Bllokada e qymyrit rrezikon rrymën në dimër

Autori:Agon Sinanaj

maxresdefault

Marrëveshja e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me banorët e Shipitullës, duket se nuk do t’i sjellë menjëherë rezultatet. Kosova pritet të ketë probleme serioze me furnizim me energji elektrike, këtë dimër.

Përkundër deklaratave pompoze të kryeministrit, Korporata Energjetike e Kosovës gjendet para një problemi real.

Për shkak të neglizhencës disa vjeçare të institucioneve, mbi zonat me qymyr në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirena në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit, janë ndërtuar dhjetëra objekte të paligjshme.

Kjo po e vështirëson punën e ekskavatorëve të KEK-ut që të nxjerrin qymyr mjaftueshëm, por edhe për shkak se duhet kompensuar koha e humbur.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka paralajmëruar për Gazetën Fjala vështirësi në furnizim me qymyr gjatë këtij sezoni dimëror.

“Në këto momente KEK-u është duke luftuar më kohën për stabilizimin e masave të dheut para shirave dhe ngricave për zhvillime të mëtejmë të mihjes, si dhe për te siguruar qymyr të mjaftueshëm për operimin e dy termocentraleve gjatë sezonit të dimrit”, ka thënë Bucolli

Paralelisht me këtë, Bucolli ka thënë se së bashku edhe më të gjithë akterët tjerë janë në proces të arritjes së marrëveshjeve me banorët e zonave që duhet zhvendosur.

KEK ndalon qymyrin për qytetarët

Që 14 muaj puna në zbulimin e qymyrit (heqjen e djerrinës) ishte ndalur për shkak të bllokimit tre vjeçar të shpronësimit të tokave të cilat janë në zonën e shpallur me interes të veçantë ekonomik nga Qeveria e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, kjo kohë e humbur ishte e pa kompenzueshme duke pasur parasysh natyrën e punës dhe aspektet sezonale të operimeve në mihje, për shkak se dinamika e punës në djerrinë duhet zhvilluar kryesisht para fillimit të vjeshtës.

Kjo situatë e ka shtyrë menaxhmentin e kësaj korporate që t’i ndërmarrë disa vendime të dhimbshme ndaj qytetarëve. Siç është ai për ndalimin e ngrohjes së amvisërive me thëngjill.

“Shkak i këtyre sfidave si dhe për faktin së MMPH-ja ka paralajmëruar ndalesën e ngrohjes së amvisërive me thëngjill, në këtë kohë nuk jemi në gjendje të ofrojmë ndonjë fushe brenda mihjes për dhënien e qymyrit për punëtorë me kompensim, siç ishte praktikuar deri tani”.

Dallaveret me prona rrezikuan furnizimin me qymyr

Gazeta Fjala ka raportuar më herët se shkak i gjithë kësaj situatë janë dallaveret me prona në zonat mbi qymyr dhe që janë zona me interes publik.

Gazeta Fjala ka siguruar një numër të madh të dokumenteve që dëshmojnë se zvarritja e shpronësimit ka ndodhur me qëllim dhe Ministria e Mjedisit, ajo e Zhvillimit Ekonomik dhe Komuna e Obiliqit kanë lejuar të ndërtohen shtëpi vetëm për ti kompensuar më vonë.

Faktet tregojnë se në asnjë nga këto shtëpi nuk ka kushte për banim.

Madje inspektorët kanë gjetur se në oborret e tyre nuk ka as njerëz gjatë gjithë kohës.

Ndërkaq, zyrtarët e KEK-ut ndër vite i kanë dërguar në institucione të caktuara, për ti njoftuar për ndërtime të paligjshme në zonat me interes të veçantë në Obiliq.

Kështu nën dijeninë e plotë të institucioneve, që nga viti 2004, me dhjetëra prona janë ndërtuar paligjshëm në zonat me qymyr në komunën e Obiliqit.

Nga zyrtarët e KEK-ut vlerësohet se nga 4 milionë euro sa ka qenë vlera e shpronësimeve, tash me ndërtimet e paligjshme, kjo ka shkuar në 17 milionë euro. Të gjitha mjetet për shpronësime duhet t’i paguajë KEK-u.

Ndërtimet e paligjshme dhe mbi zona me qymyr, janë kryer kryesisht në lagjen Krasniqi në fshatin Shipitullë dhe në lagjen Mirina në fshatin Hade të Komunës së Obiliqit. /Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bllokada-e-qymyrit-rrezikon-rrymen-ne-dimer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala