Dallaveret në tenderin 2 milionësh e lënë Prizrenin pa pishinë olimpike

Autori:Agon Sinanaj

komuna-e-prizrenit-523462

Asnjë qytet në Kosovë nuk ka pishinë olimpike. Hapi i parë për ndërtimin e një pishine të tillë është ndërmarrë nga Komuna e Prizrenit, që drejtohet nga Ramadan Muja.

Megjithatë nisjen e këtij projekti që do të kushtoj afër 2 milionë euro, e kanë bllokuar parregullsitë që e kanë përcjellë procesin e tenderimit.

Komuna e Prizrenit, në këtë rast, e kishte shpërblyer me kontratë një kompani që nuk i plotësonte kriteret.

Sipas Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kompania “Çlirimi” u shpallë fituese përkundër faktit se nuk kishte arritur të ofronte dëshmi profesionale për ndërtimin e këtij projekti.

Parregullsitë i ngriti operatori ekonomik Kag Asphalt “sh.p.k Prizren & Powatec GMBH”, derisa pas shqyrtimit të rastit, ekspertet e OSHP-së i konstatuan shkeljet dhe e anuluan këtë tender.

Kompania e rekomanduar për kontratë nuk i kishte plotësuar kërkesat lidhur me gjendjen ekonomike, financiare dhe teknike profesionale, që kërkohen me nenin 68 dhe 69 të Ligjit të Prokurimit Publik në Kosovë.

“Po ashtu pajtohemi ne parim me mendimin e ekspertit, përveç kontratës për pishinë që ka paraqitur OE fitues e cila nuk është e dëshmuar me transaksione bankare, edhe kontratat tjera to paraqitura nuk plotësojnë kushtet e kërkuara në dosje të tenderit, si projekte të ngjashme të pishinave. AK në këtë aktivitet të prokurimit ka rekomanduar për kontratë OE të papërgjegjshëm, dhe kjo bie ndesh me LPP”, thuhet në raportin e OSHP-së.

Në fund eksperti shqyrtues ka rekomanduar panelit shqyrtues që të aprovoj ankesën e operatorit ekonomik “Kag Asphalt “sh.p.k Prizren & Poeatec GMBH” si të bazuar dhe aktiviteti i prokurimit “Ndërtimi i Pishinës Olimpike në Prizren” nga Komuna e Prizrenit të kthehet në ri-vlerësim.

 “Kontrata fiktive” mbi të cilën u dha tenderi

Si dëshmi për ta fituar këtë tender kompania e rekomanduar për kontratë e kishte ofruar një kontratë të lidhur ndërmjet tyre dhe personit privat Sejdi Rexhaj, me të cilën pretendohej se kompania fituese kishte ndërtuar në të kaluarën pishinë në vlerë afër 2 milionë euro.

Por kjo marrëveshje nga kompania ankuese u cilësua si fiktive.

Edhe ekspertet shqyrtues të OSHP-së në ekspertizën e tyre e cilësuan si të dyshimtë këtë marrëveshje dhe kërkuan verifikimin e saj.

“Sa i përket kontratës në investitorin privat të cilën kryesisht e konteston OE ankues, eksperti shqyrtues, sqaron se kjo kontrate është sipas kërkesës se dosjes se tenderit mirëpo fakti që kjo kontratë konsiderohet fiktive nga ana e OE ankues duhet që konform nenit 72 te LPP-se te verifikohet dhe njeherit Faqe 4 nga 9 eksperti shqyrtues, duke u bazuar edhe në kontratat tjera të dorëzuara në ofertë i rekomandon AK-se që ti verifikoj konform kërkesës së dosjes së tenderit”, thuhet në deklaratën e ekspertit shqyrtues.

Në deklaratën e tij, sqarime për këtë marrëveshje kërkoi edhe përfaqësuesi i kompanisë ankuese.

“Ne kërkojmë nga OSHP të kërkoj sqarime dhe të vërtetoj kontratën që është e lidhur me personin privat Sejdi Rexhaj. Psh të kërkohet transaksion bankare ose vërtetim nga ATK-ja për kontratën e lartpërmendur pasi ne dyshojmë se kjo kontrate është fiktive. Andaj kërkojmë që ky aktivitet i prokurimit të kthehet në Ri-vlerësim dhe të detyrohet AK të vërtetoj dilemat që ne kemi ngritur dhe të respektoj dispozitat e LPP”.

 Pretendimet e kompanisë fituese

Nga ana tjetër, kompania fituese “Çlirimi” të cilës iu anulua ky tender thotë se i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, pishina e cila u kontestua gjendet në Korishe dhe se gjendet përskaj rrugës.

“Këtë edhe sot mund ta vërtetoni përmes pronarit të saj. Për  këtë ekzistojnë edhe dëshmitë bankare. Ne jemi shpall fitues në këtë aktivitet të prokurimit për faktin se kemi qenë OE me çmim më të lirë ku edhe kriter kryesor për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i ulët i cili është respektuar nga AK”, ka thënë përfaqësuesi i kësaj kompanie në mbledhjen e OSHP-së.

Sipas tij, kompania  e ka plotësuar gjithë kërkesën e dosjes se tenderit.

“Ne kundërshtojmë ekspertizën e ekspertit shqyrtues si jo e plotë dhe jo profesionale, sepse nuk është shqyrtuar në dosjen e OE i cili ka bërë ankesë se a ka një interes material siç potencoj me herët kryesuesi i panelit për OE ankues. Kjo sepse OE ankues nuk është marr me asnjë kompani tjetër që ka qenë më e lirë se OE ankues me çmim. Fakt tjetër që ky OE ankues nuk plotëson kushtet dhe është i papërgjegjshëm është se bashkëpunëtori i tij në konzorcium — firma gjermane, nuk e ka dokumentacionin në gjuhe të lejuara në Kosovë. Ne i propozojmë panelit të vërtetoj vendimin e AK-se për dhënie të kontratës meqë edhe jemi OE i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”. /Gazeta Fjala/

1t

2t

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/dallaveret-ne-tenderin-2-milionesh-e-lene-prizrenin-pa-pishine-olimpike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala