BQK e avancon në pozitë vëllain e presidentit

Autori:Agon Sinanaj

thaci

Gani Thaçi, vëllai i Presidentit të Kosovës, është avancuar në pozitë në Byronë Kosovare të Sigurimeve, institucion ky në të cilin Thaçi ka vite që punon. Aty Thaçi është emëruar Koordinator i Përgjithshëm për Planifikime Strategjike.

Si njëri nga personat më me ndikim në tregun e sigurimeve në Kosovë, siç njihet vëllai i Presidentit, në Byronë e Sigurimeve ka mbajtur disa pozita. Fillimisht si drejtor i një drejtorie, kurse më vonë si ushtrues detyre i drejtorit për të cilat asnjëherë nuk kishte marrë aprovimin e BQK-së.

Tani, avancimi në pozitën e re po shihet si i dyshimtë.

Thaçi, tani që ka përfunduar edhe studimet master për menaxhment dhe ka bërë përvojë të mjaftueshme, është aprovuar për herë të parë nga institucioni përgjegjës.

Në bazë të Rregullore së BQK-së Për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit, pozita e re e Thaçit në Byro konsiderohet si “pozitë e lartë” të cilën Banka Qendrore e Kosovës e miraton sikur të gjitha pozitat tjera të larta në këtë institucion.

Zgjedhjen e tij në këtë pozitë nga Byroja, BQK-ja e ka konsideruar se është bërë në bazë të kritereve që kërkohen me rregulloret në fuqi të BQK-së.

“Në lidhje me çështjen e ngritur dhe qe lidhet me z. Gani Thaçi, ju konfirmojmë se i njëjti është miratuar nga BQK-je ne pozitën  e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike në Byronë Kosovare të Sigurimit, pasi i njëjti i ka përmbushur kriteret (përshirë kriterin për kualifikim dhe përvojë) që kërkohen me Rregulloren për Standardet e Raportimit dhe të Mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe Rregulloren për Licencimin e Kompanive të Sigurimeve dhe Degëve të Kompanive të Huaja te Sigurimeve”, ka thënë për Gazetën Fjala Besnik Kada, zëdhënës në BQK.

Thaçi diplomohet në vitin 2014 në kolegjin “Globus”

Në përgjigjen e tyre për Gazetën Fjala, zyrtarët e BQK-së thonë se Thaçi i ka plotësuar kriteret profesionale dhe të përvojës për emërimin në këtë pozitë.

Megjithatë sa i përket kualifikimit profesional Gazeta Fjala ka gjetur se diploma e Thaçit nuk është në sigurime, por në fushën e menaxhmentit, ani pse në rregulloren e BQK-së nuk specifikohen kriteret në mënyrë specifike.

Në rregullore e BQK-së vetëm thuhet se para aprovimit në një pozitë në Byro ky institucion duhet ti sjellë “biografitë e të gjithë personave të propozuar”.

Gazeta Fjala, bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike ka dërguar kërkesë në BQK për të pasur qasje në dosjen e Thaçit, sa i përket përgatitjes së tij profesionale. Ky institucion nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese me arsyetimin se Thaçi është punonjës në një institucion tjetër.

Në këtë rast në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

“Prandaj, bazuar në këtë, vlerësojmë kërkesat për qasje në dokumentacionin personal për të punësuarit duhet ti drejtohen punëdhënësit të tij”, ka thënë Kada.

Ndërkaq Gazeta Fjala ka mësuar se Thaçi i ka të kryera studimet e nivelit master në vitin 2014 në kolegjin “Globus”.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga ky institucion arsimor. Thaçi në “Globus” është diplomuar për menaxhment.

“Ju informoj se kandidati Gani THAÇI është regjistruar në vitin akademik  2011/2012 në nivelin e studimeve Master, përkatësisht në programin Menaxhment Gjeneral Internacional. Studimet kandidati i ka përfunduar në vitin akademik 2013/2014, saktësisht me dt. 18.07.2014. Ndërsa studimet Bachelor i ka të përfunduara ne institucion tjetër”, kanë thënë në një përgjigje zyrtare për gazetën nga administrata e këtij kolegji.

 Thaçi kishte punuar vite të tëra në Byro pa aprovimin e BQK-së

Gazeta Fjala pati raportuar në fillim të këtij viti se Gani Thaçi, vëllai i presidentit, kishte punuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve vite të tëra pa aprovim nga Banka Qendrore, siç kërkohet me rregulloret në fuqi. Thaçi kishte ushtruar pozita të ndryshme si drejtor i një drejtorie, pastaj ushtrues detyre i drejtorit, ndërsa më vonë edhe si zëvendësdrejtor.

Në të gjitha këto pozita Thaçi kishte lëvizur pa një aprovim paraprak të BQK-së, e cila me rregulloren në fuqi, është e obliguar që për të gjitha pozitat në Byro, duke filluar nga juristët e deri të drejtori, të aprovojë secilin kandidat.

Sipas Rregullores së BQK-së për Mbikëqyrje të Byros, përkatësisht nenin 14, për të gjithë të punësuarit në Byro, duhet të bëhet kërkesë në BQK me një mori dokumentesh. Përfshirë këtu biografinë e personit të propozuar, për të kaluarën e personit nëse ka dosje penale, deklarata për konfliktin e interesave dhe deklarata për konfidencialitet.

“BQK pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të kërkuar nga paragrafi 1 i këtij neni, do të nxjerrë vendim për aprovim apo refuzim të personave të propozuar për pozita të rëndësishme në Byro brenda 30 ditëve nga pranimi i kërkesës”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

Por në rastin e Gani Thaçit, kjo asnjëherë nuk kishte ndodhur, deri tani kur ai është aprovuar në pozitën e koordinatorit.

Në Bankën Qendrore të Kosovës e patën pranuar se Gani Thaçi nuk kaishte marrë asnjëherë aprovim për pozitat që ka mbajtur në Byro. Me arsyetimin se për pozitat që ka mbajtur Thaçi, nuk ka pasur nevojë për aprovim fare.

“Duke qenë se personi në fjalë nuk ka qenë asnjëherë bartës i ndonjërës nga pozitat e cekura më lartë, për të njëjtin nuk është kërkuar t’i nënshtrohet procesit të aprovimit paraprakë nga BQK. Për më tepër, i njëjti ka qenë i caktuar si Ushtrues Detyre i Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së, për të cilën nuk kërkohet aprovim paraprak nga BQK, pasi pozita e ushtruesit të detyrës është e përkohshme”, pati thënë Kada për Gazetën Fjala në fillim të këtij viti. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bqk-e-avancon-ne-pozite-vellain-e-presidentit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala