Bizneset kosovare ia shohin sherrin rënies së Qeverisë

Autori:Agon Sinanaj

88AF1AC5-7D01-443D-8C4D-235F8E86F4DC_w1023_r1_s

Pija freskuese “Coca Cola” që importohet në Kosovë kryesisht prodhohet në Serbi. Por shumë lehtë kjo pije ka mundur të prodhohet edhe në Kosovë.

Krejt çka do të duhej është ndërmarrja e disa reformave fiskale nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

“I vetmi vend jemi që Coca Cola nuk prodhon në Kosovë. Arsyeja kryesore është taksa në lëndën e parë”, thotë Burim Piraj, pronar i fabrikës se mishit “Meka”.

Ndërkohë, heqja e taksës në lëndën e parë pritej të bëhej me pakon fiskale 2, që po të vihej në zbatim, siç thotë Piraj, “prodhimet vendore për herë të parë pas luftës do të barazoheshin në treg me produktet e importit”.

Por kjo nuk pritet të ndodhë edhe për një kohë.

Rënia e Qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme e ka pezulluar në afat të pacaktuar zbatimin e pakos fiskale 2 të sponsorizuar nga Ministria e Financave.

Pakoja fiskale 2.0 pritej të futej në zbatim në fund të këtij muaji.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti pati akuzuar partnerin në koalicion PDK-në se po i frikësohet reformave në ekonomi, të udhëhequra nga kryeministri Isa Mustafa.

“Pako Fiskale 2 ka qenë dy herë në rend dite në mbledhje të Qeverisë, PDK-ja nuk ka lejuar që kjo të kalojë”, pati thënë Hoti.

Ndërkohë pakoja fiskale 2 ishte reforma kryesore në ekonomi që pritej të bëhej nga qeveria në largim.

Me këtë pako parashihej të zgjerohej lista e lëndëve të para që lirohen nga tatimi doganor, heqja e akcizës për mazut, ndryshimin dhe plotësimin e listës se produkteve të cilave u hiqet taksa dhe reduktimi në tetë për qind i TVSH-së për disa produkte.

Prodhuesit: Ia pamë sherrin prishjes se koalicionit

Për Burim Pirajn, ministri në largim Avdullah Hoti ka ende mundësi ligjore që ta vë në zbatim pakon fiskale 2.0.

Mos zbatimi i kësaj pako, sipas tij, do të prodhoj dy efekte kryesore.

“Ia ndal hovin prodhimin dhe i ndalë investimet e huaj direkte”, vlerëson Piraj, i cili ka qenë pjesëmarrës si prodhues në përpilimin e këtij dokumenti.

Ai thotë se efekti kryesor i zbatimit të pakos ka qenë barazimi i prodhuesve vendor në treg me ata nga importi.

Megjithatë Piraj tregon se aktualisht disa pjesë të pakos kanë filluar të zbatohen. Siç është lirimi nga taksa për pajisje të përdorura, heqja e taksës për çdo makineri dhe heqja e taksës në lëndën e parë për disa produkte.

Mirëpo, kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të pasur zhvillim të hovshëm ekonomik. Kjo, sipas Pirajt, për një arsye të thjeshtë.

“Kemi prit që me zbatimin e plotë të pas pakos fiskale me pas investime të huaja direkte. Në momentin që ish fut pakoja fiskale këtu, ju kishim jap mundësi kompanive të mëdha që me prodhu në Kosovë me një kosto të arsyeshme”.

Masat tjera që parashihen me pakon fiskale

Disa prej masave që parashihen të ndërmerren me pakon fiskale 2, kanë të bëjnë me listën e produkteve që konsiderohen si lëndë e parë që parashihen të lirohen nga tatimi doganor. Po ashtu me këto masa parashihet heqja e normës së mazutit që përdoret për produktet bujqësore.

Si masë tjetër Qeveria ka paraparë edhe udhëzimin administrativ për pushimet tatimore që derivon nga ligji për të ardhurat në korporata. Një masë tjetër që Qeveria po planifikon ta ndërmarr që është më shumë reformë administrative është krijimi i listingut të rejtingut të kompanive vendore , prodhuese dhe kompanive të tjera që janë të rregullat në kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së dhe Doganave.

Po ashtu si masa që parashihen në pakon fiskale është trajtimi i telefonisë mobile që përmes një udhëzimi administrativ që Ministria parasheh ta nxjerrë, me anë së cilës i detyron dy kompanitë e telefonisë mobile që mos t’i aktivizojnë në fakt aparatet e telefonisë mobile nëse nuk është kryer pagesa, detyrimi doganor për ato pajisje.

Propozim tjetër i Ministrisë është edhe trajtimi i akcizës në pije të gazuara dhe jo të gazuara. Momentalisht bizneset që operojnë në këtë sektor paguajnë 4.5 centë për litër të pijeve që nuk janë natyrale që janë të gazuara, ndërsa është kërkesë e tyre që të ulet ose të hiqet kjo akcizë. /Gazeta Fjala/. 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bizneset-kosovare-ia-shohin-sherrin-renies-se-qeverise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala