisë nuk i kanë shpëtuar as ata që janë të thirrur të punojnë drejtë. Gjyqtarët, prokurorët e e kryeprokurori kanë qenë cak i hetimeve.

Vetëm gjatë vitit 2015, dy gjyqtarë, prokurorë, e një kryeprokuror, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.

Në dokumentin që Gazeta Fjala, ka siguruar, thuhet se me të njejtat akuza, janë ballafaquar gjashtë drejtorë komunal, nëntë drejtor shkollë, një drejtor spitali, kadastri, e një drejtor KEDSI.

Të besueshme, nuk dalin të jenë as institucionet shkollore, madje  as ato të shëndetësisë. Dhjetë profesor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë vitit të kaluar.

Derisa, në shëndetësi të njejtat akuza prokuroria i ka ngritur ndaj një mjeku, e dy infermierëve, shkruan Gazeta Fjala.

Dy avokatë, dy guardian burgu, dy inspektor komunal, e  dhjetë inspektor doganor, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre, për interesa personale, ndaj të cilëve Prokuroria ka filluar hetimet.

Mirëpo, as numri i zyrtarëve policor, të gjykatave, e zyrtarëve të prokurimit, të cilët kanë keqpërdorur detyrën e tyre, nuk është i vogël.

16 zyrtarë policor, janë hetuar nga Prokuroria për shkeljet e kundërligjshme. Derisa 15 zyrtarë prokurimi, katër zyrtar të gjykatave, dy zyrtarë financiar, e dy në Administratën Tatimore të Kosovës, kanë qenë të përfshirë në aferat e njejta korruptive. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/deputetja-u-prine-201-zyrtareve-te-korruptuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala