Bankat i ngrijnë 700 milionë euro

Autori:Agon Sinanaj

kredite-780x439

Bankat në Kosovë duket se leverdinë po e shohin tek pagesat e qytetarëve për shërbimet, e më pak tek kreditimi i ekonomisë.

Gama e këtyre të fundit ndër vite është rritur, e po ashtu edhe tarifat ndaj qytetarëve.

Sipas raporteve të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm nga janari deri në gusht të vitit 2017, nga shërbimet bankat fituan plot 30 milionë euro të pastra, shkruan Gazeta Fjala.

Kështu kanë shënuar fitim rekord nga kjo kategori, për një periudhë kaq të shkurtër.

Në anën tjetër, vërehet se bankat nuk po e shohin edhe aq me leverdi kreditimin e ekonomisë. Fokusi i tyre tek shërbimet, e ka çuar në rreth 700 milionë euro shumën e depozitave që po mbahen të ngrira nga institucionet financiare.

Kjo pavarësisht nevojës së madhe të ekonomisë për para.

Mbi 3 miliardë depozita

Sipas raportit të BQK-së për muajin gusht të këtij viti, depozitat e qytetarëve nëpër bankat komerciale kanë arritur mbi 3 miliardë euro. Prej tyre të lëshuara kredi janë 2 miliardë e 382 mijë euro.

Ndërkohë, rreth 700 milionë euro mbesin të ngrira, të cilat bankat kanë mundësi t’i lëshojnë kredi, por arsyetohen me mungesë të kërkesës.

“Kreditë për ekonomi familjare janë 868 milionë e 700 mijë euro. Kreditë për ndërmarrjet 1 miliardë e 510 mijë euro”, thuhet në raportin e BQK-së për muajin gusht, shkruan Gazeta Fjala.

Ndërkaq, tek depozitat, prej 3 miliardë e 37 mijë euro sa janë në total, prej tyre depozita të ekonomive familjare janë 2 miliardë e 146 mijë euro, kurse depozita të ndërmarrjeve janë 742 mijë euro.

Në total fitimi i bankave për këtë periudhë është 61.4 milionë euro.

Kamatat mbesin të larta

Sektori bankar mbetet ndër sektor me likuid në Kosovë, por edhe shërbimet edhe kamatat në kredi mbesin të larta.

Mbulueshmëria e kapitalit në këtë sektor është 17 për qind, derisa kufiri për likuiditet është deri në 12 për qind. Pra sipas të dhënave sektori i bankar është likuid më shumë se që është e nevojshme.

Megjithatë kjo nuk po reflekton edhe tek kamatat që aplikojnë bankat. Ndonëse ka rënie të normës së interesit, ajo mbetet ende shumë e lart.

“Norma e interesit në kredi është 6.8 për qind. Për ekonomitë familjare është 7.5 për qind, prej të cilave konsumuese 7.8 për qind, kurse hipotekare 6.0 për qind. Normat e interesit për ndërmarrje është 6.2 për qind, në bujqësi 6.4 për qind”, thuhet në raport.

Nga ana tjetër ka rënie të normës në depozita. Ajo është vetëm 1.1 për qind duke e çuar dallimin mes raportit kredi-depozita, në 5.8 për qind. /Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bankat-i-ngrijne-700-milione-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala