Bitcoin vërshon Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

bitcoin

Monedha digjitale Bitcoin, e cila në Kosovë po konsiderohet si ilegale ka arritur rekord të ri, duke u këmbyer me 4 mijë e 710 dollarë për monedhë.

Mirëpo, edhe pse në Kosovë siguria për të nuk garantohet nga asnjë institucion i shtetit, por është lënë në përgjegjësinë individuale dhe kujdesin e vetë klientëve, kjo nuk po i pengon qytetarët që ta përdorin.

Se ka interes të shtuar për këtë monedhë digjitale, këtë e thotë për Gazetën Fjala edhe menaxheri i kompanisë “Albvision”, i cili solli në Kosovë dy aparaturat e para të deponimit të parave për të blerë “Bitcoin”, Ardian Alaj.

“Edhe pse vetëm sa kemi filluar me këtë monedhë ka mjaft interesim, prej të gjitha grup moshave”, ka thënë Alaj.

Për pak muaj të këtij viti në vend janë importuar pajisje të Bitcoin në vlerë prej 800 mijë eurosh.

Por në institucionin përgjegjës për këtë sektor nuk e kanë idenë se si të veprojnë.

Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës, ka thënë për Gazetën Fjala se ende nuk ka një instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale. Monedha e vetme zyrtare deri më tani në Kosovë është euro.

“Ndërsa sa i përket parave virtuale ato nuk janë të rregulluara ligjërisht si valuta apo instrumente të pagesave”, ka thënë Kada.

Alaj: Askund nuk thuhet që është veprimtari ilegale

Por, Alaj mohon që BQK-ja ta ketë konsideruar përdorimin e kësaj monedhe si veprimtai ilegale dhe thote se eshte pse nuk është e rregulluar ligjërisht nuk ndalohet operimi me të.

“Në deklaratën që e ka lëshu BQK-ja, nuk thotë se është veprimtari ilegal, por i fton qytetarët me pas kujdes dhe rreziqet thotë se i marrin përsipër qytetarët që investojnë në monedha virtuale, por në asnjë mënyrë nuk e cek se është veprimtari ilegale. Kjo nuk është e rregulluar me ligj, mirëpo edhe pse nuk është e rregulluar me ligj nuk ta ndalon që mos me vepru”, ka thënë Alaj për gazetën.

Ai thotë se kanë zhvilluar takime me Bankën Qendrore, lidhur me licencimin e kësaj veprimtarie, por thotë se licencimi nuk po bëhet, pasi që është në dobi të Kosovës që kjo të mbete e pa rregulluar.

“Me BQK-në e kemi pas një takim në lidhje që me pas informata për me u licencu, por nuk ka diçka që ata parashohin me e rregullu me ligj, pasi që Kosovës i konvenon me mbet e pa rregulluar ligjërisht.”

Alaj thotë se nuk ka pasur asnjë problem gjatë importmit të bankomati të parë për këtë kriptmonedhë.

“Në doganë janë importuar në mënyrë të rregullt, pra  përmes importit të rregullt dhe nuk ka pas asnjë pengesë.”

Por, “Albvision”, nuk ëshë e vetmja kompani që merret me këtë veprimtari, edhe pse mendojnë që ta zgjerojnë edhe me pika në qytete të tjera.

Bankat: Nuk i pranojmë, pasi që nuk janë në pajtueshmëri me ligjin

Meqë  nuk janë të rregulluara ligjërisht, këto monedha nuk do t’i pranojnë as bankat.

Sipas Iliriana Tahirajt, zyrtare për media në Raiffeisen Banka, përdorimi i monedhës virtuale nga ana e bankave nuk është në pajtueshmëri me ligjet e aplikueshme në vend. Ajo thotë se Raiffeisen ende nuk ka filluar përdorimin e këtij sistemi në bankë.

“Prandaj, mund ta konfirmojmë se Banka Raiffeisen nuk pranon para virtuale”, ka thënë Tahiraj.

Megjithëkëtë sipas Doganës së Kosovës, deri më tani në vend janë importuar pajisje në vlerë prej 800 mijë eurosh, të cilat shërbejnë për prodhimin apo montimin e këtyre pajisjeve që mundësojnë përdorimin e Bitcoin. “Deri më tani janë 4 mijë e 300 copë kartela”, thotë Kada.

Sa i përket faktit se a janë monedha ilegale, Stavileci është shfajësuar duke thënë se këto pajisje dogana i trajton sikur pjesët e tjera të kompjuterit.

“Jo domosdoshmërisht secila prej tyre është përdorë për to, por sidoqoftë Dogana e ka një lloj manuali me të cilin e përcjellë importin e këtyre pajisjeve që në çdo rast të kemi evidenca të sakta”, thotë Stavileci.

Pavarësisht kësaj, në vend tashmë vetëm se janë bërë gati aparatet për shitje dhe blerje përmes Bitcoin. Kushtrim Shala bashkëthemelues i ICT Aëards, në Facebook ka publikuar tri fotografi nën mbishkrimin “ekskluzive” në të cilat tregohen këto pajisje. Ai po ashtu shkruan se këtë risi në vend e sjellin dy kompani Albvision dhe ICTS media.

Përdorimi i Bitcoin

Përdorimi i saj bëhet përmes një sistemi të quajtur blockchain, i cili nuk kontrollohet nga sistemi bankar.

Ajo po ashtu është më e lirë dhe më e lehtë për t’i kryer shërbimet me të por jo edhe stabile pasi vlera e saj mund të ndryshoj. E arsye e këtij ndryshimi është rritja e përdorueshmërisë.

Për herë të parë vlera e saj u ngrit të mars të këtij viti, çmimi për një bitcoin u ngrit mbi vlerën e një unce ari (1 uncë = 28.3495 gramë).

Mirëpo me uljen e popullaritetit mund të bëhet dhe ulja e vlerës së saj në treg. Shfrytëzimi i saj mund të bëhet duke filluar me këmbimin e valutave të përdorshme me ato digjitale, kjo mund të bëhet me para kesh por edhe me blerje direkte përmes internetit.

Kjo valutë nuk është e kontrollueshme nga bankat, pra nga një sistem legal i cili ka përgjegjësi ndaj kërkesave të konsumatorit.

Përmes tij ekspertët druhen se mund të ndodhin dhe shpëlarje parash, pasi kalimi i parave nga një llogari në tjetrën mund të bëhet në mënyrë anonime. (Arjeta Shabani)/Gazeta Fjala/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bitcoin-vershon-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala