Bankat i çojnë qytetarët te “fajdexhinjtë”

Autori:Agon Sinanaj

kredite-780x439

Me kamatë rreth 30 për qind H.D. është detyruar të marr kredi për rregullimin e shtëpisë. Meqë disa banka komerciale e refuzuan qare gjeti tek një institucion mikrofinanciar.

“Bankat kërkonin shumë dokumente. Në fund e pashë se njëra nga këto mikrofinancat kishte shpallë ofertë për kredi prej 5 mijë eurove pa hipotekë”, thotë D, derisa tregon se për një kohë të shkurtër iu nda kredia.

Ai është i vetëdijshëm për kamatën e lartë por thotë së gjendja e shtëpisë i ishte rënduar shumë.

Sikurse D. janë shumë kosovarë që gjithnjë e më shumë po iu drejtohen institucioneve mikrofinanciare për kredi. As kamatat prej 23 për qind, sa është mesatarja që aplikojnë këto institucione financiare, nuk po i ndal ata.

Megjithatë në raste të caktuara dhe varësisht prej institucionit mikrofinanciar, kredia shkon edhe deri në 30 për qind.

Nga qytetarët dhe njohësit e ekonomisë shpeshherë këto institucione janë cilësuar si fajdexhinj, për shkak të kamatave të larta.

“Kurrë më mirë nuk e kemi pas punën, prej që ekzistojmë. Është rrit shumë numri i qytetarëve që po na drejtohen për kredi”, ka thënë në kushte anonimiteti një zyrtar që punon në këtë sektor.

Ai thotë se një nder arsyet kryesore për këtë është tkurrja e kredidhënies nga bankat komerciale.

“Po ashtu të ne nuk kërkohen shumë dokumente për të marr një kredi”.

Këtë dyndje të qytetarëve drejt mikrofinancave e dëshmon edhe raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës “Vlerësimi tremujor i ekonomisë”, nga janari deri në qershor 2017.

“Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017 u karakterizua me rritje të përshpejtuar të vlerës së kredive prej 31.9 për qind”, thuhet në raport.

Kryesisht kredi tek mikrofinancat marrin ekonomitë familjare, por rritje të madhe pati edhe kreditë për bizneset.

“Ekonomitë familjare, që kanë një pjesëmarrje prej 64.9 për qind në gjithsej kreditë e sektorit, u karakterizuan me rritje vjetore prej 27.8 për qind. Gjithashtu, kreditë ndaj ndërmarrjeve që përfaqësojnë 35.1 përqind të gjithsej kredive të sektorit, shënuan një rritje vjetore prej 40.2 për qind”.

 

Trefishohet fitimi i mikrofinancave

Kjo bëri që profiti i sektorit mikrofinanciar për periudhën janar-qershor 2017, të trefishohet krahasur me periudhën e njëjtë vitit të kaluar.

“Kështu deri në qershor 2017, sektori mikrofinanciar realizoi profit në vlerë prej 3.9 milionë euro, krahasuar me profitin në vlerë prej 1.6 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit paraprak”, thuhet në raport.

Raporti i BQK-së e thekson se kjo rritje kaq e madhe e profitit erdhi nga rritja e të hyrave nga interesi.

“Rritja më e lartë e të hyrave (kryesisht e atyre nga interesi) krahas rritjes më të ulët të shpenzimeve ndikoi në profit më të lartë të realizuar në këtë periudhë. Si rezultat i performancës pozitive financiare gjatë tremujorit të parë të vitit 2017, treguesit e profitabilitetit shënuan përmirësim”, thuhet në raport.

Ky sektori qëndron mirë edhe sa i përket kredive të këqija. Niveli i kredive joperformuese në raport me gjithsej kreditë deri në qershor 2017 u zvogëlua për 1.9 pikë përqindje kundrejt vitit paraprak duke rënë në 2.5 për qind, nivel ky më i ulëti në vitet e fundit.

Ndërkaq, deri në tremujorin e dytë të vitit 2017, asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 169.2 milionë euro, duke shënuar rritje të theksuar vjetore prej 24.5 për qind.

“Kontribuues kryesor në rritjen e aseteve të sektorit ishte rritja e kredive bruto, kryesisht të financuara nga huamarrjet në sektorin e jashtëm, e që dominojnë strukturën e përgjithshme të aseteve të sektorit mikrofinanciar (76.1 përqind)”.

 

Kamatat mbesin mbi 22 për qind

Por me gjithë likuiditetin e sektorit dhe profitin e lartë, kjo nuk ka reflektuar tek lartësia e kamatës.

Ato vazhdojnë të jenë shumë të larta. Aktualisht kamata që aplikojnë mikrofinancat është 22.1 për qind, gjë që përkundrazi pati rritje.

“Norma mesatare e interesit në kreditë e sektorit mikrofinanciar në qershor 2017 u rrit lehtësisht në 22.1 për qind”, thuhet në raport.

Norma e interesit për kreditë ndaj ekonomive familjare u rrit për 0.9 pikë përqindje, ndërsa norma e intersit për kreditë ndaj ndërmarrjeve u karakterizua me rënie prej 0.2 pikë për qind.

“Në kuadër të kredive ndaj ndërmarrjeve, sektori i shërbimeve rezulton të ketë normën më të ulët të interesit në kredi. Ndërsa, sektori i industrisë, përkundër rënies, vazhdon të ketë normën më të lartë të interesit në kredi”. /Gazeta Fjala/

 

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/analiza/bankat-i-cojne-qytetaret-te-fajdexhinjte/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala