Dallavere me fondet për shërim të pacientëve

Autori:admin

mjeket-0

Në Kosovë bëhen dallavere edhe me paratë që ndahen për shërimin e pacientëve. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur shumë shkelje në mënyrën se si po menaxhohet Programi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucionëve Shëndetësore  Publike.

Në disa raste nuk është monitoruar fare shpenzimi i miliona eurove nga ky program, ka parregullësi në përzedhjen e pacientëve, vonesa në trajtimin e rasteve dhe shkelje tjera, shkruan Gazeta Fjala.

Për vitin 2015-të, të ndara kanë qenë gjithsej 7.8 milionë euro. Sipas Auditorit, këtë vit, Ministria e Shëndetësisë fare nuk i ka monitoruar shpenzimet  dhe nuk i ka kryer barazimet lidhur me shpenzimet.

“Një gjendje e tillë mund të shpie deri te krijimi i borgjeve, mjeteve të mbetura në këto klinika si dhe eventualisht shfrytëzimin e mjeteve për qëllime të tjera jo sipas destinimit. Mjetet e mbetura nëpër klinika janë adresuar edhe në të gjeturat e raporteve financiare për MSH, për vitet 2013 dhe 2014 nga Zyra Kombëtare e Auditimit”, thuhet në raportin e fundit të Auditorit mbi këtë program.

Një gjetje tjetër ka të bëjë me mungesën e faturave të pacientëve. Gjatë auditimit, Auditori për këtë punë ka kërkuar nga Departamenti për Buxhet dhe Financa i Ministrisë se Shëndetësisë, që të ofrojë dëshmitë/faturat e sjellura nga pacientët apo të afërmit e tyre.

Këto fatura, sipas auditorit, kanë munguar në Ministrinë e Shëndetësisë.

“MSH që nga viti 2012 ka caktuar një Komision i cili është përgjegjës që të bëjë monitorimin e rrjedhës së shpenzimit të mjeteve financiare të ndara për trajtim mjekësor. Për vitin 2014, Komisioni e ka ushtruar këtë aktivitet por jo me të gjitha klinikat ofruese të shërbimeve shëndetësore, qoftë brenda apo jashtë vendit si dhe nuk ka bërë monitorim nëse pacientët kanë marr shërbimin për të cilin edhe janë destinuar mjetet financiare”, thotë auditori.

Nuk u shqyrtuan kërksat e pacientëve me leukemi

Një shkelje tjetër ka të bëjë më neglizhencën e ministrisë në trajtimin e rasteve me prioritet. Kështu gjatë vitit 2015 janë aprovuar 65% të rasteve, prej tyre 1% janë refuzuar, 6% janë kthyer për plotësim, kurse afër 28% të rasteve nuk janë shqyrtuar fare.

Në disa raste nuk janë shqyrtuar fare kërkesat e pacientëve me leukemi.

“Sipas intervistave të mbajtura dhe shifrave të prezantuara në Tabelën 2 vërehet se sëmundjet ortopedike nuk janë konsideruar si sëmundje me prioritet nga Bordi. Megjithatë, Leukemia edhe pse konsiderohet si sëmundje që kërkon reagim të shpejtë për tu trajtuar dhe që cilësohet të jetë sëmundje me prioritet për shqyrtim është lënë anash e pa shqyrtuar në 28.6% të rasteve”, ka gjetur Auditori.

Ka gjithashtu raste kur Ministria e Shëndetësisë ka kryer pagesa edhe pse në disa raste pacientët nuk i kanë marr shërbimet nga institucionet private shëndetësore. Si dhe raste kur pacientët të cilët janë trajtuar jashtë ISHP nuk i kanë bashkangjitur faturat dhe evidencat për trajtimin e pranuar.

“Gjithashtu, ka ndodhur që pacientët të subvencionohen në rastet kur Komisioni Konziliar4 nuk ka qenë në përbërje të plotë për të nënshkruar dokumentin që dëshmon se sëmundja e pacientit të caktuar nuk mund të trajtohet brenda ISHP, tregon Auditori.

Mungon serveri për regjistrim të pacientëve

Gjetje tjetër e Auditorit është regjistrimi i aplikacionëve, i cili ende kryhet në program Excel. Si pasojë, baza e të dhënave për vitin 2014 nuk ka qenë e plotë si dhe ka pasur mungesë të regjistrimit të numrit të saktë të aplikuesve gjë që  nuk e ka pasqyruar gjendjen faktike të shqyrtimit të kërkesave të tyre.

“Udhëheqësi i DTM, ka bërë kërkesë te menaxhmenti i MSH, duke e vlerësuar si të nevojshme që urgjentisht të instalohet një program/sistem kompjuterik, për regjistrimin e të dhënave. Sipas kërkesës së bërë ky program/sistem do të lehtësonte punën e DTM si dhe do të ndikonte në performancën e saj, me ç’rast aplikacionet do t’i nënshtroheshin të gjitha procedurave sipas datës së aplikimit”, thotë auditori.

Në mungesë të një programi të tillë, ministria sipas auditorit ballafaqohet me probleme të mëdha në menaxhimin dhe sistemimin e dokumentacioneve që i pranojnë nga pacientët. “Edhe pse një kërkesë e tillë është bërë dy vite me radhë ajo nuk është përfillur nga menaxhmenti. Gjatë mbajtjes së intervistës10 me Udhëheqësin e DTM na është thënë se si pasojë e mungesës së një programi të tillë lehtë mund të ndodh që në mënyrën e tanishme të regjistrimit të aplikacioneve të ketë ndërhyrje në radhë nga aplikacionet rishtazi të pranuara”.

Çka është Programi për trajtim të pacientëve

Bazuar në Udhëzim Administrativ, Ministria e Shëndetësisë sipas mundësive financiare përmes Programit për Trajtimin e Pacientëve Jashtë ISHP (Programi) subvencionon trajtimin mjekësor të qytetarëve të Kosovës, të diagnostikuar me sëmundje të cilat nuk mund të trajtohen në ISHP. Programi parasheh që qytetarëve tu ofrohet trajtim mjekësor në institucione shëndetësore private në vend dhe në institucionet shëndetësore publike dhe private jashtë vendit.

Ministria e Shëndetësisë e bën mbulimin e plotë ose të pjesërishëm të shpenzimeve për shërbimet e ofruara në kuadër të këtij Programi. Pacientit deri në moshën 18 vjeçare, me status të invalidit të luftës dhe pacientit që është përfitues i ndihmës sociale i bëhet kompensimi 100% i vlerës së pro-faturës së parashtruar të shërimit. Ndërsa, qytetarëve të tjerë u bëhet kompensimi 50-70% të vlerës së pro-faturës së parashtruar të shërimit, varësisht nga mundësitë financiare të Programit. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/dallavere-me-fondet-per-sherim-te-pacienteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala