Biznes me kuponë të falsifikuar

Autori:Gazeta Fjala

kuponi-tatimor

Drejtuesit e bizneseve në Kosovë vazhdimisht po gjejnë zgjedhje për t’i ikur tatimit. Ata po përdorin mënyra nga më të ndryshmet për të fituar “para bonus”.

Kjo vërehet qartë pasi që biznese të ndryshme po përdorin kuponë fiskal të falsifikuar për klientët e tyre.

Se këto biznese po preferojnë këtë mënyrë të ikjes nga tatimi  në pronë e konfirmojnë edhe vetë zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Në këtë institucion kanë treguar se biznese të cilat po përdorin metoda të ndryshme për mashtrimin e qytetarëve me kuponë jo-fiskal, nuk do të mbesin pa u gjobitur.

“Në raste se bizneset nuk i binden kërkesës, atëherë sigurisht se vendosën gjoba konform ligjit 03/L-222 përkatësisht- nenit 57-Ndëshkimi Administrativ për mos përdorim të pajisjeve Elektronike Fiskale, ka thënë zëdhënësja Bytyqi-Sefa.

Sipas tyre bizneset të cilat nuk janë të pajisura me arkë fiskalë vlera e gjobës është 1000 euro.

“Ndërsa vetëm gjatë periudhën Janar-Gusht 2017 janë zhvilluar 24,497 vizita tek bizneset, janë lëshuar 4, 042 gjoba mandatorë, vlera e te cilave  sillet rreth 1 milion euro, ku në kuadër të këtyre janë edhe gjobat për bizneset që kanë lëshuar kuponë jo-fiskal”.

Po ashtu, ATK ka bërë edhe konfiskimin e printerëve jo-fiskal dhe ka ngrite kallëzime penale për shfrytëzim të aparateve jo-fiskal.

“ATK vazhdimisht ka pranuar informacione si nga zyrtaret tone në teren, ashtu edhe përmes opsioneve tona si linja e bashkëpunimit pa pagës 088 80 800 dhe kutia e vërejtjeve, që i ka në dispozicion në mënyrë që të lajmërohen rastet kur nuk pajisjen konsumatorët me kupon fiskal ose edhe rastet kur bizneset i lëshojnë kupon jo-fiskal”, ka thënë zëdhënësja, Valentina Bytyqi-Sefa për Gazetën Fjala.

Po ashtu thuhet se përveç këtyre një ndihmë të madhe në evidentimin e rasteve të ngjashme ka dhënë edhe kampanja për ribursim nga kuponët fiskal.

Mirëpo më të shqetësuarit mbesin qytetarët sepse ata po kanë kontakt më të shpeshtë me vërejtje të tilla.

Ata po ankohen pasi që vazhdimisht nëpër kafiteri dhe lokale të ndryshme po mashtrohen me kuponë jo-fiskal.

“Vazhdimisht nëpër disa kafiteri  mundesh me u shërbye me kuponë fiskal që nuk është farë i yti”, ka thënë një qytetarë për Gazetën Fjala.

Kurse, Administrata Tatimore e Kosovës  ka bërë me dije se ka mbyllur bizneset që merren me shitjen e derivateve të naftës, të cilat nuk janë fiskalizuar.

Sipas një  njoftimit të ATK-së për media, zyrtarët tatimorë në terren kanë vërtetuar se një numër i madh i tatimpaguesve nuk po respektojnë ligjin për pajisje me arkë  fiskale.

Edhe pse ATK ka bërë  ftesë përmes njoftimeve publike, si dhe nga vizitat e zhvilluar për instalimin e pajisjeve fiskale dhe shfrytëzimin e tyre në pajtim me udhëzimin administrativ dhe ligjin, po rezistojnë pajisjen me arka fiskale. Arjeta Sinani /Gazeta Fjala/.

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/biznes-me-kupone-te-falsifikuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala