Bujqit paguan kredi me 48 për qind interes

Autori:Zekirja Shabani

The Tractor - modern farm equipment in field

Për tetë vite fermerët kosovarë i kanë marrë plotë 445 milion euro kredi për të mbjellë e për ti rritur fermat e tyre.

Për to ata kanë paguar deri në 48 për qind norma të interesit në institucionet mikrofinanciare, ndërsa rreth 14.6 për qind në bankat komerciale.

Këto të fundit janë treguar mjaftë dorë shtërnguar në raport me fermerët të cilët në të shumtën e rasteve kanë vështirësi për qasje në financa për mungesë të garancive që kërkojnë bankat.

“Raporti i Gjelbër” i publikuar ditë më parë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tregon se bankat përveç normave të larta të interesit u kërkojnë fermerëve garanci prej 100-150 për qind të shumës së kredisë, raporton Gazeta Fjala.

“Fermerët ankohen edhe për Kolateral-Garancitë e kërkuara për pengje mbi paisje, makineri bujqësore, gjë të gjallë apo paisje shtëpiake dhe hipoteki të paisjeve të patundshme. Mirëpo në përgjithesi si kolatareal për huadhënësit kërkohet 100 ër qind deri në 150 për qind të vlerës së kredisë”, thuhet në raport.

Me gjithë këto kushte të vështira fermerët nuk u ndalën në marrjen e tyre.

Në vitin 2006 ishin mbi 18 mijë kredi bujqësore të lëshuara nga institucionet financiare, duke vazhduar me rritje vit pas viti, deri në në vitin 2008 ku kishte mbi 33 mijë kredi të lëshuara në vlerë 67.7 milion euro.

Por, pas vitit 2008 ata kanë filluar tu ikin bankave dhe institucioneve mikrofinanciare, sic tregojnë edhe të dhënat për vitin 2013 ku ishin mbi 17 mijë kredi të lëshuara gjithsejtë, raporton Gazeta Fjala.

Ndërkaq, në Qershor të vitit 2015 shuma e kredive të lëshuara për bujqësi sipas të dhënave të Bankës Qendrore,  ishte 52 milion euro.

Për të lehtësuar marrjen e kredive për fermerët, në vitin 2012 është themeluar fondi që garanton deri në 50 për qind të vlerës së kredive të këtij lloji.

Sipas të dhënave të Raportit të Gjelbër të Ministrisë së Bujqësisë ky fond ka ndikuar që të ulë për 3 për qind normat e interesit për agro kredi, megjithatë ato vazhdojnë të mbesin të pa përballueshme për fermerët nevojtarë.

Me garancitë e fondit, fermerët dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme bujqësore kanë procedura të lehtësuara për marrjen e kredive për shkak të gaarancisë për periudhat 12 deri në 60 mujore dhe shumat nga 5 mijë deri në 250 mijë euro.

Por, edhe me sigurimin e kredisë normat e interesit kanë ndryshuar vetëm nga 14.6 për qind në 11.2 për qind, thuhet në raportin e ministrisë së Bujqësisë.

Për këtë, Ministri i këtij dikasteri, Memli Krasniqi, ka premtuar 0 interes për kreditë bujqësore.

Nëse gjithçka ecën sipas planeve të ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi, fermerët do të kenë obligim të kthejnë vetëm shumën që e kanë marrë, kurse pjesën e kamatës do ta financojë Qeveria.

Krasniqi ka thënë në fillim të mandatit të tijë se kamatat aktuale, megjithëse janë ulur pak pas krijimit të fondit garantues për kreditë bujqësore, vazhdojnë të jenë të papërballueshme.

“Është fakt i pamohueshëm që niveli i kamatave tek kreditë bujqësore është jashtëzakonisht i lartë, dhe për mendimin tim krejt i paarsyeshëm”, ka thënë ai./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bujqit-paguan-kredi-me-48-per-qind-interes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala