Bizneset e ujit që u falen nga Haradinaj bëhen me zyrë në kryeministri

Autori:Agon Sinanaj

12.10.2017_-_ZKM-1_(3)

Bizneseve të ujit që ua fali borxhet milionëshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka bërë edhe zyrë në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Të enjten kryeministri nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Klubin e Prodhuesve të Kosovës për bashkëpunim siç thuhej me prodhuesit vendor.

Por ndryshe nga Oda Ekonomike e Kosovës që i jep mandat Kuvendi i Kosovës dhe që përfaqëson mbi 16 mijë anëtarë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës është një asociacion privat me vetëm dhjetë anëtarë.

Gazeta Fjala ka gjetur se anëtarët e Klubit, të cilëve kryeministri u bëri zyrë në Qeveri, gati gjysma e tyre janë në mesin e borxhlinjve të ujit që i fali Haradinaj.

Anëtarë të këtij Klubi janë dhjetë bizneset më të mëdha në vend. Në ueb faqen e këtij asociacioni si anëtarë figuron edhe kompania “Devolli Group” dhe “Ujë Rugove”, të dyja këto në mesin e borxhlinjve të ujit të cilëve iu falen borxhet e ujit nga kryeministri Haradinaj.

Në Klub anëtar është edhe “Fluidi”, po ashtu njëri nga borxhlinjtë e ujit dhe lëngjeve që u falen. Anëtarë tjetër është kompania “Haxhijaha”, “Pestova”, “Pllastika”, “Frutex”, Trepharm”, “Elnor” dhe kompania “Kivo”.

Edhe në fjalën e tij me ketë rast, Haradinaj tregoi të këtë një afërsi të madhe me këtë asociacion.

“Ju keni kërkuar zyrën e prodhuesve në Kryeministri. Ne e kemi bërë një memorandum, qeveria e ka akredituar një ekip të ekspertëve për prodhuesit vendorë, ajo zyrë e ekspertëve do të nxjerrë vendime sa më të mira për juve. Unë e kam nderin si kryeministër me nënshkruar këtë memorandum”, kishte thënë Haradinaj.

Gërxhaliu: Po trajtohemi keq nga institucionet

Ndërkohë ky memorandum ka ngritur dyshime edhe tek kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai nuk e ka parë me sy të mirë krejt këtë, duke marr parasysh faktin se Oda Ekonomike ka nën vete mbi 16 mijë anëtarë, derisa asociacioni që nënshkroi memorandum me kryeministrin është në përbërje të dhjetë anëtarëve.

Gërxhaliu mendon së Oda Ekonomike po lihet anash, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga ambasadat e huaja, të cilat, sipas Gërxhaliut, kanë krijuar secila Oda të veçanta në kuadër të shteteve prej nga vijnë.

“Është duke dominuar një qasje “përçaj dhe sundo”, thotë Gërxhaliu, teksa i referohet bashkëpunimit të Haradinajt me këtë asociacion, duke shtuar se Oda Ekonomike nuk meriton një trajtim të tillë nga institucionet.

“Si Odë kemi qenë gjithmonë në mbrojtje të prodhimit vendor. Është themeluar Klubi Prodhuesve dhe ka pas mbështetje të pafundme edhe nga Qeveria e kaluar, e edhe nga kjo tash”.

Gerxhaliu ka thënë së i mbështet çfarëdo bashkëpunimi mes institucioneve dhe bizneseve, porse kjo assesi sipas tij nuk duhet të bëhet duke e lënë anash Odën Ekonomike të Kosovës.

Ai e ka mohuar decidivisht se në këtë Zyrë që do të krijohet në kryeministri do të këtë vend edhe për Odën Ekonomike.

“Definitivisht kjo zyrë është zyrë e Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Ne s’kemi të bëjmë asgjë. Ajo çka është më shqetësuese është se nuk kemi mbështetje institucionale derisa në anën tjetër po përkrahen OJQ-të”, ka thënë Gërxhaliu, jo pak i shqetësuar me veprimin e fundit të Hardianajt.

Përfshirja e Klubit në faljen e 58 milionë eurove të ujit

Gazeta Fjala ka dëshmuar se falja e borxheve prej 58 milionë euro nga kryeministri Haradinaj është bërë pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Kjo për faktin se anëtarë në këtë asociacion janë disa biznese që preken nga ky vendim.

Këtë e kanë konfirmuar për Gazetën Fjala, edhe nga Zyra e kryeministrit.

“Ky propozim për rend dite  ka ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 02.10.2017. Ndërmarrja e këtyre hapave ka qenë kërkesë edhe e  “Klubit të Prodhuesve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.

Gazeta Fjala posedon dokumentacion të Ministrisë së Mjedisit që dëshmojnë se “Birra Peje”, e cila është pronë e Devollëve dhe “Ujë Rugove”, madje edhe janë dënuar për moskthim të borxhit.

Gazeta Fjala ka raportuar këto ditë edhe për skenarin sesi ka ardhur deri tek falja e këtyre borxheve. Të përfshirë aty përveç Klubit të Prodhuesve janë edhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. /Gazeta Fjala/

aaaa

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bizneset-e-ujit-qe-u-falen-nga-haradinaj-behen-me-zyre-nkryeministri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala