Buxheti i zi i spiunëve të Kosovës

Autori:Zekirja Shabani

AKIU

Kosova i ka 90 “spiun” legal, të cilët i paguan çdo muaj. Mesatarisht ata marrin nga 2,900 euro pagë bashkë me beneficionet tjera.

Kjo është gjithqka që dihet publikisht për buxhetin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

“Agjensioni Kosovar i Inteligjencës ka 90 punëtorë. Për paga dhe mëditje do të shpenzojë 3, 400,000 euro. Kurse, në mallra dhe shërbime 1, 365,000 euro. Derisa për shpenzime komunale është thënë se do t’i shpenzojnë 68,000 euro”, thuhet në tabelën e buxhetit për vitin 2015 të kësaj agjencie.

Këto të dhëna që supozohet se do të duhej të ishin sekret, kryetari i komisionit për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala thotë se këto janë vetëm ato pjesët e “buxhetit të bardhë”, që lejohet të dihen.

“Buxheti i zi nuk bëhet i ditur, pa urdhër të kryeministrit”, thotë Shala.

Ai sqaron se me buxhetin e zi nënkupton të dhëna financiare të cilat nuk duhet të bëhen të ditura, ndërsa me buxhetin e bardhë nënkupton financat e AKI-së që mund të bëhen publike sikur që është edhe në Buxhetin e miratuar për vitin 2015.

Këtu përfshihet vetëm numëri të punësuarve si staf i administratës.

“Nuk përfshihet numri i agjentëve dhe buxheti tjetër të cilin e përdor agjencia për shpenzime dhe aaktivitet tjera”, thekson Shala.

Nëse llogaritet numri i të punësuarve dhe buxheti që ata kanë në dispozicion për paga dhe mëditje del se gjatë vitit 2015, punëtorët e AKI-së marrin mesatarisht nga 2,900 euro në muaj në emër të pagave dhe mëditjeve.

Derisa AKI numëron zyrtarisht 90 të punësuar, del se ky agjencion kryesor për siguri në vend është dukshëm më i vogël se ish Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), i udhëhequr nga tani kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli. Ish-shërbimi i tij numëronte 92 anëtar, sipas deklaratave publike të drejtuesve të SHIK-ut.

Njohësit e sigurisë thonë se janë të lejuara të bëhen publike disa sekrete të AKI’së, por ata tregojnë se jo të gjitha punët e këtij agjensioni duhet t’i dinë qytetarët e Kosovës.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës është themeluar më 4 shkurt 2009. Selia e saj është në Prishtinë .

Themelimi i saj u shty që nga viti 2008 për shkak të partnerëve të koalicionit që nuk mund të bien dakord për personin që do të bëhet drejtor. Më 4 shkurt 2009 Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi prezantuan drejtorin e parë të shërbimit informativ të Kosovës, Bashkim Smakajn.

Smakaj ka dhënë dorëheqje javë më parë për tu zëvendësuar me drejtorin e ri, Agron Selimajn.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/buxheti-i-zi-i-spiuneve-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala