Beteja e parë e Rikalos për kompanitë serbe

Autori:Agon Sinanaj

rrrii

Me 17 nëntor të vitit 2016, Isuf Cikaqit iu desh të udhëtoj në Bruksel për ta mbrojtur Kosovën në një çështje që e kishte ngritur Serbia në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi. Serbia kishte alarmuar në Bruksel se tregtarët serb nuk po lejoheshin të eksportonin në Kosovë fidane të hardhisë së rrushit.

Aso kohe, në cilësinë  e Drejtorit të Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Cikaqi e kishte për detyrë të arsyetonte para zyrtarëve në Bruksel ketë vendim të palës kosovare.

“Kjo çështje është ngritur në bisedimet teknike me Serbinë, në kuadër të bisedimeve në Bruksel”, tregon Cikaqi në një bisedë për Gazetën Fjala, duke kujtuar detaje nga ky takim.

Kjo problematik ekziston prej vitit 2010. Cikaqi thotë se ka qenë një propagandë e Serbisë se kinse Kosova po e diskriminon shtetin serb. Ai sqaron se ky vendim për të mos lejuar import të fidanëve, ka të bëjë me të gjitha shtetet e rajonit, jo vetëm me Serbinë.

Vendimi është i bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Bimëve. Sipas këtij ligji, që është përshtatur me direktivat e Bashkimit Evropian, në Kosovë mund të importohen vetëm fidanë nga shtetet anëtare të BE-së. Kjo për faktin se shtetet anëtare iu përmbahen standardeve të larta të cilësisë.

“Këtë e kam sqaruar në Bruksel. Që ky vendim ka të bëjë me të gjitha shtetet e rajonit pasi Kosova mund të importoj vetëm fidanë nga shtetet e BE-së, pasi e kemi përqafuar legjislacionin në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian”, tregon Cikaqi.

Në Ligjin Nr.04/L-120 për Mbrojtjen e bimëve, Aneksi III,  në të cilin ceket për bimët, produktet bimore dhe objekte tjera, thuhet se është e ndaluar në të gjithë territorin e Kosovë.

Në këtë aneks është ndaluar vetëm importi për fidanët e hardhisë së rrushit.

Megjithëkëtë Cikaqi thotë se grupet e interesit asnjëherë nuk janë ndalur duke bërë presion në forma të ndryshme. Shumë prej kompanive i kanë përfaqësitë e tyre edhe në Kosovë, por sipas tij kjo çështje është kategori ligjore dhe ministria nuk ka mundur të veproj ndryshe, pasi do të ishte e kundërligjshme.

“Nëse do të ishte ndryshuar ligji, është diçka tjetër”, thotë Cikaqi i cili nuk e mohon se kjo çështje mund të ngritët sërish nga tregtarët, tash kur në krye të ministrisë së Bujqësisë është vënë Nenad Rikalo, që vjen nga komuniteti serb.

Takim i Rikalos me tregtarët e fidanëve

Kjo çështje duket se do të kthehet sërish në tavolinë për diskutim. Pas emërimit të Nenad Rikalos në krye të Ministrisë së Bujqësisë, kompanitë serbe kanë filluar sërish lobimin për këtë çështje.

Gazeta Fjala madje mëson edhe për një takim të zhvilluar mes tyre dhe ministrit Rikalo.

“Nga një takim që kanë pasur Rikalo iu ka premtuar kompanive serbe se nga 1 janari 2018 do të eksportojnë fidanë në Kosovë”, ka thënë një importues, që ka dashur të mbes anonim.

Sipas tij, ekziston një entuziazëm tek tregtarët pas emërimit të Rikalos në krye të ministrisë.

“Ditën kur është kuptuar emërimi i tij ka pasur edhe festë të tregtarët e fidanëve”, ka thënë ai, duke e lidhur ketë entuziazëm direkt me mundësinë e importit/eksportit të fidanëve të hardhisë së rrushit, që ka vite që nuk lejohen të importohen në Kosovë.

Kjo çështje është ngritur edhe në mbledhjen e fundit të Komisionit për Bujqësi.

Sipas procesverbaleve të Kuvendit nga kjo mbledhje, sekretari i Ministrisë i Bujqësisë, Kapllan Halimi, ka treguar se ministria ka marr vendim që ti ndalojnë fidanët që importohen nga vendet e Ballkanit, pasi ka qenë kërkesë e Bashkimit Evropian.

“Kryetari ndërhyri rreth ndalesës së fidanëve ballkanike për të cilin sekretari u përgjigj se këto masa janë si rezultat i kërkesave nga komisionit evropian kur kanë hy fidanët e sëmura, pra për ti evituar sëmundjet e ndryshme janë vendosur parametra evropiane”, citohet të këtë thënë Kapllani në mbledhjen e fundit të Komisionit.

 Problemin e fidanëve e kishte ndërmjetësuar EULEX-i

Ndërkohë në problemin e fidanëve në të kaluarën është dashur të ndërhyjnë edhe zyrtarët e EULEX-it.

Gazeta Fjala ka siguruar një letërkëmbim mes Drejtorit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Isuf Cikaqit dhe një zyrtari të EULEX-it, Alan Wilson.

Ky i fundit, sipas letërkëmbimit të datës 21 korrik 2017, i kërkon Cikaqit informata lidhur me çështjen e fidanëve, të cilën sipas tij e kishte ngritur si çështje Serbia për takimet e radhës në Bruksel.

“Javën tjetër do të jem në Bruksel për të njoftuar Kryetarin e Grupit IBM lidhur me ketë çështje. Shpjegimet tuaja në këtë shpresoj ti japin fund kësaj çështje të ngritur sërish nga pala serbe”, i thotë Wilson në letër Cikaqit.

Nga e tij Cikaqi, sqaron se kjo çështje është e rregulluar me Ligj dhe se e pamundëson që çështja e ngritur të rregullohet në një të ardhme të afërt.

“Procedurat e ndryshim plotësimeve të Ligjeve janë mjaft të gjata dhe marrin kohë. Kjo çështje po të ishte e rregulluar me ndonjë rregullore ose udhëzim administrativ atëherë mundësia për të ndërhyrë me qëllim të ndryshimit eventual do të ishte shumë më e lehtë”, thotë Cikaqi në përgjigjen e tij. /Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/beteja-e-pare-e-rikalos-per-kompanite-serbe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala