Bedri Hamza “e ruan” Gani Thaçin

Autori:admin

bedria

Vëllau i Presidentit të Kosovës, Gani Thaçi, ka vite që udhëheq me Byron Kosovare të Sigurimeve, në pozita të ndryshme, pa marrë miratimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Njëherë si drejtor i një drejtorie, pastaj ushtrues detyre i drejtorit, ndërsa tash si zëvendësdrejtor.

Në të gjitha këto pozita Thaçi ka lëvizur pa një aprovim paraprak të BQK-së, e cila me rregulloren në fuqi, është e obliguar që për të gjitha pozitat në Byro, duke filluar nga juristët e deri të drejtori, të aprovojë secilin kandidat.

Sipas Rregullores së BQK-së për Mbikëqyrje të Byros, përkatësisht nenin 14, për të gjithë të punësuarit në Byro, duhet të bëhet kërkesë në BQK me një mori dokumentesh. Përfshirë këtu biografinë e personit të propozuar, për të kaluarën e personit nëse ka dosje penale, deklarata për konfliktin e interesave dhe deklarata për konfidencialitet.

“BQK pas shqyrtimit të të gjithë dokumentacionit të kërkuar nga paragrafi 1 i këtij neni, do të nxjerrë vendim për aprovim apo refuzim të personave të propozuar për pozita të rëndësishme në Byro brenda 30 ditëve nga pranimi i kërkesës”, thuhet në rregulloren e BQK-së.

Por në rastin e Gani Thaçit, kjo asnjëherë nuk ka ndodhur.

Gazeta Fjala mëson se kërkesë nga ana e Thaçit në BQK ka pasur në të kaluarën, por jo edhe aprovim.

BQK pranon se Thaçi nuk u aprovua asnjëherë

Në Bankën Qendrore të Kosovës pranojnë se Gani Thaçi nuk ka marrë asnjëherë aprovim për pozitat që ka mbajtur në Byro. Arsyetohen se me rregullore për pozitat që ka mbajtur Thaçi, nuk ka pasur nevojë për aprovim fare.

Zëdhënësi për media në BQK, Besnik Kada, ka thënë për Gazetën Fjala, se me rregulloren në fuqi kërkohet aprovim nga BQK për pozitat ku bëjnë pjesë anëtarët e këshillit administrativ me përjashtim të anëtarit pa të drejtë vote të emëruar nga BQK-ja, Drejtorit Ekzekutiv, drejtorët e departamenteve, përfshirë auditorin e brendshëm, koordinatoret, censorët, trajtuesit e dëmeve dhe juristët.

“Duke qenë se personi në fjalë nuk ka qenë asnjëherë bartës i ndonjërës nga pozitat e cekura më lartë, për të njëjtin nuk është kërkuar t’i nënshtrohet procesit të aprovimit paraprakë nga BQK. Për më tepër, i njëjti ka qenë i caktuar si Ushtrues Detyre i Drejtorit Ekzekutiv të BKS-së, për të cilën nuk kërkohet aprovim paraprak nga BQK, pasi pozita e ushtruesit të detyrës është e përkohshme”, ka thënë Kada.

Megjithatë rregullorja e BQK-së, i jep të drejtë këtij institucioni që të kërkojë aprovim për çdo pozitë në Byro.

Aq më tepër kur fjala është për një zyrtar që ka mbajtur pozita të larta në Byron Kosovare të Sigurimeve.

“Përveç personave nga paragrafi paraprak të këtij neni BQK nëse e sheh të nevojshme, do të kërkojë aprovimin nga ana e sajë edhe të përsonave tjerë të propozuar për pozita tjera në Byro”, thotë pika 4 e nenit 14 të Rregullores se BQK-së.

Ndryshe, Gani Thaçi aktualisht në Byron Kosovare të Sigurimeve mban pozitën e zëvëndësdrejtorit, derisa para një muaji mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit. /Gazeta Fjala/

 

 

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bedri-hamza-e-ruan-gani-thacin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala